Një grup deputetësh të PD-së kërkojnë edhe tërheqjen e Berishës

Tiranë, 21 mars 2022 – Një grup i deputetëve të Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, bëri thirrje që edhe ish-kryeministri Sali Berisha të tërhiqet nga organet vendimarrëse të partisë.

Thirrja iu adresua deputetëve të pezulluar nga PD-ja për shkak të mbështetjes së Berishës, nga takimi i grupit parlamentar të PD-së me sekretarin e përgjithshëm dhe me dy nënkryetarë të partisë.

Draftin e deklaratës ku bëhet thirrje që Berisha të heqë dorë nga procesi i “ribashkimit” të PD-së e lexoi kryesuesi i mbledhjes, Enkelejd Alibeaj.

Përveç Alibeajt, në mbledhje morën pjesë edhe deputetët: Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Arbi Agalliu, Ina Zhupa, Eralda Tase, Ilda Dhori, Lindita Metaliaj, Dhurata Cupi, Zheni Gjergji, Kreshnik Collaku, Saimir Korreshi, Greta Bardeli, Dash Sula, Selaudin Jaupllari dhe Kastriot Piroli.

Drafti i deklaratës:

  1. Grupi parlamentar i PD vlerëson aktin e dorëheqjes se kryetarit të PD në funksion të zgjidhjes së problematikës që ka shkaktuar një përçarje të thellë nga qendra në bazë.
  2. Grupi parlamentar i bën thirrje anëtarëve të pezulluar të grupit të PD që të ofrojnë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e zotit Berisha, që duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD, duke u bërë pjesë e zgjidhjes për të shmangur përçarjen dhe për të bërë të mundur bashkimin e demokratëve. Kërkojmë respektimin e vlerave dhe parime e statutore të PD për shmangien e pasojave të deklaruara publikisht nga SHBA.
  3. Grupi parlamentar shpreh gatishmërinë për të negociuar me anëtarët e pezulluar të grupit parlamentar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme që sjell ndërprerjen e menjëhershme për t’i dhënë fund përçarjes dhe për t’i hapur rrugë bashkimit. Grupi ngarkon strukturat përgjegjëse për të kërkuar një grup ndërmjetësimi për të lehtësuar komunikimin me një zgjidhje afatgjatë dhe të pranueshme.
  4. Grupi parlamentar vlerëson se pas realizimit të dakordësisë për pikat e mësipërme, i hapet rruga mundësisë për gjetjen e një mekanizmi konsensual në konsultim me institucionet e tjera të partisë me funksion kryesor.

A-Ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë për qëllim bashkimin e demokratëve;

B-Përgatitjen e partisë për zgjedhjet lokale dhe riorganizimin e partisë në bazë. (Pra zgjedhje në bazë dhe fushatë);

C- Përgatitjen e kushteve të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve në të gjitha strukturat drejtuese në qendër menjëherë pas zgjedhjeve lokale.

(r.m.)