Lulzim Basha ka qenë deri tani një përjashtim në politikën shqiptare. Një gërshetim i cilësive personale, me një mbështetje të pakursyer nga kreu i Partisë Demokratike si dhe me një loj fati në rrugëtimin e tij politik, Basha ka mundur të dëshmojë se mund të jesh i suksesshëm në politikën shqiptare pa qenë nevoja të tregohesh arrogant dhe ofendues në komunikimet publike.
Po suksesi i tij i deritanishëm për të mos rënë në batakun e politikës shqiptare mund të jetë duke skaduar.
Përplasja e tij me një këshill bashkiak që papritmas ka ndërruar kahun e peshores politike do të jetë provimi që do të tregojë nëse Basha është një përjashtim që paralajmëron një të ardhme ndryshe të politikës shqiptare, apo një aksident i përkohshëm, që është i destinuar të shuhet ashtu si të tjerët.
Shenjat e para nuk janë zemërdhënëse. “Kryengritja” e të majtës në Këshill, pavarësisht nëse e moralshme apo jo, është legjitime.
Është ndoshta e padrejtë që e LSI kryeqytetase “ndëshkon” Kosovrastin për inat në të Sali Berishës. Problemet në rangun kombëtar mund të mos ishin përcjellë në nivelin bashkiak, ku bashkëpunimi ka qenë i frytshëm. Të paktën, jo nga LSI, e cila është lavdëruar në këto katër vite si partia “esëll” e politikës shqiptare. Ajo që pretendon se vendimet i merr vetëm nisur nga interesat e integrimit, stabilitetit dhe përparimit.
Po pavarësisht nga ky veprim zhgënjyes për ata që i kanë besuar vërtet retorikës së LSI-së, anëtarët e saj në Këshillin Bashkiak, kanë të drejtë të votojnë në krahun tjetër e të ndryshojnë kryetarin e Këshillit.
Të ndryshosh bravat e derës e të sekuestrosh dokumentacionin, siç ankohen ata se ka ndodhur, për të mos lejuar “kryengritjen” e tyre, nuk është veprim normal. Vullneti i tyre politik është më i rëndësishëm se salla aktuale në të cilën mblidhen për ta shprehur.
Basha ka vite përpara tij, në të cilat do të bashkëjetojë me këtë prirje politike në Këshillin Bashkiak. Është një shans për të që të tregojë aftësinë e tij për të qeverisur dhe udhëhequr në pozita të pafavorshme. Qeverisja nëpërmjet kompromisit trajtohet si dobësi në Shqipërinë e deritanishme, por ajo është pikërisht vlera që i ka munguar Shqipërisë në këto 22 vite pluralizëm.
Sigurisht, të këqiat vijnë bashkë. Intoleranca në qeveri, në këto 22 vite, është gërshetuar me opozitë destruktive e nihiliste. Por sjellja pozitive e toleranca është po aq infektuese.
Basha ka ditur të qendrojë mbi rregullat e politikës shqiptare, në sajë të një numri avantazhesh që ka pasur. Tani është koha që ta tregojë veten edhe në disavantazh. Ky është kontektsti që kalit politikanët më të mirë.
Kritikët e tij, sidomos në radhët e opozitës, e akuzojnë se ka gëzuar mbështetjen e pakursyer të Sali Berishës dhe ia mohojnë arritjet personale në politikë. Po historia e çdo politikani të njohur në botë është histori që fillon me mbështetjen e një udhëheqësi të fuqishëm të kohës. Rasti më i fundit, ai i rishikimit të karrierës së gjatë të Xhulio Andreotit në Italinë fqinje. Pa përkrahjen e favorizimin e De Gasperit të famshëm, Andreoti nuk do të kishte pasur avantazhin që gëzoi ndaj politikanëve të moshës së tij.
E majta ka arsye ta sulmojë Bashën. Asnjë politikan shqiptar i këtij brezi dhe i kësaj epoke, nuk gëzon përvojën e pazakontë si ministër i Brendshëm dhe ministër i Jashtëm. Basha është tashmë familjar me të gjitha aspektet e një kabineti qeveritar. Me qeverisjen e Tiranës, edukimi i tij politik quhet i mbaruar. Kredencialet e tij janë të padiskutueshme. E majta ka arsye të shohë te ai udhëheqësin e ardhshëm të Partisë Demokratike dhe ta godasë paraprakisht. Jo më kot, ai është rënduar më shumë se kushdo me akuza, në të kaluarën, nga korrupsioni për Rrugën e Kombit te ngjarjet e 21 Janarit, pavarësisht nga mungesa e provave konkrete. Fakti që fitorja e fundit në zgjedhje ishte kundër kryetarit Edi Rama shton arsyet për ta sulmuar dhe për t’i ndjellë dështimin.
Për këto arsye e të tjera, Basha do të ketë përballë tij, në këto vite të ardhshme, çdo paranojë të mundshme politike që mund të sajohet në nivelin e qeverisjes së kryeqytetit. Më së paku ata do të përpiqen ta detyrojnë Bashën të tregohet se nuk ka ndryshim nga politikanët e tjerë. Po nëse kryebashkiaku i Tiranës ka një vizion për jetën e tij politike, ai duhet të shohë drejt horizontit e jo të hutohet nga betejat e vogla lokale.
Ai duhet të dëshmojë se është në gjendje të bashkëjetojë me kundërshtitë. Ta mirëpresë me kuriozitet negativitetin dhe të komunikojë me të.
Kjo nuk do të jetë e lehtë. Pikërisht ndihma e pakursyer që i ka ardhur deri tani nga kreu i PD-së mund të kthehet në një borxh të bezdisshëm nëse Berisha nuk pranon rëndësinë që Basha të jetë i lirë të bëjë zgjedhjet e veta. LSI e ka sjellë sherrin e nivelit kombëtar në nivel bashkiak. Berisha nuk duhet të bëjë të njëjtën gjë. Ai nuk duhet ta detyrojë Bashën të reflektojë politikat e nivelit kombëtar, por të ruajë si përparësi interesat e kryeqytetasve.
Në zgjedhjet e ardhshme lokale, Basha do të ketë rast të përplaset në mënyrë totale me të majtën duke synuar të fitojë një shumicë të re në Këshillin Bashkiak. Deri atëhere, numrat janë ato që janë dhe Basha duhet të mësojë si të shijojë bezdinë e qeverisjes me duar të lidhura, udhëheqjen me kompromis. Kjo më shumë se të gjitha përvojat e tjera në postet më të larta të shtetit, do ta përgatisë atë që të bëhet një nga udhëheqësit e ardhshëm të Shqipërisë.