Europianët duhet ta ndëshkojnë Serbinë, ta sanksionojnë, ndoshta me disa sanksione më të ashpra se sa në kohën e luftës në Kosovë. Duhet ta shqyrtojnë vendosjen e disa nga sanksioneve, që ia kanë vënë Rusisë.
T’ia bllokojnë xhirollogaritë Vuçiqit, Daçiqit, Vulinit, shefit të Ushtrisë së Serbisë etj., dhe po ashtu oligarkëvë serbë, mbështetës të regjimit dhe të politikave serbomëdha dhe rusomëdha, të politikave antinjerëzore dhe antishqiptare.
Nuk do të kishte kuptim lufta ndaj Rusisë në thelbin e vet, ndaj ideologjisë sovjetike apo sovjetizmit të udhëhequr nga Putini, ideologjisë rusomadhe dhe të mos goditet, dënohet, po kjo ideologji, po ky rrezik ideologjik serbomadh, që ka vrarë më shumë se një milion shqiptarë, që ka bërë të jetojnë të dëbuar më shumë se 5 milionë sot, kryesisht në Turqi, ti gllabërojë tri territore shqiptare sa të Kosovës, dhe të asimiluar në serb, mbi 2 milionë shqiptarë dhe rreth një milion në “boshnjak”.
Nuk mund të lejohet një inkonsekuencë e tillë. Shqiptarët duhet t’i përqendrojnë kërkesat e tyre në faktet e tyre historike, që provojnë dhunën sistematike serbe, krimet shtetërore shekullore, gjë e cila nuk nënkupton thjesht histori, numra dhe fakte, por borxhe dhe detyrime ndaj shqiptarëve, madje edhe vendime të papërmbushura që nga Kongresi i Berlinit, për kthimin e shqiptarëve në trojet e tyre pas dëbimit, dhe kthimin e pronave.
Lufta në Rusi, fatmirësisht i riktheu këto konvenca thelbësore të demokracisë, dhe të vetë kulturës Perëndimore dhe njerëzore përgjithësisht. Atëherë ato të shtrihen, zbatohen në brendi të Evropës, në Ballkan.
Si mund të zgjidhet kthimi i pronave?
Është e pakuptimtë, që Perëndimi të njëjtën ideologji ta luftojë në Ukrainë, pushtimin rus, dhe në vetë Rusinë, nëpërmjet sanksioneve, dhe që për të njëjtën ideologji të shpërblehet Serbia, duke e kushtëzuar Kosovën me lëshime të reja apo me presion për të mbajtur zgjedhje të paligjshme në Kosovë, të cilat kërkon dhe kërcënon ende t’i mbajë një regjim paralel ‘rus’ në Beograd, i cili mbështetet nga Rusia, dhe e mbështetet (Serbia) veç tjerash në ideologjinë ruse.
Putini dhe Rusia tenton ‘botën ruse’, Vuçiqi dhe Serbia tenton ‘botën serbe’!
Perëndimi duhet t’i jap fund kësaj politike, dikotomie dhe të kërkojë pastrimin e këtyre politikave dhe mendësive në Ballkan, sipas modelit rus dhe të Kremlinit.
Thelbi i konfliktit është i njëjtë.
Kosova është e ndërtuar mbi modelin kulturor perëndimor, jo vetëm si shtet, por edhe si politikë, kulturë, identitet.
Serbia është e ndërtuar mbi modelin politik ruso-lindor, si shtet, si ortodoksi (angazhim politik fetar), si politikë, dhe si model kulturor thuaja në tërësi.
Perëndimi duhet ta mbështesë modelin e vet Kosovën, dhe jo modelin rus, Serbinë!
Kam shkruar edhe në një rast tjetër, se kthimi i pronave, mund të bëhet sipas modelit izraelit, i cili në fakt kërkon prona, edhe në trojet joautoktone, si në Spanjë, e deri në Serbi dhe në Kosovë (me Marrëveshjen e Uashingtonit), ndërsa ne e kemi edhe faktorin kyç të autoktonisë.
Zgjedhjet në Serbi
Serbia si duket qëllimisht e ka planifikuar mbajtjen e zgjedhjeve në muajin prill, sipas një skenari sekret të zhvilluar me Rusinë. Ishte zgjedhur kjo kohë, që Serbia të vepronte në Bosnje dhe në Kosovë, në kohën që Rusia do të luftonte në Ukrainë, pasi edhe kjo ngjarje do të ketë qenë e planifikuar me kohë.
Por, ajo që nuk po korrespondon me skenarin është, zhvillimi negativ i ngjarjeve në Ukrainë, ku pas më se 30 ditë luftimesh, ushtria ruse jo vetëm që ka ngecur, por ka filluar të përballet edhe me kundërsulme të suksesshme të Ukrainës.
Kjo ka bërë që të rritet agresiviteti rus, dhe të intensifikojë raketimet dhe bombardimet, mbi caqet civile, infrastrukturën nga ajo e institucioneve ushtarake e politike, deri tek spitali e teatri, nga çerdhet dhe shkollat, tek depot ushqimore dhe të furnizimeve të tjera, një luftë nga më makabret dhe më primitivet nga rusët.
Nga përdorimi i raketave, tek bombat thërmuese dhe termborike, e deri tek helmet kimike dhe biologjike, të përdorura ende në masë të kufizuar, me kërcënime për zgjerim të përdorimit të tyre.
Këto sulme, paralajmërimet për përdorime të helmeve kimike dhe biologjike, si në Siri apo edhe më keq, e kanë shtyrë edhe presidentin amerikan të jetë i ashpër, në një fjalim në Poloni, nga më të ashprit, ndoshta në më shumë se 30 vjet.
Biden e quajti Putinin, një kasap, që më jo vetëm nuk e meriton, por nuk duhet lejuar të qeverisë me Rusinë.
Eksperti austriak i ekonomisë Gunther Fehlinger, i cili është marrë me çështje të zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në BE, por me fokus në Kosovë, Shqipëri dhe Ukrainë, thotë se në Serbi zgjedhjet po ofrojnë një tmerr, pasi kandidatët prorus janë favorit dhe madje tmerrues.
“Zgjedhjet serbe më 3 prill 2022 po ofrojnë një tmerr të tmerrshëm të kandidatëve pro rusë – ndoshta kam bërë një kalim kohe pas në vitet 1990? A mund të më godasë dikush që të zgjohem nga ky makth?”, shkruan në tviter Gunther Fehlinger, i cili shërben si anëtar bordi i Grupit të Veprimit për Integrimin Ekonomik Rajonal (AGREI) të Ballkanit Jugor, si dhe koordinon një rrjet për reformatorët tatimor të quajtur Evropianët për Reformën Tatimore etj.
Ai këto vlerësime i bën duke bërë një selfie para një bilbordi të prorusit Ivica Daçiq, ish kryetar i Kuvendit të Serbisë, së fundi.
Ky mesazh duhet të kuptohet dhe të përcillet nga diplomacia perëndimore, dhe të mos lejojë të ndodhë, ajo që vetëm se është duke ndodhur në Serbi, një fitore ruse, në zemër të Evropës!