Tiranë, 9 prill 2022 – Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se Kosova është një ndër prioritet e Shqipërisë gjatë mandatit të saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ajo ka theksuar se Shqipëria do të lobojë në çdo takim e në çdo rast për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe për liberalizimin e vizave.
“Është një çështje që e ngremë në çdo takim bilateral duke lobuar për njohje e për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Është një çështje që e ngremë me forcë e pa u lodhur me BE-në dhe vendet anëtare, duke denoncuar me forcë padrejtësinë që i bëhet Kosovës duke e izoluar në mes të Europës pa mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave. Është një çështje që e kemi prioritet të punës tonë në Këshillin e Sigurimit ku po punojmë pa u lodhur jo vetëm për sa i përket pakësimit të raportimeve të UNMIK në Këshill, por edhe për të zgjeruar marrëdhëniet me ato vende, si për shembull në Afrikë, ku procesi i njohjeve nuk ka ecur mbarë e ku ende duhet shumë punë”, ka thënë Xhaçka gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste.
Siç është e vetëkuptueshme, Xhaçka e ka mbrojtur nismën “Ballkani i hapur”, e cila mbështetet fuqishëm nga kryeministri Edi Rama. Ajo ka thënë se “Ballkani i hapur” nuk është nismë paralele me Procesin e Berlinit. Madje, sipas saj, “Ballkani i hapur” ndihmon përshpejtimin e proceseve integruese që parashihen me Procesin e Berlinit.
“Puna që po bën Shqipëria në rajon në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal, e posaçërisht puna për nismën Ballkani i Hapur, ka shkaktuar shqetësim tek një pjesë të forcave politike e të shoqërisë shqiptare në rajon, të cilat e kanë kuptuar këtë nismë si një zbehje të mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën. E vërteta, pa dyshim, s’është kjo, sepse Kosova për ne është e shenjtë, ashtu siç është e shenjtë kauza e shqiptarëve në rajon. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe ka dy pjesë. Në njërën anë, kjo nismë është një mekanizëm që zbaton e përshpejton proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit. Përshpejtim i cili sjell përfitime konkrete për të gjithë rajonin, përfshirë shqiptarët”, ka theksuar Xhaçka.
(Sipas ATSH)