Nga Zëri i Amerikës
Presidenti amerikan Barack Obama shkon sot në Meksikë, ndalesa e parë e udhëtimit të tij tre ditor, që synon të forcojë lidhjet tregëtare me këtë vend, si dhe për të diskutuar mbi reformën e imigracionit në Shtetet e Bashkuara, kërcënimet e sigurisë dhe trafikun e drogës me fqinjët e jugut.
Zoti Obama do të takohet me presidentin e ri të Meksikës Enrique Pena Nieto për bisedime që do të vënë theksin tek e shtimi i lidhjeve tregtare mes dy vendeve.
“Tema kryesore do të jetë ekonomia. Ne kemi shpenzuar shumë kohë për çështjet e sigutrisë mes Shteteve të Bashkuara e Meksikës e ndonjëherë mendoj se kemi harruar se Meksika është një partner i madh tregtar që ka një përfaqësim të madh biznesi dhe një numër shumë të madh vendesh pune në të dy anët e kufirit. Ne duam që këto marrëdhënie të thellohen dhe të gjejmë mënyra për të ruajtur dhe përmirësuar këtë dialog ekonomik për një periudhë të gjatë”.
Shtëpia e Bardhë thotë se marrëdhëniet e sigurisë mbeten të rëndësishme, përfshirë këtu përpjekjet për luftën ndaj karteleve të drogës. Zoti Obama thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë përmirësuar bashkëpunimin mes tyre gjatë viteve të fundit, por ky bashkëpunim ka vend për përmirësime të mëtejshme.
Në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se 30 milionë shtetas amerikanë me origjinë meksikane. Shtëpia e Bardhë po thekson gjithashtu edhe marëdhëniet kulturore me fqinjin jugor.
Zoti Obama ka në plan të mbajë një fjalim në Muzeun Kombëtar Antropologjik në qytetin e Meksikos të premten, përpara se të niset për në Costa Rika.
Ai do të takohet në Costa Rika me presidenten Laura Chinchilla dhe do të marrë pjesë në një konferencë për zhvillimin ekonomik me udhëheqësit e Amerikës Qendrore. Zoti Obama thotë se Shtetet e Bashkuara duan të sigurohen që vendet e rajonit të integrohen edhe më shumë me njeri tjetrin, për të përmirësuar ekonominë dhe sigurinë e popujve të tyre.