(Masakra në Suharekë, në qytetin jo larg Prizrenit)
Kur anëtarët e misionit verifikues të OSBE-së arritën në Kosovë, në nëntor të vitit 1998, ata që u sistemuan në Suharekë, në qytetin jo larg Prizrenit, u vendosën në hotelin “Boss”, pronë e vëllezërve Nishaviq.
Por, ata nuk qëndruan gjatë aty.
Milloradi, njëri nga tre vëllezërit, ishte shef lokal i sigurimit shtetëror (serb), andaj shqiptarët i shmangnin hotelin dhe verifikuesit.
Befas, ashtu siç u erdhën, Nishaviqëve iu larguan mysafirët dhe ata mbetën pa të ardhurat që po i prisnin.
Verifikuesit u zhvendosën në dy prej shtëpive më të mëdha të familjes së madhe Berisha.
Më 26 mars (1999), rreth mesditës, para stacionit të policisë në Suharekë ndaluan dy kamionë të ushtrisë, nga të cilët zbritën pjesëtarët e kompanisë së tretë të njësisë së 37-të të Policië Speciale të Serbisë.
Drisa prej tyre e kishin lyer fytyrën me ngjyrë të zezë, të tjerët kishin vënë në kokë shami kusarësh në vend të kapelave.
Menjëherë pas tyre erdhi me Land Rover-in e tij komandanti, Radosav Mitroviq – Çegar një.
Të veshur me uniforma kamuflazhi dhe të armatosur me pushkë automatike, ata po i mahnisnin policët lokalë dhe rezervistët.
Zëvendëskomandanti Jovanoviq, i impresionuar nga ardhja e komandantit Çegar, u përpoq t’i raportonte.
Por, ky as që po ia lëshonte sytë…
“Çfarë po pritni këtu?”, tha komandanti, duke i dhënë shenjë Jovanoviqit që lokalët të bashkoheshin me të tijët.
Kurse të tijët, në pozicione për të hapur zjarr, nxitonin drejt shtëpive të Berishëve. Sapo hynë në lagje dhe i rrethuan të gjitha shtëpitë, një nga një. Disa prej tyre i siguruan hyrjet, kurse të tjerët, me armët “gati për shkrepje”, hynë nëpër shtëpi, duke u çjerrë e duke urdhëruar që të gjithë banorët të dilnin nga shtëpitë.
Lokalët kishin një avantazh në oborrin e Berishëve – i njihnin bashkëqytetarët dhe fqinjët e tyre, andaj i rrethonin shtëpitë dhe i thërrisnin me emra pronarët e tyre:
“Bujar, dil jashtë! Dil dhe tregoje letërnjoftimin!”
Bujari doli i frikësuar nga shtëpia, kërkoi nëpër xhepa, por nuk e gjeti letërnjoftimin.
Pjesëtarët e njësisë speciale shkaktuan panik në oborr, duke ua vënë zjarrin disa prej shtëpive dhe duke i ndarë me egërsi gratë dhe fëmijët nga burrat.
Fëmijët e shastisur nga frika largoheshin nga oborret.
Pas tyre edhe nënat e tyre.
Policët lokalë shkrepnin rafale sipër kokave të tyre.
Nexhmedin Berishën, bashkëshortin e Liries, e qëlluan dhe ai u plandos përdhe.
Bashkëshortja e tij shtatzanë e tërhoqi zvarrë nga rruga.
Bujari doli nga shtëpia. E kishte gjetur letërnjoftimin që ta tregonte.
Kur doli pa se si policët po i nxirrnin gratë e fëmijët nga oborri dhe po i çonin drejt Qendrës Zejtare.
Vjollca që po largohej e pa Bujarin kur doli nga shtëpia, por nuk pati guxim as ta kthente kokën prapa.
Kur dëgjoi përsëri rafale në oborrin e saj, mendoi se e kishin vrarë (Bujarin).
Sigurismi Nishaviq po jepte kontributin e tij “profesional” në këtë aksion.
Ai i tha Radovan Repanoviqit, komandantit të stacionit policor, se spiunët e OSBE-së kishin vendosur lokalizues për t’ia treguar NATO-s pozicionet e tyre, kështu që në shënjestër mund të vihej lehtësisht edhe ndërtesa e policisë.
Një grup policësh lokalë u nisën drejt godinës së bardhë dykatëshe të Faik Berishës.
Duke vepruar sikurse “specialët”, nxorën nga shtëpitë këdo që e hasën.
Gratë dhe fëmijët i ndanë nga burrat.
Çukariq dhe Tanoviq çirreshin, kërkonin armë.
Për të demonstruar vendosmërinë dhe për t’u treguar “të kamufluarve” se çfarë mund të bënin, i vranë Fatimen, Sadeten dhe dy Berishë të tjerë më të vjetër.
Edhe “të kamufluarit” vranë.
Me lehtësi dhe në mënyrë rutinore, pa shpenzuar shumë municion.
Trupat e të vrarëve i tërhoqën zvarrë deri te muret e shtëpive që po digjeshin.
Vinte erë mishi të djegur njeriu.
Vrasësit i fshinë me zjarr gjurmët e krimit.
Sigurimsi u kundërpërgjigj.
E qëlloi me pistoletë Nexhad Berishën duarthatë, te i cili ishin vendosur verifikuesit e OSBE-së.
Duke vepruar sipas planit, grupi i “pastruesve” me uniforma të zeza ngarkonin në një kamion mallrat e plaçkitura në dyqanin e autopjesëve të Vesel Berishës.
Gjatë kësaj kohe, disa qindra metra larg “fushëbetejës” ku po vepronin njerëzit e tij – po plaçkitnin, po digjnin dhe po vrsinin – komandanti Çegar ishte ulur në Land Rover-in e tij, sikurse në një pikë komanduese.
Operacionin po e udhëhiqte dhe po e kontrollonte përsmes radio-lidhjes që e kishte të hapur gjatë tërë kohës me Siketiqin, komandantin e Kompanisë së Tretë.
Gjatë aksionit që u zhvillua në disa lokacione në Suharekë, rezervisti Petroviq e ndjente një ligështi.
Kishte neveri dhe i vinte të villte nga gjithçka që po bënin dhe që në këtë po merrte pjesë edhe ai.
Më mirë do të alivanosej, të zhdukej nga kjo skenë.
E urdhëruan të shkonte dhe t’i përcillte gratë dhe fëmijët deri në Qendrën Zejtare.
“Merr pi ndonjë alkool që të çtendosesh”, i tha Çukariq.
Më shumë se pesëdhjetë Berishë, mes të cilëve nëntëmbëdhjetë ishin fëmijë, i detyruan të hynin në ish-picerinë “Kalabria”, në Qendrën Zejtare.
I shtynë dhe i goditën me kundakë armësh.
I urdhëruan të uleshin në dysheme.
Dhoma ishte e stërmbushur me njerëz, mezi e mbyllën derën.
Gratë e shastisura, kryesisht nënat, po përpiqeshin të mësonin se cili nga fëmijët e tyre ishte aty.
Ata me uniforma të zeza, që e “çliruan” dyqanin e autopjesëve, e mbushën kamionin e tyre dhe të kënaqur e nisën për në Prizren.
Përballë “Kalabrisë”, Tanoviq, Çukariq, Jovanoviq… po ngrinin shishet e vinjakut dhe vodkës që i kishte sjellë Petroviqi.
Po e zgjatnin.
Secili priste që dikush tjetër të fillonte i pari.
Po pinin me radhë vinjak dhe vodkë, sikur po derdhnin birrë.
Njëri nga shefat e Mbrojtjes Territoriale bërtiti se kamioni kishte ardhur dhe duhej të nxitonin.
Në piceri u shtuan të qarat dhe rrëmuja.
Një fëmijë po e thërriste të ëmën.
Tanoviqi e ktheu edhe një herë vodkën.
Ia përcolli shishen tjetrit, e fshiu gojën me pëllëmbë.
E rrotulloi kundakun e automatikut dhe e goditi vitrinën e picerisë.
Xhami u thye.
Pastaj u hodh dhe, si desperados në filmat e dobët kriminalistikë, e shkrehu një breshëri në brendi të picerisë.
Çukariqi e ndoqi me një breshëri ndaj grave dhe fëmijëve të mbyllur.
Iu bashkuan edhe të tjerët.
Automatikët gjëmonin, vetëm Petroviqi nuk qëllonte.
Ai kalamend dhe volli.
Brenda dëgjoheshin klithmat e fëmijëve të plagosur.
Shyhrete Berisha e ngriti kokën ngadalë dhe pa se Shirine ishte e vdekur.
Se edhe Florijen e kishin vrarë.
Se gjithçka ishte mbuluar me gjak.
Se Sebahatja po i mbante në gji dy fëmijët e saj.
Dëgjoi se djali i Vjollcës, Redoni, po thoshte: “Edhe Doruntinën e vranë, nënë”.
Vajza e Shyhretes, Majlinda, e cila po e mbante në duar vëllain e saj të vogël, bërtiste se ia kishin vrarë motrën, Herolindën.
Djali i Vjollcës, Redoni, po përpiqej të ndihmonte kushërirën e saj, Dafinën, e cila ishte qëlluar nga breshëria dhe mezi po merrte frymë: “O Zot, çfarë më bënë! Çfarë më bënë. Thuajuni të hyjnë, të më vrasin”, klithte Mihrija e re, e mbuluar në gjak.
U dëgjua një breshëri e re dhe klithma pushoi.
Dëgjoheshin vetëm ofshamë dhe psherëtima.
Dikush ia dorëzoi Shyhretes Drilonin e saj dhe ajo ia ofroi një shishe me qumësht.
Fëmija nuk ishte as dy vjeç, nuk po qetësohej me qumësht, po qante gjithnjë e më shumë.
E qara e tij i çmendi policët e dehur.
Një breshëri tjetër u shkreh nëpërmjet vitrinës së thyer.
Tanoviqi e hoqi një bombë nga brezi.
E hapi derën e picerisë, ia hoçi bombës siguresën dhe e hodhi mbi trupat e përgjakur.
Shpërthim, tym dhe erë baruti…
Shyhretja u plagos në dorë dhe në këmbë, edhe u ngulfat nga tymi, por prapë e ngriti kokën.
Pa se Majlinda e saj ishte e vdekur.
Se Sebahates i ishte sakatosur koka, por nuk i pa fëmijët e saj.
Pa se Ismeti, djali i Fatonit, ashtu i plagosur siç ishte, po e thërriste nënën e tij.
E pa edhe të voglin e Sebahates, Eronin.
Tërë i gjakosur po qante.
Shyhretja u përpoq t’ia jepte një shishe me ujë.
Nuk e arriti dot, nuk kishte dorë.
Llëra e dorës së majtë i varej për trupi.
E kapi shishen me të djathtën.
Pi, pi, pi… Qetësohu, mos qaj. Dikush e hodhi edhe një bombë tjetër nëpërmjet vitrinës së thyer. Përsëri shpërthim, më shumë tym dhe aromë baruti. Lokalët i vranë të gjithë Berishët në picerinë “Kalabria”. E kryen detyrën që u ishte dhënë – menduan!
Tetë romë të rinj, të cilët i kishte mobilizuar Repanoviq për t’i ngarkuar në kamion të vdekurit, u tmerruan kur i panë trupat e përgjakur në piceri dhe u nisën të iknin.
Nuk arritën të shkojnë larg.
I kapën dhe ua shpjeguan: “Mos bëni budallallëqe në qoftë se nuk dëshironi të përfundoni si shqiptarët”.
E morën një barelë dhe i bartën trupat e pajetë një nja një deri te kamioni i ushtrisë që ishte parkuar para Qendrës Zejtare.
Të parën e tërhoqën zvarrë nëpër dyshemenë e mbytur në gjak Vjollca Berishën.
E vendosën në barelë, e bartën dhe e hodhën në kamion.
Vrasësit nuk e morën vesh që ajo ishte gjallë!
Dhe djali i saj Gramosi ishte i plagosur vetëm në shpatullën e majtë.
Edhe Shyhretja ishte e gjallë në kamionin e stërmbushur me fëmijët dhe të afërmit e saj të vdekur.
Kamioni i ushtrisë me mbi pesëdhjetë trupa u nis për në Prizren.
Një gropë e madhe, e hapur me ekskavator, në poligonin e qitjes të ushtrisë në Korishë ishte në pritje.
Shyhrete Berisha nuk do të arrijë deri atje.
As Gramosi i vogël.
As nëna e tij Vjollca, e cila kishte frikë të hidhej nga kamioni.
Mendonte se do të ishte më e lehtë të shpëtonte nga varri.
Shyhretja arriti ta bindte dhe Vjollca e mori me vete edhe Gramosin.
Ndonëse ishin të plagosur rëndë, të tre arritën të shpëtonin, duke u hedhur nga kamioni në lëvizje që i po i çonte të dashurit e tyre në varrezën e parë masive.
Policët serbë dhe rezervistët nga Suhareka nuk morën pushim pas masakrës që kryen.
Ata shkuan shtëpi më shtëpi te fqinjët e tyre shqiptarë, për t’u shpjeguar se më mirë do të qe të niseshin menjëherë për në Shqipëri se sa të pësonin sikur Berishët.
(Autori është gazetar dhe shkrimtar nga Beogradi. Romani i tij “E qeshura nën trekëmbësh” është dëshmi tronditëse e regjimit të Slobodan Millosheviqit. Ky shkrim është botuar nga gazeta beogradase “Danas”, më 17 mars 2022)
Përktheu: Ramadan Muçolli