Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) tha se po përpiqet të rrisë efiçencën dhe t’ia ulë barrën e punës gjithë sistemit të emigracionit të ligjshëm. USCIS-i do të caktojë objektiva të reja për zvogëlimin e “kapicave” [të çështjeve të prapambetura] në mbarë agjencinë, të fusë në proçedurë të përshpejtuar edhe disa lloje të tjera formularësh si dhe të punojë për të përmirësuar dhënien në kohë të autorizimeve për punë. Për shkak të pandemisë së COVID-19-ës si dhe shtrëngesave të “rubinetëve” nga administrata e mëparshme, USCIS-i ka trashëguar një numër të ndjeshëm çështjesh të mbetura pezull si dhe një rritje të kohës së proçesimit. USCIS-i po punon që njëkohësisht të ulë ngarkesat dhe kohën e proçesimit të çështjeve, si dhe t’u ofrojë peticionerëve dhe aplikantëve shërbim efikas dhe të drejtë.
Zvogëlimi i “kapicave” të çështjeve që presin vendim
Për të zvogëluar numrin e çështjeve që janë pezull, këtë muaj, USCIS-i ka caktuar objektiva të reja që kanë të bëjnë me ciklin e brendshëm kohor. Këto objektiva janë sistemi matës i brendshëm që shërben për t’i dhënë drejtim përpjekjeve nga ana e USCIS-it për zvogëlimin e numrit të çështjeve të prapambetura si dhe që luan rol në kohën që i nevojitet agjencisë për të proçesuar një çështje të caktuar. Përmirësimi i cikleve kohore, pasohet nga përmirësimi i kohëve të proçesimit dhe kjo bën që peticionerëve dhe aplikantëve t’u vijnë më shpejt vendimet e marra mbi çështjet përkatëse. Që të arrijë objektivat e reja që i ka vënë vetes përpara mbarimit të vitit fiskal 2023, USCIS-i do të rrisë kapacitetin e punës, do të përmirësojë teknologjinë në përdorim si dhe do të zgjerojë personelin. Koha e proçesimit të nxjerrë nga USCIS-i tregon kohën që i duhet mesatarisht USCIS-it për të proçesuar një formular të caktuar – pra koha nga momenti i paraqitjes së aplikimit deri në momentin e marrjes së vendimit për atë aplikim. Për monitorimin e çështjeve që janë pezull, USCIS-i përdor një sistem të vetin matës që quhet “koha e ciklit”. Koha e ciklit mat se sa muaj nevojiten për çështjet e paraqitura përmes një formulari të caktuar, të cilat janë në pritje të një vendimi. “Koha e ciklit” është treguesi të cilit i referohen sektorët operacionalë të USCIS-it kur duan të vlerësojnë progresin që po bën ose jo agjencia në zvogëlimin e numrit të çështjeve të prapambetura si dhe të kohës së proçesimit të çështjeve në përgjithësi.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) nxorri një rregullore përfundimtare që harmonizon rregullat lidhur me proçesimet e përshpejtuara me amendamentin e USCIS-it lidhur me proçesimet e përshpejtuara dhe tarifat përkatëse, të quajtur Emergency Stopgap USCIS Stabilization Act. Rregullorja në fjalë kodifikon tarifat e proçesimeve të përshpejtuara si dhe afatet kohore për marrjen e vendimeve të parashikuara nga Kongresi amerikan. Aktualisht, shërbimi që ofron proçedurë të përshpejtuar (premium processing) u ofrohet vetëm atyre peticionerëve që kanë paraqitur formularin I-129, Petition for a Nonimmigrant Worker si dhe peticionerëve të caktuar që kanë bërë kërkesë për vizë me bazë punësimi nëpërmjet formularit I-140, Immigrant Petition for Alien Worker. Rregullorja përfundimtare e lartpërmendur zgjeron numrin e kategorive të formularëve që kualifikohen për shërbim proçesimi të përshpejtuar, duke përfshirë aty formularin I-539, Application to Extend/Change Nonimmigrant Status (për shtyrje/ndryshim të statusit joemigrues), formularin I-765, Application for Employment Authorization (për leje pune); si dhe klasifikime shtesë të formularit I-140. USCIS-i synon të fillojë vënien në zbatim në mënyrë graduale të sa më lart duke u ofruar proçesim të përshpejtuar gjatë vitit fiskal 2022 formularëve I-539, I-765 dhe I-140. USCIS-i do t’i përmbahet gjithashtu kërkesës nga Kongresi që shtrirja e mundësisë për proçesim të përshpejtuar të mos sjellë rritjen e kohëve të proçesimit për çështjet e zakonshme të emigracionit. USCIS-i ka ndërmend ta nisë vënien në zbatim në mënyrë graduale të zgjerimit të proçesimit të përshpejtuar duke filluar me aplikantët që kanë paraqitur formularë I-140 në klasifikimin EB-1 (si drejtues ekzekutiv apo administrator i një multinacionaleje), apo atë EB-2 (si punonjës me titull të lartë në një profesion të caktuar apo me aftësi të jashtëzakonshme që kërkon waiver në emër të interesit kombëtar).
Lehtësira në marrjen e dokumentit të lejes së punës
USCIS-i po vazhdon të shënojë progres në implementimin e rregullores së përkohshme që synon rritjen e përkohshme të shtyrjes në mënyrë automatike të periudhës gjatë së cilës është e vlefshme leja për të punuar për disa aplikantë që duan të rinovojnë këtë leje. Rregullorja në fjalë njihet aktualisht si “Temporary Increase of the Automatic Extension Period of Employment Authorization and Documentation for Certain Renewal Applicants”. Gjatë muajve të fundit, USCIS-i e ka bërë shumë më efikas proçesin e marrjes së lejes së punës (EAD), qoftë duke shtyrë afatet e skadimit të këtyre dokumentave, qoftë duke ofruar proçedura të përshpejtuara të rinovimit të lejeve për punësim për personat e punësuar në fushën e mjekësisë dhe të kujdesit për fëmijët. Rregullorja e përkohshme në fjalë ka si qëllim vazhdimësinë në rrugën e progresit si dhe t’u garantojë personave të caktuar që nuk do ta humbasin lejen për të punuar në SHBA sa kohë që aplikimet e tyre janë në pritje të një vendimi.
Aplikimet dhe peticionet
Shtyrje të mëtejshme të afateve për t’iu përgjigjur kërkesave për më shumë dokumenta si dhe vendimeve që hedhin poshtë aplikime apo peticione të paraqitura.
Përpara se të ndërmarrë një veprim përfundimtar, USCIS-i do të pranojë të shqyrtojë ato përgjigje që i kanë mbërritur brenda 60 ditëve kalendarike duke filluar nga data e caktuar që gjendet në një nga njoftimet apo kërkesat e paraqitura mëposhtë, gjithnjë nëse kërkesa apo njoftimi është lëshuar dikur brenda periudhës nga data 1 mars, 2020 deri më 25 korrik, 2022. Në këto kategori aplikimesh dhe kërkesash përfshihen:
- Request for Evidence;
- Continuation for Request for Evidence (N-14);
- Notice of Intent to Deny;
- Notice of Intent to Revoke;
- Notice of Intent to Rescind;
- Notice of Intent to Terminate regional centers; dhe,
- Motion to Reopen an N-400 under certain circumstances.
USCIS-i do të pranojë të marrë në konsideratë formularin I-290B, Notice of Appeal or Motion, apo formularin N-336, Request for a Hearing on a Decision in Naturalization Proceedings nëse formulari është paraqitur brenda 60 ditëve nga dita e dhënies së vendimit dhe nëse ky vendim u mor nga USCIS dikur brenda periudhës nga data 1 nëntor, 2021 deri më 25 korrik, 2022.
USCIS parashikon që kjo do të jetë ndoshta shtyrja e fundit për lëshime të kësaj natyre.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]