Kryetari i deputetëve socialistë Gramoz Ruçi thotë se “topi” është në dorë të shumicës qeveritare
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përsëriti thirrjen për opozitën socialiste që të vojë tri aktet ligjorë që kërkon Komisioni Europian për vlerësimin e Shqipërisë me statusin e vendit “kandidat” për anëtarësim në Bashkimin Europian. Zonja Topalli thotë se çështja e mandatit që kërkon opozita të kryetarit të Qarkut të Fierit është “sebep” për të bllokuar votimin e ligjit për Administratën Publike, për Gjykatën e Lartë si dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Ju ftoj të votojmë 3 ligjet e integrimit. Nuk mund të besoj që socialistët dhe demokratët të mos bashkohen për integrimin. Ju ftoj të bëjmë detyrën tonë”- tha zonja Topalli.
Mirëpo, kryetari i deputetëve socialistë Gramoz Ruçi thotë se “topi” është në dorë të shumicës qeveritare. “Mos e kërkoni topin në fushën tonë, e keni në fushën tuaj. Mos kërkoni të lini përgjegjësinë këtej”-tha zoti Ruçi.
Ai më pas propozoi mbajtjen e 1 minute heshtje në nderim të ish-deputetit socialist Fatmit Xhindi, i cili u vra katër vjetë më parë në hyrje të shtëpisë së tij në Roskovec të Fierit. “Pikërisht sot në datën dy, para katër vitesh është vrarë një kolegu jonë dhe katër vite në pushtet nuk zbuluat asgjë. Këtu ai ka djalin e tij, i cili sot nuk është në sallë, ka shkuar atje të vendosë lule në varrin e të atit”-tha zoti Ruçi. Kryekuvendarja Topalli foli gjithashtu me plot respekt për të ndjerin Xhindi, ndërsa Kuvendi mbajti heshtje: “Shprehim dhimbjen më të madhe dhe i kërkojmë prokurorisë të bëjë detyrën. Edhe njëherë i bëjmë ngushëllime familjes, ai ishte koleg i yni”.
Sakaq, Kuvendi miratoi datën 25 maj për të mbyllur mandatin katërvjeçar të zgjedhjeve të vitit 2009. Në mungesë të opozitës, 71 deputetë votuan për datën 25 maj. “Legjislatura e XVII-të e Kuvendit të Shqipërisë do të mbyllet më 25 maj 2013”-tha zonja Topalli.
Seanca plenare miratoi gjithashtu disa projektligje si dhe Kodin Penal, ligjin për legalizimin e ndërtimeve informale të pas vitit 2006, i cili u shqyrtua javën e kaluar nga komisionet e Kuvendit me procedurë të përshpejtuar si dhe ligjin për krijimin e fondit të kompensimit të pronave.
Denion Ndrenika