Varshavë, 30 mars 2022 – Polonia njoftoi të mërkurën për planet e saj që t’i japë fund të gjitha importeve të naftës ruse, deri në fund të vitit.
“Ne po paraqesim planin më radikal në Evropë për shkëputjen nga nafta ruse deri në fund të këtij viti”, tha Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, në një konferencë shtypi.
Vendimi vjen një ditë pasi Polonia njoftoi se po i ndalonte importet e qymyrit nga Rusia.
Zoti Morawiecki u bëri thirrje vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që të bëjnë të njëjtën gjë, duke yheksuar se paratë me të cilat pagugen nafta dhe gazi rus po e forcojnë makinerinë ruse të luftës.
Polonia e ka marrë rolin udhëheqës ndër vendet e Bashkimit Evropian për shkëputje të shpejtë nga varësia prej karburanteve fosile ruse. Blloku e 27 shteteve ka refuzuar të përfshijë në sanksione importet e naftës nga Rusia, por ka paralajmëruar masa për shkëputje nga varësia e energjentëve rusë. BE-ja planifikon t’i reduktojë për dy të tretat importet e gazit rus deri në fund të vitit dhe t’i eliminojë ato tërësisht përpara vitit 2030.
Varshava e ka reduktuar varësinë nga nafta ruse edhe përmes kontratave me Arabinë Saudite, me Shtetet e Bashkuara dhe me Norvegjinë. Ajo po e shqyrton edhe mundësinë e importeve nga Kazakistani.
Ajo po e zgjeron infrastrukturën e depozitimit të gazit të lëngshëm, për të pranuar dërgesa nga Katari, Shtetet e Bashkuara, Norvegjia dhe vendet tjera eksportuese. Një gazsjellës i ri në Baltik, që sjell gaz nga Norvegjia pritet të hapet deri në fund të vitit.
Gjermania, ekonomia më e madhe e BE-së dhe një nga vendet më të varura nga gazi natyror i Rusisë, ka nënshkruar marrëveshje me disa furnizues të gazit të lëngshëm. Zyrtarët gjermanw thonë se ata synojnë t’i japin fund përdorimit të naftës dhe të qymyrit rus këtë vit, ndwrsa pwrdorimit tw gazit natyror kah mesi i vitit 2024.
BE-ja thotw se po u kthehet investimeve në energjinë e rinovueshme, e cila shihet si zgjidhje afatgjatë.
(Sipas Zërit të Amerikës)