Kiev / Moskë, 30 mars 2022 – Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka thënë të mërkurën se është optimist pas bisedimeve me palën ruse në Stamboll.
“Jam optimist për rundin e negociatave në Stamboll”, ka thënë Podolyak.
Ai ka thënë se sistemi i propozuar i garancive për sigurinë e Ukrainës, i cili do të ofrohet në këmbim të neutralitetit, do të vendoset në referendum, vetëm pasi trupat ruse të tërhiqen nga pozicionet që i kanë mbajtur para nisjes së pushtimit në Ukrainë.
Por, Kremlini i ka minimizuar shpresat se në bisedime është bërë përparim.
“Ne nuk mund të themi se ka pasur diçka shumë premtuese apo ndonjë përparim”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Megjithatë, ai ka thënë se Moska e konsideron “pozitive” faktin që Kievi “ka filluar që t’i shkruajë kërkesat e veta”.
“Ne po shmangim me kujdes deklarimet për çështjet” që janë diskutuar në bisedime, sepse “ne besojmë se negociatat duhet të bëhen në heshtje”, ka thënë Peskov.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se ndonëse sinjalet fillestare nga bisedimet për paqe kanë qenë “pozitive”, ato nuk kanë parandaluar sulmet ruse.
Në një adresim në orët e mbrëmjes më 29 mars, Zelensky ka thënë se shteti i tij mund t’iu besojë vetëm rezultateve konkrete të negociatave.
Ai është zotuar se Ukraina nuk do të zvogëlojë “përpjekjet për mbrojtje”, pasi ushtria ruse ka ende kapacitet për të kryer sulme.
Po ashtu, Zelensky ka bërë thirrje për kujdes ndaj deklatave të Rusisë se është duke zvogëluar operacionet afër Kievit, duke thënë se kjo nuk nënkupton dhënie fund të luftimeve.
“Situata nuk është bërë më e lehtë”, ka thënë ai.
Një negociator rus ka paralajmëruar se zotimi i Rusisë për shtensionim nuk do të thotë “armëpushim”.
Në bisedimet e Stambollit Ukraina ka paraqitur propozimet e saj për paqe. Ato përfshijnë miratimin e një statusi të neutralitetit për mosanëtarësim në aleanca ushtarake në këmbim të garancive të sigurisë. Ndërkaq, Moska tha se do të zvogëlojë sulmet në Kiev dhe Çernihiv.
(Sipas REL)