Spahiu: Largim Berishës, por jo kryeministër Ramën

“Aleanca Kuq e Zi” manifestoi në Tiranë në Ditën e 1 Majit

 

“Aleanca Kuq e Zi” po manifeston prej 30 minutash kundër qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha. Mijëra mbështetës, simpatizantë dhe veprimtarë të “Aleancës Kuq e Zi” kërkojnë largimin e kryeministrit për shkak të politikave të tij dhe qeverisë, sikurse thonë, në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kryetari i “Aleancës Kuq e Zi”, Kreshnik Spahiu vëren se media pranë qeverisë apo opozitës i ka mbyllur hapësirat e pasqyrimit të veprimtarive. Por, zoti Spahiu thekson se mision është jo vetëm largimi, por edhe ndëshkimi i drejtësisë për kryeministrin pas zgjedhjeve të përgjithëshme të 23 qershorit si dhe bashkimin kombëtar shqiptar: “Koha për ndëshkim po afron! 23 Qershori është shumë i afërt. Nga arresti dhe nga prangat, në kauzën tonë për bashkim kombëtar, në realzimin e aspiratës për bashkimin e shqiptarëve. Përveç shporjes dhe përmbysjes së Partisë Demokratike dhe të ndjerit Berisha, të mos i japim shqiptarëve një “Sali” tjetër! Nuk e japim votën për kryeministër Edi Ramën”!
Protesta zhvillohej qetësisht dhe me garantimin e forcave të rendit dhe sigurisë pa numër të shtuar.

 

Protesta të dobëta të punonjësve

Dita Ndërkombëtare e Punonjësve i gjen kundërthënëse shifrat e qeverisë dhe opozitës për papunësinë dhe mbi të gjitha në organizim të dobët grupimet sindikale. Me disa protesta apo manifestime të vakëta grupet sindikaliste nuk kanë arritur të bëjnë presion ndaj qeverisë për përmirësimin e kushteve të punës dhe veçmas për punësimin. Zyrtarisht në Shqipëri janë 13,5 për qind të papunë.
Protestat në Tiranë i organizoi lëvizja “Mjaft!” dhe Konfederata e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Kryetari Kol Nikolla theksoi problematikën e thellë që ka mosnjohja e të drejtave të punonjësve si dhe vetë lëvizja sindikaliste: “Të bashkohemi rreth sindikatave si të vetmet forca shoqërore promotore të lëvizjes. Të largohemi nga mashtrimet dhe slloganet politike, të cilat i përdorin shqiptarët si ushtarë në rresht për vota, nuk i përdorën për të rregulluar ekuilibrat socialë, për të mirëqeverisur dhe të mirëpaguar. Që, sindikatat të bashkohen, jo disa të qeverisë dhe disa punëtorisë. Të gjithë shqiptarët duhet të kenë vetëm një sindikatë; atë që mbron interesat e tyre social-ekonomike dhe shoqërore”.
Qeveria thotë se në katër vite u hapën 200 mijë vende pune nga 160 mijë të premtuar. Sipas kryeministrit Sali Berisha, papunësia u rrit vetëm 0,5 për qind dhe reformat mbrojtën ekonominë e vendit. Mirëpo, opozita socialiste thotë se duke u mbështetur në shifrat zyrtare të Institutit të Statistikës “INSAT”, në Shqipëri në katër vitet e fundit janë mbyllur 51 mijë vende pune. Sipas opozitës, në Shqipëri ka një milionë të papunë.