Selah Hennessy
Qeveria italiane ka dhënë urdhër për një proces hetimor lidhur me akuzat për racizëm në faqe interneti të ekstremit të djathtë, ku thuhet se janë bërë komente ofenduese ndaj ministres së parë me ngjyrë në kabinetin italian.
Kabineti i ri italian bëri betimin të dielën dhe Cecile Kyenge mori postin e ministres së integrimit.
Ajo është me origjinë nga Republika Demokratike e Kongos dhe u vendos në Itali tre dekada më parë. Zonja Kyenge ka tashmë shtetësinë italiane, është e martuar me një italian me të cilin ka dy fëmijë.
Por faqe elektronike të ekstremit të djathtë kanë vendosur një numër komentesh ofenduese kundër anëtares së parë me ngjyrë në kabinet.
Në një faqe, ajo përfshkruhet si “majmuni kongolez”.
Të mërkurën, qeveria dha urdhër për zhvillimin e një procesi hetimor lidhur me këto site. Ministrja e re e mundësive të barabarta Josefa Idem, e cila dha urdhër për hapjen e procesit, i cilësoi komentet si “epitete të ndyra raciste”.
Komente të tilla për zonjën Kyenge nuk janë shfaqur vetëm në internet.
Gjatë një interviste radiofonike, politikani italian Mario Borghezio i Ligës Veriore, duke folur për kabinetin e ri përdori frazën “qeveria bonga bonga” dhe tha se afrikanët nuk kanë treguar material të mirë gjenetik.
Politikanë të tjerë italianë kanë shprehur kritika për ato që i cilësojnë si “vulgaritete raciste”.
Andrea Mammone është ekspert i politikave evropiane në Universitetin e Londrës. Ai thotë se komentet e bëra nga Liga Veriore nuk janë për t’u habitur: “Nuk është diçka e çuditshme kur bëhet fjalë për Ligën Veriore. Ata gjithmonë kanë qenë kundër imigracionit dhe kjo grua nuk është me origjinë nga Italia”.
Liga Veriore ka qenë në të kaluarën aleate e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.
Por zoti Mammone thotë se pikëpamjet e kësaj partie përfaqësojnë vetëm një pjesë të opinionit publik në Itali dhe nuk flasin medoemes për racizëm në shkallë të gjerë: “Këto komente tregojnë ksenofobinë që ushqejnë disa persona dhe parti të caktuara. Por kjo ndjenjë nuk ka përhapje të gjerë, është fenomen i ekstremit të djathtë në Itali”.
Zonja Kyenge shfrytëzoi komentet në Twitter të martën për t’iu përgjigjur ofezave. Ajo tha se çdo kritikë ka vend nëse bëhet me respekt.