Nga Frank Shkreli
Komuniteti shqiptaro-amerikan humbi edhe një prej aktivistëve më të dalluar të tij dhe më të dedikuar ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi, për më shumë se një gjysëm shekulli. Inxhinier Agim Karagjozi ndërroi jetë fund javën që kaloi në moshën 92-vjeçare dhe u varros të mërkurën më 4 prill në varrezat Pinelawn në Farmingdale të Nju Jorkut. Në një njoftim të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra të Amerikës — të cilën ai e drejtoi si Kryetar i saj për dy dekada – thuhet se i ndjeri Agim Karagjozi ndërroi jetë në një spital në Long Island të Nju Jorkut, duke lënë në pikëllim Zonjën Rozi, djemtë Zyhdinë dhe Shpëtimin, vajzën Angel, motrën Bukuroshe, vëllanë Vesim, mbesën Miranda (Telegrafi) nipin Armand (Vincani), si dhe shumë nipa e mbesa, kushërinj e familjarë të shumtë në SHBA dhe në Shqipëri.
Kush ishte Agim Karagjozi? Sipas biografisë zyrtare të botuar në gazetën Dielli, Agim Karagjozi lindi në Gjirokastër, me 1 shtator 1926. Arsimin fillor e nisi në qytetin e Lindjes, ku kreu katër klasat e para ndërsa klasën e pestë e vijoi në Vlorë. Në vitet 1938 –1944 vazhdoi shkollimin në liceun e Korçës, në gjimnazin e Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës. Edhe pse i ri u përfshi në Luftën e Dytë Botërore, ku u bë pjesë e Ballit Kombëtar dhe u aktivizua me Rininë e Ballit, në vitete 1943-1944, kryesisht, në sektorin e propagandës, por mori pjesë në luftë edhe me armë në dorë, duke shkuar deri në Kosovë, verën e vitit 1944 si vullnetar në batalionin “Besnik Çano”, që shkoi në Kosovë për të luftuar kundër forcave të Mihajloviçit në Qafë të Morinës. Agim Karagjozi
Si shumë bashkohas të tij, anëtarë të Ballit Kombëtar dhe nacionalistë të tjerë, në nëntor të vitit 1944, largohet nga Shqipëria me shumë bashkluftarë të vet dhe pas pothuaj katër vitesh qendrimi në kampe refugjatësh në Itali, bashkë me babanë, emigruan në Turqi. Nga viti shkollor 1948–49 deri në qershor të 1955, Agim Karagjozi ndoqi studimet në kolegjin amerikan Robert College në Stamboll të Turqisë, ku u diplomua në inxhinieri, dega elektrike.
Përfundimisht, ashtu si shumë bashkvendas të tij anti-komunistë, në vitin 1956, vendoset në Amerikë. Që nga viti 1960, bëhet pjesë e Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe nga viti 1992-2010, ishte edhe kryetar i saj, ndërkohë që pat drejtuar edhe degën nr. 29 të kësaj Federate në Nju Jork, thuhet në portretin e përgatitur nga Kryeredaktori i Diellit, Dalip Greca. Në mars të viti 2010, për arsye shëndetësore, ai dha dorëheqjen si kryetar dhe Vatra e zgjodhi president nderi.
Përjetoi më shumë se gjysëm shekulli jetën si vatran aktiv dhe udhëheqës i saj dhe si anëtar i nderuar i komunitetit shqiptaro-amerikan. Njohu Imzot Nolin, përfaqësoi vatranët e Nju Jork-ut dhe Nju Xhersit në ceremoninë zyrtare të varrimit të Imzot Nolit dhe udhëhoqi fondin për ndërtesën e Vatrës. Ishte mik i presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, mik i heroit të Demokracisë Shqiptare Azem Hajdari, i presidentit të parë demokrat të Shqiptarëve Dr. Sali Berisha etj. Në kohën e luftës së Kosovës, megjithse në moshë të shkuar, me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë vatranë – sikur donte të përfundonte misionin e tij të filluar në Kosovë në vitin 19944 ku shkoi për të luftuar forcat sllave — shkojnë deri në Tropojë, ku u takuan me luftëtarët e plagosur të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, dhuruan ndihma në medikamente dhe të holla për Luftën Çlirimtare të Kosovës. Më kujtohet me një rast në Washigton ku kishte ardhë për të marrë pjesë në takimet e shumta me zyrtarë të lartë amerikanë gjatë krizës në Kosovë, përfshir Presidentin Klinton siç mund të shihet në fotografinë më poshtë – i ndjeri Karagjozi më tha se edhe “Unë jam Kosovar, megjithse kam lindë në Gjirokastër”. Ishte një mbështetës i fuqishëm i proceseve demokratike në Shqipëri e Kosovë, megjithse më në fund edhe ai – si shumë ne të tjerët në këtë vend – dhe si patriot që ishte, shkoi i zhgënjyer për mungesën e përparimit drejtë demokracisë dhe integrimeve të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike, madje pothuaj 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe 10-vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ishte një njeri dhe patriot, që edhe po të kishe ndonjë kundërshtim me ‘të, të bënte ta doje dhe respektoje për parimet dhe atdhedashurinë që ushtronte vet dhe të cilat përpiqej, deri në ditët e fundit të jetës së vet – me shembullin e tij — t’ua kalonte këtë frymëzim edhe brezave të ri në Vatër dhe në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan.
Në këtë frymë ishte edhe pjesëmarrja e tij në takimin me Presidentin Klinton në Shtëpinë e Bardhë për të inkurajuar administratën amerikane të asaj kohe dhe për të sensibilizuar politikën amerikane në pëgjithësi, përfshirë Kongresin amerikan, që të ndërhynte për të penguar shtypjen e përgjakshme nga forcat terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Në një shkrim kushtuar Agim Karagjozit me rastin e vdekjes, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe shprehet se ish-kryetari i Vatrës i ka dhënë intrevista të shumta VOA-s shqip, në të cilat Zoti Karagjozi ka shprehur dëshirën që Shqipëria të njihte përparim në rrugën e re të demokracisë dhe inkurajonte shqiptarët e Amerikës që të ndihmonin me të gjitha mjetet atdheun që po rilindëte. Ai do të mbahet mend për shpirtin atdhedashës, që shërbeu si frymëzim për anëtarët e Vatrës dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ai dha një ndihmesë të dorës së parë për ruajtjen e vazhdimësisë së Vatrës dhe organizoi punën që gazeta e saj “Dielli” të dilte pa ndërprerje, megjithë vështirësitë financiare. Të gjithë ata shqiptaro-amerikanë që e njohën atë, qoftë për së afërmi qoftë për së largu, janë dakort me vlerësimin e radios se, “Agim Karagjozi do të mbahet mend si njeriu i përkushtuar, që luftoi deri në fund për të bërë detyrën ndaj atdheut, edhe në rrethanat më të vështira.”
Në këtë frymë edhe unë, si dashamirës i kahmotshëm i Agim Karagjozit si dhe i shumë bashk-kohasve të tij, të cilët megjithse larg dhe të përbuzur për 50-vjet nga komunizmi, qëndruan përkrahës të ndritur të çështjes kombëtare shqiptare anë e mbanë trojeve tona – marr pjesë në pikëllimin e familjes së tij dhe të mbarë komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara për humbjen e madhe me zhdukjen nga kjo jetë e inxhinier Agim Karagjozit –me ndjenjat më të gjalla miqësie, ndërkohë që i dërgoj përdhimtimet e mia më të sinqerta familjes së tij të ngushtë dhe mbarë farefisit këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri.