Kamberi kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Luginë të Preshevës

Preshevë, 5 prill 2022 – Politikani shqiptar në Luginë të Preshevës, Shaip Kamberi, kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, komuna në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës.

Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, tha se këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të, siç tha, pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

“Shumë shqiptarëve u është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar. Kjo e bënë procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira”, tha Kamberi përmes një postimi në Facebook.

Prandaj, ai tha se “zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës”.

Këshilli Kombëtar Shqiptar, institucion i vetëqeverisjes i komunitetit shqiptar në Serbi, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se deri në fund të vitit të kaluar në këtë institucion ishin paraqitur rreth 6,000 qytetarë të komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të cilëve iu ishin pasivizuar adresat.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi më 2021 tha se Serbia, në mënyrë që të ulë sa më shumë që të mundet numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug të shtetit, po kryen një proces të quajtur “pasivizimi i banorëve shqiptarë” që jetojnë jashtë Serbisë, qoftë në Evropën Perëndimore apo në Kosovë.

“Kjo masë, në thelb, është një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”, thuhet në raportin e Komitetit të Helsinkit.

Sipas Komitetit të Helsinikt, kur adresa e banimit pasivizohet dhe hiqet nga libri amëz në Serbi, ” ai person praktikisht pushon së ekzistuari”.

“Ata nuk mund të rinovojnë letërnjoftimin ose pasaportën e skaduar, të regjistrojnë makinën, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor ose shërbime sociale, të blejnë ose shesin prona, ose të votojnë në zgjedhjet lokale ose të përgjithshme”, thuhet në raportin e këtij institucioni.

Beogradi zyrtar, në përgjithësi, nuk e ka komentuar çështjen e pasivizimit të adresave. Por, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në muajin shkurt 2021, ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Marija Obradoviq, ka folur për pasivizimin e së drejtës së votës, duke thënë se kjo ndodh kur nga inspektimet në terren të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, konstatohet se vendbanimi i personave nuk është në adresën që e kanë paraqitur.

Kamberi tha se Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9,644. Ai tha se këto vota ende nuk garantojnë se shqiptarët kanë fituar një mandat në Parlamentin e ri serb.

Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13,000 vota.

Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, u tha se janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Rreth 20,000 shqiptarë raportohet se kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme.

Në zgjedhjet presidenciale, sipas rezultateve paraprake, ka fituar presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq në ato parlamentare ka fituar partia e Vuçiqit, Partia Përparimtare Serbe.

(REL)