Rreth librit: “Arti i fjalës” me autorin nga Kosova Idriz Çelaj
Nga Keze Kozeta Zylo
Arti është palca e jetës, dritëzat që të drejtojne dhe të sjellin ndriçimin në ninëzat e syrit. Udhëtoj nëpër poezitë e poetit Idriz Celaj, prek fijëzat e metaforave i shijoj poetikisht dhe ndalem diku, ngec tek një fytyrë Hëne, mahnitem nga bukuria e saj…
BIJË!/ Çdo ditë lutjet i përqafoj/ Para portretit tënd/ Jam i pafuqishëm/ Lotët me tradhëtojnë/ Bota ç’më duket e acartë/ Fjala ma s’ka fuqi/ Pse kam mbetë pa ty BIJË/ Veç zërin ma dërgo përmes zanave/ Fytyrën lëre tek Hëna. Janë vargje tejet të dhimbshme të Atit Poet për bijën e ikur ne amëshim. Ato mbartin ngarkesa të dukshme dhe të padukshme emocionale. Dashuria e butëz si petalet e trëndafilit aromatizojnë livadhet e Rugovës dhe duket sikur shuajnë etjen me bukurinë e Heroinës (Rinës) së babit Poet. Kjo poezi është si një simfoni dhimbjeje dëgjohet vajtueshëm nëpër New York dhe kapërcen vetëtimthi gjer në Arbanë të Pejës në Kosovë aty ku i ka rënë koka të atit të saj poet.
Janë shumë poetë që kanë humbur fëmijët e tyre dhe nëpërmjet poezisë kanë gjetur ngushëllimin në forma të ndryshme me përsosmëri artistike. Do të kujtoj këtu poetin kombëtar Ali Podrimja i cili për humbjen e birit të tij Lum Lumi shkruajti: Unë nuk luaj vendit/ Muret lëvizin sendet vogëlushi im/ Vjeshtë e keqe mori/ Re e zezë shtëpinë tonë mbështolli…
Poeti Çelaj nëpërmjet lirikave me plot muzikalitet spikat këndshëm me figuracionin e tij estetik në libër. Në disa prej tyre bëhesh natyrshëm pjesë e pandashme e përkushtimeve të heroizmit të Kosovës të tij si poet nëpër demonstrata. Eshtë fat që ngjarjet e mëdha kanë penat që shkruajnë brenda tyre. Para Agamemnonit kanë jetuar shumë trima, shumë heronj, mirëpo të gjithë iu lanë harresës, sepse nuk kishin një “Poet të Shenjtë”, thotë Horaci.
Poeti është luftëtar dhe ëndërrues i Lirisë, endet si flutur për ta prekur atë ylber me ngjyra. Në poezinë: “Çfarë të fala natyrë”, fq 11 në librin “Arti i fjalës” botuar nga Meshari ndërmjet të tjerash lexoj: Sa e çuditshme duket jeta ime/ të mbërrij edhe deri tek Dielli/ E ndjej se pas reve ka Diell/ Unë aty dua ta takoj Lirinë.
Poeti luftëtar e di mirë se Liria si ç’ thotë Martin Luther King Jr. nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësi, ajo duhet kërkuar nga të shtypurit.
E kush nuk ka dëgjuar për luftën e Kosovës, për bijtë e saj që ranë për Lirinë! Sa familje u lanë në gjak për Atdheun, për Kosovën! Një prej tyre ishte Avokati Bajram Kelmendi së bashku me dy bijtë e tij që u vranë, më 1999. Dhe ja si shkruan në poezinë “Fuqia brenda vetes” fq.18
Dhe pa humbur hodhe sytë përtej ferrit/ Don të zgjasësh duart drejt Lirisë/ Por diçka pengon në këtë jetë/ E vazhdon t’i pëshpërisësh vetes, mbijeto!…
Autori ka si kryetemë Lirinë, Lirinë që Kosova martire e vuajti tmerrësisht me shekuj ndaj dhe shkruan: Sa here luftova për Lirinë/ Kësaj toke i kam dhënë/ Emrin e shenjtë/ Nëpër shekuj i kryqëzova shpatat/ Ikja nga demonët nuk ishte e imja/ Luftëtaren e jetës kishin takuar/ Në mua kishin pa Diellin.
Si lexuese më duket sikur në çdo varg shoh zemrën e luftëtarëve, të djelmoshave trima që dhanë jetën në lulen e rinisë, dhanë jetën në luftë me genocidin serb udhëhequr nga Hitleri i Ballkanit sllobodan milloshevic.
Shpesh në poezite tij gjej Zef Seremben: poetin arbëresh me shpirt të trazuar, të dhimbjes të së bukurës…në mjaltin e evlogisë (fjalëve të ëmbla) për vendlindjen e tij si në vargjet:
…Arbëria matanë detit, na kujton/ Se ne të huaj jemi te ky dhe! Sa vjet shkuan! E zemra nuk harron/ Që ne turku na la pa Mëmëdhe…
Natyrisht poeti e ka përjetuar dhimbshëm dhe plot brenga Luftën e Kosovës për Pavarësi, në epikën heroike të saj ka vend qëndresa e tij si student i demonstratave kundër serbëve.
Çfarë madhështie shfaqet para syve të mi duke imagjinuar një student të përdorte çarçafët e krevatëve për të shkruar parrullat kundër pushtuesve, barbarëve. Ata derdhën gjakun si trima, jo lotin si thotë Mitrush Kuteli “Se loti është robëri, gjaku Liri!”.
Pena e poetit është e kujdesshme, ka elegancën e vargut shpesh plot muzikalitet që heronjtë i vesh me mantelin e hekurt të një luftëtari me pushkë e jatagan.
Lirikat e poetit Çelaj sjellin një gjetje të bukur metaforash, ndërsa arti është simbolika e bukur dhe e perceptimeve poetike. Autori krijon dhe mediton për pritjet, harresat, mallin që djeg për vatanin. Poezitë për dashurinë i sjellë sikur thurr nje gërshetë vajzërie sidomos në poezinë “Shikimet” aty ku fillon dhe ndizet llava e dashurisë, fq 50. Në thellësi u përplasën shikimet/ Tej zemrës u ndez një shkëndijë/ Për një moment sytë u ulën/ u ngritën sërish si flakë përvëluese… Një ndjenjë që lindi/ Kur dy sytë u takuan/ Për herë të parë/ Dhe nuk u larguam kurrë më…
Autori është përjetuesi më i denjë i tokës dardane, ndonëse personazhet përfundojne me dhimbje, plagë që përcëllojnë trupin. Harta poetike ka copëza të gjakosura, shoh pikat e gjakut që më çmendin dhe sërish bëhem Shotë dhe i lexoj sidomos tek poezia “Dy mijë copa”.
Dy mijë vjet/ e ndava/ në dy mijë copa/ zemrën/ Fotografi e krisur/mbeta/ dhe Kujtime/ të thyera/ Një natë të tërë/ ëndërrova/ Bukurinë/ e mbretëreshës sime/ Nuk më lejuan/ Zotnat/ Bashkë me jetën/ të zhdukem. Është një pozi shumë e arrirë artistikisht është koncentrat poetik që të kujton poetin kombëtar Ali Podrimja me pozinë e famshme: “Epika” ku shkruan: Me shekuj kam shitur gjakun/e rritur jam me gjakun e shitur/ Me shekuj kam hëngër me veten/ e ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…/ Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet!
Poezi tejet e ndjerë është vargu për babain e tij Bak Zhuka. Poeti qëndron në ëndërr, sjellë kujtimet dhe vrapon si pelegrini duke e rikujtuar përmallshëm të atin. Ja disa vargje në poezinë: “Befasisht” fq 9. Nga një ëndërr e gjatë/ Befasisht zgjohem/ Të ëndërroj dhe pak/ ndoshta do të ishte më mirë… Dhe ngritëm lart/ të shikoj të vërtetën…
Vargu për nënën frymon, merr jetë është dashuri hyjnore bir dhe nënë. Në poezinë “Ndjej frymën e ajrit” poeti shkruan: Freskinë e ajrit ndjej/ Mbi fytyrën tënde/ Dhe aromën e luleve/ Që të bën me m’u dashuru me botën…
Nëna është gjithësia, jeta në vazhdim, lule aromatizuese e shtëpisë dhe lë gjurmë të florinjta në udhën e fëmijëve për të ecur pa u ndalur.
Poeti Çelaj me vargjet dëshirore sjellë poezinë “Këngë Deti u bëfsha” fq 52 dhe shkruan: Sa e gjatë pritja që më mbyti/ Mëkatar më bën kjo ditë e re/ Lirinë e detit e kam rujtë/ Sa herë kanë dalë bajlozët e detit/ . Kjo poezi e ndjerë si valëzat e bardha të detit që përkëdhelin ajrin apo ndonjë pendë të mëndafshtë zogu të ujit, të kujton poetin Nazim Hikmet, themeluesi i lirikës moderne turke i cili shkruan:
Deti më i bukur/ është ai në të cilin akoma askush nuk ka shkuar/ Ditët tona më të mira/ Janë ato që ende nuk i kemi përjetuar.
Autori nuk do të jetë pengu i urrejtjes që shpesh qëndron si plagë malinjë në trup dhe mendje të drobitura. Ai shprehet se s’kemi arsye të urrejmë, e bukura dhe mirësia si melhem, si mjaltë e mbyt urrejtjen e shëron plagën e keqe. E hidhura në poezinë e tij fq 47 shkruan poeti nuk është e përjetshme, sepse kudo mbytet nga kujtimet e bukura/ Të urrejmë nuk kemi arsye/ Jeta është më e çmuar se çdo gjë.
Kjo gjuhë tingëlluese është gjuhë e Perëndisë, është gjuhë e dashurisë së zjarrtë që shpesh bëhet vullkan dhe së fundi mediton në realitetin e librit poetik.
Poezitë ndjekin rregullisht metrikën tradicionale, ose herë herë dhe vargun e bardhë, ndaj dhe ato marrin vëmendjen e lexuesit për të ndjerë më nga afër traditën shumë vjeçare të poezisë shqipe.
Poeti me fantazinë e kthjellët dhe me metafora të arrira bukur sjellë si me magji kohën e baladave popullore aq te çmuar për popullin shqiptar.
Autori e damkos genocidin dhe terrorin si një njollë të zezë në ballin e diktatorëve. Vargjet e tij ndërtojnë një lirizëm epik, janë sintezë e ndërlidhur me figurat e shumta dhe të arrira si eksklamacioni, apostrofa, alegoria, antiteza, simboli, ironia, paralelizmi figurative etj.
Për shkrimtarët e Diasporës duhet një vëmendje më e posaçme nga institucionet kulturure dhe akademitë pasi mjerisht vazhdojmë të mbetemi gjaku i shprishur që me arbëreshët që ikën pas vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe ndoshta shumë libra të botuara do të pluhurosen nga koha që shpesh tregohet e pamëshirshme. Por janë poetët, shkrimtarët që me veprat e tyre ecin në natën me Hënë në vendet ku i hodhi fati dhe arrijnë magjishëm në Atdheun e tyre të largët, sepse e gjejnë rrugën nga rrezet e shndritshme hënore që u ndrin në faqet e bardha të letrës ku derdhin gjithe mallin e tyre. Si shkrimtare emigrante me origjine nga Jugu me te njejtin fat si të Idrizit nga Kosova shpresoj shumë se një ditë do të kthehemi në trojet tona arbërore si Hebrenjtë në Izraelin e tyre të cilët në psalmin 137 tek Dhiata e Vjetër kanë shkruajtur: “Në të harrofsha ty, o Jerusalem, m’u lidhtë gjuha pas qiellzës”…
Patjetër që do të kthehemi, por gjer atëhere të pakten të kthehen veprat e shkrimtarëve në trojet tona arbërore e bashkë me to dhe ËNGJËJT me fytyrë Hëne dhe bukuri Zanash.
17 Mars, 2022
New York