Nga Dom Nikë Ukgjini
Shkodër, 25 prill – Perandori Konstandin do të përkujtohet në kryeqytet me një konferencë shkencore, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri i e vendit. Takimi i organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë duket se po shërben edhe për të risjellë në vëmendje origjinën e tij ilire, disi e “pambrojtur” nga sulmet serbe për t’i dhënë atij përkatësi sllave. Me këtë rast, Dom Nikë Ukgjini na sjell në vëmendje figurën e tij, shkruan “Gazeta Shqiptare”.
“Konstandini, 1700-vjetori i Ediktit të Milanos dhe liria fetare” titullohet konferenca shkencore që mbahet në Tiranë. Cili është qëllimi i saj?
Për 17 shekuj në historinë memoriale dhe monumentale qëndron si pikë referimi, ngadhnjimni, besimi e qytetërimi për mbarë botën, vepra dhe emri i perandorit dardan – Konstandini i Madh. Evropa duhet t’u jetë mirënjohëse dardanëve, ilirëve, arbërve dhe shqiptarëve për rolin e jashtëzakonshëm të disa shenjtërorëve të gjakut tonë, si Konstandinit të Madh, Justinianit të Madh, Shën Jeronimit, Shën Niketës, e deri te Nënë Tereza. Ky vit përfshin dy jubile të perandorit dardan – Konstandinit të Madh: 1740-vjetorin e lindjes (ka laryshi të dhënash për lindjen e tij, si viti 272, 273, 280 e 282), dhe 1675-vjetorin e vdekjes.
Flavius Valerius Contantinus (që do të thotë i qëndrueshëm), përkatësisht Konstandini i Madh ishte i lindur në Naissus (Nishi i sotëm tani në Serbi). Ai ishte themelues i Konstandinopojës (Stambollit të sotëm), si dhe të Ediktit të Milanos të vitit 313, kohë kjo kur perandori legalizoi Kishën Krishtere në botë.
Sundoi 31 vjet në perandorinë më të madhe të botës, që lidhi Perandorinë e Lindjes me atë të Perëndimit. Konstandini i Madh hodhi themelet e kulturës dhe të qytetërimit evropian.
Ka pretendime për origjinën e tij së fundmi nga serbët. Si i shihni ju këto pretendime?
Propaganda serbe shprehet se Konstandini i Madh paska qenë serb, duke harruar faktin se në kohën e Konstandinit të Madh dhe të Justinianit të Madh në Gadishullin Ilirik nuk kishte fare sllavë.
Me porosi të Serbisë, Hollivudi kohë më parë ka realizuar një film për Konstandinin, duke e trajtuar atë me origjinë serbe. Ai është realizuar bazuar në romanin “Udhëkryqi i Konstandinit” të autorit serb Dejan Stojkoviq. Për këtë film, ky shtet ka dhënë mbi 100 milionë dollarë. Por a e dinë serbët se Konstandini i Madh ishte dardan, paraardhës i shqiptarëve, përkatësisht se serbët duhet të nisen nga fakti se ndër emrat serbë asnjëherë nuk e kanë pasur emrin Konstandin.
Mbi çfarë dokumentesh bazohen?
Skenaristët serbë e dinë se s’ka asnjë dokument bindës të cilësdo kohë që Konstandinin e Madh e trajton serb. Porse shtypi i tyre ka kohë që po shkruan se “Ky Perandor u lind në Nish e kjo është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar trashëgiminë kulturore serbe në mbarë botën, si dhe për ta ‘dëshmuar’ se serbët janë popull i shenjtë”! Pra, vetëm pse u lind në Nish, të cilin sot e kanë serbët, Perandori i Madh na qenka serb! Sipas kësaj logjike do të mund të bëhej kërdi në transferimin e personaliteteve të historisë nga një komb në tjetrin, sepse edhe Emanuel Kanti u lind në Konigsberg, por kjo nuk e bë atë rus.
Pra, sipas kësaj logjike do të na përmbyseshin maja e historisë, sepse De Rada, që u lind në Itali, a duhet quajtur italian, përkatësisht Papa Klement Albani u lind në Itali, por ai e pohon veten arbër, siç mban dhe zyrtarisht mbiemrin ‘Albani’ dhe emrin ‘Kelmendi’. Mid’hat Frashëri u lind në Stamboll, por ai është ndër të mëdhenjtë e shqiptarëve! Vendlindja e Faik Konicës sot ndodhet në Greqi, por kush mund ta bëjë grek këtë dijetar të madh shqiptar?!
Perandorët e parë të Romës mbanin për flamur shqiponjën me një kokë. Perandorët ilirë e zëvendësuan me shqiponjën me dy koka, siç kishte vepruar para këtyre edhe Zeusi. Pra, nga simboli fetar shqiponja u bë simbol kombëtar i arbërorëve, përkatësisht shqiptarëve. Kostandini i Madh kur shkoi në Bizant mori flamurin dhe simbolin e ilirëve, shqiponjën me dy krerë. Një gjë e tillë nuk i shpëtoi as Dante Aligherit që të thotë se: “Shqiponjën Kostandini e riktheu nga lindja në perëndim, që do të thotë se shpendi shkoi te malet nga kishte dalë”. Noli për Konstandinin e Madh thotë se u lind nga shqiponja e këtij flamuri: “Flamur, që lind Shën Kostantinë/ bashkon Islamnë me Krishterimnë”.
Si e sheh historiografia e huaj ardhjen e sllavëve në Ballkan?
Në këto troje sllavët erdhën aty nga mesi i shekullit VI. Në fillim ata ishin shërbëtorë, pa asnjë ngjashmëri me Perandorët ilirë të Romës. Historiani R. Jenkin thotë: “Sllavët ishin të uritur për tokë ilire”. Tunman shkruan: “Sllavët në vitin 548 dogjën Ilirinë”. Fromer shtonë se “Trysnia sllave solli ndrydhje të ilirëve. Hapësira dalmate e dardane u rrezikua shumë”.
Serbia sot e shfrytëzon të ‘drejtën’ pushtuese, pasi që nuk mundet ta shfrytëzojë të drejtën historike. Dijetari N. Syme thotë se “Naissus ishte njëra nga tri kryeqendrat e Dardanisë paraantike dhe antike”. Dijetari hungarez Jeno Fitz shton se “Dardania ishte vendlindja e atit të Konstandinit të Madh, Konstanc Klorit, e ajo banohej nga dardanët”. Francezi Viktor Dyrui thotë se “Pellazgo-ilirët shtriheshin nga Azia Perëndimore në Sardenjë e mbase më larg, në Spanjë”. Laruss për Perandorinë e Romës së vonë thotë se “Dinastia Perandorake u themelua nga fiset ilire të Dalmacisë e të Paonisë”. Historiani anglez R. Makmulen shton se “Vija e familjes së Konstandinit të Madh dhe e Valentienit ishin personalitete dardano-ilire”. Çurçilli dëshmon se “Perandorët nga më të aftët e Romës qenë ilirë”.
Historiani U. Sestonin thotë: “Një numër i madh senatorësh qenë nga Iliria, sikurse edhe nga gjysma e dytë e shekullit III, perandorët qenë gjithmonë nga Iliria”. Nobelisti T. Momsen shkruan: “Shqiptarët luajtën rol të veçantë gjatë Perandorisë Osmane, ashtu si të parët e tyre të lashtë – ilirët në Perandorinë e Romës”.
Sot, edhe të huaj mund të sjellin argumente të përkatësisë dardano-ilire e shqiptare të Konstandinit të Madh.
Konstandini nuk është i vetmi që po përvetësohet, ka pasur edhe shembuj të tjerë figurash të mëdha…
Pushtuesit serbë shekuj me radhë tentojnë të përvetësojnë emra të shquar shqiptarësh. Kështu, 400 vjet më parë serbi Tomas Maranoviç e bënte Skënderbeun sllav. Serbët duke vjedhur Konstantinin e Madh duan të lartësojnë shtatin shkurtabiq të së shkuarës së tyre. Përndryshe, sipas Çabejit, “Historia e një vendi është historia e personaliteteve”. Deputeti Laurenziano në Parlamentin italian, në vitin 1904, pat thënë se: “Francezët që në Paris mendojnë se Epiri i duhet dhënë Greqisë për hir të Sokratit, a e dinë se Diokleciani, babai i sistemit juridik botëror ishte ilir”?
Nga kjo del se serbët kohëve të fundit, për të shënuar 1700-vjetorin e legalizimit të krishterimit në botë, që e bëri Konstantini i Madh me “Ediktin e Milanos të vitit 313″, dhe për t’u “dëshmuar” se ata janë popull qiellor, ia kanë vënë syrin grabitës edhe Perandorit – shenjtor, Konstantinit të Madh.
Dhe kjo Evropë duke e “siguruar” pavarësinë e Kosovës, nëpër Kosovë krijoi Serbi të vogla, kurse ne nuk ishim në gjendje ta dëshmojmë faktin se jo vetëm që Serbitë e vogla nëpër Kosovë nuk janë serbe, por si askush tjetër kemi të drejtë të krijojmë Kosova të vogla nëpër Serbi dhe jo vetëm në Serbi, si me rastin e Konstandinit, pastaj të Justinianit, të Niketës e shumë të tjerëve. Ka kohë që sllavët fqinjë në vazhdimësi tentojnë të na i vjedhin hapur figurat e shquara si Aleksandrin e Madh, Pirron e Epirit, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Kukuzelin, Nënë Terezën, Nënën Angjelinë e tani së fundi e kanë vënë në shënjestër edhe Konstandinin e Madh. Por ç’ti bësh, pasi që të dyja shtetet shqiptare heshtin, sikur që heshtin edhe akademitë tona, kurse akademitë sllave e greke s’kanë turp të shpifin e të grabisin, ndërkaq akademikët tanë s’kanë turp të heshtin!
Përveç historianit Pëllumb Xhufi, që në një intervistë për “GSH” e kundërshtoi fuqishëm pretendimin, asnjë tjetër nuk ka reaguar. Çfarë duhet bërë sipas jush?
Çdo akademi tjetër rastin e filmit serb të Hollivudit do ta quante dhunim të atdheut përmes vjedhjes së historisë, e do t’i alarmonin së pari autorët e filmit e më pas edhe qarqet ndërkombëtare.