Ka “Miss America” por ka edhe “Mrs America”! Në këtë konkursin e dytë, që mbahet që prej gati gjysëmshekulli marrin pjesë gra të martuara, që kanë shënuar arritje në jetë.
Ashtu si në konkurset e tjera të bukurisë dhe maturisë femërore, ky konkurs mbahet në të 50 shtetet e SHBA-së dhe fitueset e çdo shteti marrin pjesë në konkursin final për të zgjedhur amerikanen që do të mbajë për një vit kurorën e shquar.
Këtë vit, në konkursin final do të jetë edhe një shqiptare.
Marinela Shpati u shpall “Mrs Michigan America” në datën 5 mars, bën të ditur gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”, në New York.
Në radhë të parë, dua ta nis duke falenderuar Zotin, që gjen gjithmonë kohën e duhur në mënyrë të përkryer”, tha ajo në shënimin e rastit në Instagram. “Ai ka bërë dhe vazhdon të bëjët gjëra të mrekullueshme për mua”.
“Jam vërtet e NDERUAR që jam Mrs. Michigan America 2022. Faleminderit të gjithë atyre që besuan të unë dhe më dhanë mundësinë që të hap zemrën time. Faleminderit Michigan që më zgjodhe të të prezantoj! Jam përjetë mirënjohëse”, shkruan Marinela Shpati.
Ajo ka një mesazh të veçantë edhe për bashkëshortin: “Të dua! Faleminderit që më ke mbështetur gjithmonë dhe që ke besuar te unë”.
Ajo ka falenderuar edhe sponsorët, organizatorët, miqtë e familjarët si dhe motrat e saj “mbretëresha”, mes të cilave konkurroi dhe u zgjodh më e mira.
Nëse do të shpallet “Mrs America”, kjo kurorë bukurie do të shkojë për të dytin vit radhazi në Michigan.
Fitorja vjen me një numër çmimesh dhe misionesh humanitare e përfaqësime kauzash të denja. Fituesja e Mrs America pastaj shkon për të konkurruar edhe në “Mrs World”.
Urime “Zonjës së Michiganit”! U bëftë Zonja e Amerikës dhe e Botës! (Illyria)