EKSPOZITA E PARË ARTISTIKE: FOTOGRAFIA “MARUBI”, SHKODËR

 GR-Galeria e Arteve– Stamford (CT)

 

Sami Repishti

Stamford, CT.- Te premte mbas dreke, në Galerinë e Arteve, pronë dhe inisiativë e bashkëadhetarëve tonë, çiftit Z. dhe Zja George Pali, u hap ekspozita e fotografisë së mjeshtrave të mëdhaj Pietro dhe Kel Marubbi, dhe e pasardhësit të tyne Gegë Marubbi, pronë e“ Fototekës Marubi” Shkodër, dhe e huazueme nga Galeria e Arteve të Stamfordit. Galeria hapi dyert për publikun –shqiptar dhe të huej-, me 17 mars 2017, dhe ashtë akoma në proçesin e organizimit edhe ma profesional.

   Kjo ekspozite “Life in Images” permban mbi 100 fotografi te koleksionit Marubbi, dhe çfaqet per te paren here ne SHBA. Ndermarrja ashte rezultati i nji bashkepunimi ne mes te Museumit Marubbi, Ministria e Kultures, Tirane, Shqiperi dhe GR Art Gallery ne Stamford, CT. Ekspozita ashte nji nji sukses qe mundeson pamjen e nji bote fantastike te gjanave, e pame nga lenset e tre gjeneracioneve te fotografeve te familjes Marubbi. Galleria GR Art Gallery ashte e vendosun ne adresen: 1086 Long Ridge Road, Stamford, CT. 06903.

   Pa dyshim, ky gjest i kulturuem i çiftit Pali na mbushë me gëzim dhe plotëson nji nevojë të madhe: gjetjen e nji lokali të përshtatshëm për njohjen e elementit shqiptar artdashës, kudo që banon ai, e që kontribuon në fushën e arteve vizuale, njeni nga të cilët ashtë edhe fotografia. Megjithëse ekspozita nuk ka ba reklamimin e zakonshëm për këte ngjarje me randësi për bashkësinë tonë shqiptaro-amerikane, vizituesit ishin të shumtë dhe pa asnji përjashtim, entuziastë për nji punë të këtillë. Për pjesëmarrësit u shtrue edhe nji buffet i pasun. Ceremonia u rregjistrue nga sherbimi i Zërit të Ameriks¨ dhe u transmetue në emisionin e mbramjes të ditës së shtundë.

                                      ***  

   Kush ashtë “Marubbi”(tashti Marubi) firma ma e njohun e fotografisë shqiptare?

    Themeluesi i saj, Pietro Marubbi (1834-1903) arkitekt, amator fotograf nga Piacenza e Italisë, me orientim garibaldin, emigroi në Shkodër,(1850), ku ushtroi mjeshtrinë e fotografit.

    Punimet e para i shohim rreth viteve 1858-1859, vite të turbullta në Shqipëri të karakterizueme me lëvizje e kryengritje të vazhdueshme anti-otomane. Piero Marubbi rregjistroi në film fazat ma të randësishme të kohës së tij: kryengritjen e Mirditës (1876-77), ngjarjet e viteve 1878-81 të Lidhjes së Prizrenit; viteve 1912 dhe pavarësinë e Shqipërisë etj. Fotografitë e tij u përhapën në gazeta të Europës, dhe ndihmuen fuqimisht me terheqë vemendjen e botës së jashtëme mbi gjendjen e mjerueme të vendit tonë, dhe forcimin e idesë së nji shteti autonom në katër vilajete me shumicë popullsie shqiptare –Shkodër, Shkup, Manastir dhe Janinë- si hapi i parë drejt çlirimit të plotë të Shqipërisë dhe themelimit të shtetit të pavarun shqiptar, të njohun ndërkombëtarisht..

   Në Shkodër, italiani Pietro Marubbi zuni vend të përhershëm, dhe themeloi familjen e tij. Nga miqësia me familjen e Rrok Kodhelit, i Zadrimës,Shkodër, ai i bindi prindët dhe mori pranë vetes dy djelmtë e Kodhelit: Matia dhe Mikeli (shqip Kel) që ma vonë mori emnin Marubbi, dhe që ashtë personi krysor.  Kel Marubbi (1870-1940) mbas vdekjes së plakut Pietro, themeloi dhe drejtoi “Studio Marubbi” që luejti rolin e saj historik për ma shumë se 100 vjet.

   Ska dyshim që Kel Marubbi ka ushqye ndjenja atdhetarie të forta për nji Shqipëri të lirë, sepse vetëm nji qendrim i këtill  hapë atij rrugën për kontakte dhe bashkëpunim me udhëheqsit e Rilindjes sonë kombëtare, në përpjekje të përbashkët me luftue planet dhe aksionet anti-shqiptare të otomanëve, serbëve, grekëve, dhe klikave shqiptare pro-turke.

   Kel Marubbi kishte nji armë të fuqishme: fotografinë! Me kameran e tij dhe me profesionalizmin që e karakterizonte, ai rregjistroi personazhe e ngjarje tashma historike, si dhe i vuni ata në dispozicion të shtypit të huej, dhe perfaqsive të hueja në Shqipëri. Ky dokumentacion vizual i Kel Marubbit ka ndergjegjsue shumë personalitete konsullore të vendeve europiane në raportet e tyne pranë qeverive përkatëse. U krijue kështu nji opinion ma i saktë në këto Qeveri për gjendjen e vertetë në vendin tonë, dhe që ndihmoi denoncimin e propagandës otomane për keqtrajtimin e popullsisë shqiptare. Kjo vlen edhe ma shumë sidomos mbas firmimit të marrëveshjes “Kultus-protektorat”, kur qeveria austriake e Vjenës fitoi të drejtën e njohun ndërkombëtarisht per mbrojtjen e hapun të popullsive të besimit të krishtenë. Në nji atmosferë të këtill u sigurue mbrojtja e klerit katolik shqiptar, dhe filloi hapja e shkollave shqipe pa pengesa qeveritare, sidomos nga urdhënat fetare jezuit dhe françeskan, krysisht ne qytetin e Shkodrës (nga e cila përfituen edhe shumë studentë të familjeve myslimane).

   “Me aparat në dorë e pa iu trembur syri,” shkruen studjuesi shkodran Prof. Kaheman Ulqini,” ndoqi e fotografoi ngjarje të randësishme të figurave të tyre të shquara”. Njerëz dhe akte që do të kishin humbë për jetë sikur të mos kishte qenë puna e vullneti atdhetar i të ndjerit Kel Marubbi: “kryengritja e Mirdites,(1877-78), Lidhja e Prizrenit (1878-81), ngritja flamurit në Deçiq (6 prill 1911) ngritja  flamurit në Vlorë (28 nandor 1912) nga patriotë shqiptarë si Pashko Vasa, Abdyl Bej Frashëri, Dedë Gjo Luli, Ismail Qemal Bej Vlora e të tjerë, si dhe pamje të jetës së përditëshme të qyteteve tona në ato vite.

   Merita e të ndjerit Kel Marubbi ashtë edhe aftësia e tij me ngritë nivelin e fotografisë në nivel artistik që përjetëson vepren e tij. Kjo aftësi e ban artin e tij nji vepër klasike. Edhe aty ku ka vuejtje e mjerim e dhimbje ai gjenë elementin thelbësor, dhe me dritë-hijet e rreshtueme me mjeshtri, ai ngren figurën, ose skenën në nivel të së përherëshmes. E na, e nderojmë!

    Fotografia e nji cilësie të këtill nuk ashtë thjeshtë nji kopjim i realitetit. Arti krijohet kur i nisun nga objektivi real, krijon nji realitet të ri, saktësisht objekte artistike, të  aftë me dhanë në nji mënyrë ose nji tjetër që quejmë “kenaqesi” (fr. delectation). Fotografia ashtë njena nga lamijet ku krijohet “realiteti i ri” që bahet, me kalimin e kohës, klasik. Filozofi anglez Francis Bacon shkruente: “arti, ashtë njeriu që i bashkohet natyrës”. Dhe: “Objektet reale, natyra, nuk kanë vlera preçize. Arti ashte përgjigjja e nevojës sonë me gjetë për objektin nji vlerë preçise”.

   Prof. Ulqini ka të drejtë kur shkruen:” Me veprimtarinë e Kel Marubit fotografia shqiptare u ngrit në nivelin e artit”! Ajo përjetësohet!

   Arti (latin: ars-artis) në parim ashtë nji nevojë esthetike “me zbulue” ate që na rrethon. Ashtë nji veprimtari e jona që synon vetëm krijimin e së bukurës, pa asnji qellim tjetër politik ose ekonomik; përndryshe, ashtë “bastardhim” ose “shitje për fitim” (nji orientim shumë i theksuem në botën tonë materialiste). Kjo nevojë për të bukurën plotësohet me krijimtari nga artisti i pakënaqun me mos-persosmëninë e realitetit që jeton; atëherë, artisti gjen frymëzimin me transfigurue realitetin në nji ‘krijim’ që i qëndron kohës, dhe merr përmasat e randësisë klasike.

   Vepra e të ndjerit Kel Marubbi u vazhdue nga djali i tij i ndjeri Gegë Marubbi, i cli ruejti me shumë kujdes “pasurinë” prej rreth 150.000 negativave me vepra të shqueme. Në vitin 1970, familja ia “dhuroi” Shtetit…ashtu si këshillonte koha! Kjo “pasuri” së bashku me koleksione të tjera, formoi “Fototekën e Shkodrës” “sot nji institucion i posaçëm, e qendër e randësishme dokumentacioni për historinë, kulturën, dhe artet tona.”

    Shprehja “talent” për aftësinë e Kel Marubbit nuk ashtë e drejtë, sepse “talenti” ashtë zakonisht inteligjenca e nji mjeshtrie. Per Marubbin duhet përdorë shprehja “gjeni”, naltësia e sentimenteve dhe e mendimeve tona që arrijnë pikën e revelimit, zbulimit të së panjohunës, me nji akt të njiherëshëm dhe të fuqishëm, që nuk përfill pa-aftësinë që e rrethon, dhe pengesat  që e kundërshtojnë!

   Profesori francez, François Germain, e përmbledh kështu: “…Njeriu nuk ashtë kurrë me të vertetë i kënaqun nga bota e realitetit; dëshirohet nji farë kompensimi, ndjehet nevoja me korrigjue botën, ose me imagjinue nji univers tjetër që të ushqej nji prirje ose nji personalitet me dispozicion të kënaqshëm, në se ka mundësi, për nderpremje , dhe për të gjith njerëzimin”.

    Fatmirësisht, kjo veprimtari u zhvillue në të njajtën kohë me ate të arkitektit dhe fotografit-piktor Kolë Idromeno (1860-1939), shkodran ashtu si Kel Marubbi, dhe si ai, refugjat i ikun nga qyteti shqiptar i Artës (sot në Greqi) i persekutuem nga autoritetet otomane. Nga Marubbi, ai kultivoi prirjen e tij për art. Ai ka meritën e organizimit të së parës ekspozitë kombëtare të “Arteve të thjeshta (Tiranë,1931). Idromeno ka ekspozue edhe në Budapest (1900)) dhe në Neë York (1939) e vende tjera. Kompozimi “Dasma Shkodrane” dhe portreti “Motra Tone” jane dy kryevepra të verteta arti në pikturë, dhe njihen mirë si në Shqipëri ashtu edhe në disa qarqe artistike të jashtëme.

   E gjith kjo veprimari tregon edhe nivelin e zhvillimit kulturor të qytetit të veriut në vitet kur Shqipëria flinte gjumin e randë të mbrapambetjes së shkaktueme nga shkëputja me Europën. Fatkeqsisht, kjo Shkodër, qendër kulture e arti, u shtyp keqas nga  nji rregjim që nuk çmonte vlerat dhe meritat e  ktij qyteti të civilizuem.

   Urojmë që çifti Pali, organizatorët e GR Art Gallery-Stamford, të vazhdojnë traditën e tyne të përkahjes së artit shqiptar në Amerikë, edhe në vitet e ardhme. sidomos me përkrahjen e artistëve të rij e premtues. Amen!

———————————————

Note: Marubi Collection is a UNESCO ëorld heritage photographic archive of over 150.000 original negatives depicting scenic landscapes and daily life in Northern Albania betëeen 1850-1940. These historical documents, mostly unedited ëorks and predominantly on silver bromide glass plates, serve a visual memory of the Albanian people’s national identity and cultural evolution.

   The collection was complied over three generations by Pietro,  Kel and Gege Marubi. Pietro Marubi escaped from Italy and founded the photography studio in Shkoder, Albania in 1850. His earliest photographs gained international acclaim, as they ëere published in French, British and Italian journals. Pietro’s assistant Kel, and later on his son Gege, continued the Marubi legacy of capturing the customs ad traditions of Northern Albania.

   Today, this breathtaking collection housed at the national Photo Museum in Shkoder, Albania, makes its debut in the United States at the GR Art Gallery in Stamford, CT. The ëorks presented here portray men and ëomen from all  social classes in their daily life at the end of the 19th century. They reveal a people anchored to their traditions, fierce guardians of their identity, set against the backdrop of the flourishing city of Shkoder.

(Muzeu Kombetar i   Fotografise Marubi)

(GR Art Gallery – Stamford, CT)

(Ministria e Kultures Tirana, Albania)

======================================================