Presidenti Bujar Nishani takohet me botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, me qendër në Nju Jork
Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në takim zotin Vehbi Bajrami, botuesi i gazetës së komunitetit shqiptaro-amerikan me qendër në Nju Jork, “Illyria”.
Gjatë bisedës, Presidenti Nishani u përqendrua kryesisht te nisma e ndërmarrë për të bashkuar diasporën shqiptare në botë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për ta shndërruar forumin e diasporës në “Klubin e Miqve të Shqipërisë”, me qëllimin e vendosjes së kontakteve të ndryshme me shqiptarët kudo që jetojnë nëpër botë.
Në këtë kuadër, Presidenti Nishani theksoi se një grup pune me përfaqësues të Kabinetit të tij do të ndërmarrë takime me qëllim organizimin dhe shndërrimin në një traditë të një konference të përhershme të grupit të “Miqve të Shqipërisë”, e cila të mund të organizohet në Tiranë apo në vende të tjera ku jetojnë shqiptarë.
Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe veçanërisht të gazetës së vetme të këtij komuniteti, “Illyria” me qendër në Manhatan, të botuesit dhe pronarit të saj Vehbi Bajrami, si dhe çmoi kontributin e themeluesve dhe botuesve të mëparshëm, Harry Bajraktari dhe Ekrem Bardha, një ndër investitorët më të mëdhenj, më të rëndësishëm dhe i pari që pas rrëzimit të sistemit diktatorial në Shqipëri. Zoti Nishani vlerësoi gjithashtu rolin e shqiptaro-amerikanëve, zotit Bardha dhe shumë të tjerëve në mbështetjen e fuqishme dhe vendimtarë për Shqipërinë dhe veçanërisht për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Zoti Bajrami bëri një pasqyrë të shkurtër mbi përpjekjet e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe zërit të vetëm mediatik që është gazeta “Illyria” në përparimin e çështjes kombëtare.
Zoti Bajrami shprehu gjithashtu gatishmërinë e tij, të gazetës, stafit dhe të komunitetit për të nxitur bashkëpunimin mes të gjithë shqiptarëve në diasporë dhe veçanërisht në SHBA, si zëri më i fuqishëm në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo që jetojnë. Për zotin Bajrami gjithashtu është me rëndësi vlerësimi që i bëri presidenti Nishani rolit të shqiptaro-amerikanëve në mbrojtje të çështjes kombëtare. Botuesi Bajrami garantoi shkueshmërinë më të mirë mes shqiptarëve nëpërmjet bashkëpunimit, afrimit dhe njohjes më të madhe të komunitetit, përfshi të atyre me origjinë arbëreshe.
Korrespondenti i gazetës “Illyria”, në Tiranë, Denion Ndrenika, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në takim, u interesua më pas për mundësinë e përfshirjes së diasporës në nisma të ndryshme apo edhe në mundësinë e ardhshme të paraqitjes dhe përfaqësimit të saj pse jo edhe me deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.