“Më thonë qenkan revoltuar foltorexhinjtë e Vlorës se dashkan transparencë për projektin e Sheshit të Flamurit!”-shkruajti kryeministri Edi Rama
Knid Ndrenika
Kryeministri Edi Rama i shpërfilli ata që i quajti “foltorexhinj” për organizimin e protestave për transparencën e projektit të Sheshit të Flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.
Në një reagim në tuiter kryeministri lidhur me organizimet në Vlorë për protesta tha se “Sheshi i Flamurit do të jetë një tjetër spektakël urban në Vlorën e Rilindur”.
“Më thonë qenkan revoltuar foltorexhinjtë e Vlorës se dashkan transparencë për projektin e Sheshit të Flamurit”.
Fjalën “foltorexhinj” zoti Rama e përdor rëndom me ironi për mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha në përplasjen e brendshme të Partisë Demokratike opozitare.
Sipas zotit Rama, protestuesve “u duket kolonata si stacion autobusësh e duan shembjen e hotelit të tyre fantazmë, që arkitekti i famshëm belg e kthen në qendrën më të madhe social-kulturore të vendit”!
Ai shton se “nuk u vë faj se as nuk dinë as nuk bëjnë dot gjë tjetër përveç përshesheve me baltë, po Sheshi i Flamurit do të jetë një tjetër spektakël urban në Vlorën e Rilindur, që mezi pres ta shoh të realizuar me gjithë qendrën social-kulturore, e cila do t’i japë Vlorës një përmasë të re”!