Pasi Austria hoqi dorë nga rezistenca BE mund të negociojë tani me Zvicrën për një marrëveshje fiskale. Për këtë ranë dakord ministrat e financave të BE-së. Ajri po bëhet gjithnjë e më i rrallë për evazorët fiskalë.
Pas një konflikti disavjeçar ministrat e financave të BE-së ranë dakord të martën (14.5.) të nisin negociatat me Zvicrën dhe katër vende të tjera joevropiane, për një marrëveshje për tatimin e të ardhurave nga interesat. Deri para pak kohësh Austria kishte rezistuar, pasi donte të mbronte sekretin bankar në vend dhe nuk donte t’u përcillte shteteve të tjera të dhëna për klientët e bankave.
Ministrja austriake e Financave Maria Fekter, deklaroi para fillimit të takimit të ministrave të Financave në Bruksel, se tani ajo do të “zhbllokojë” dhe do të bashkohet me shumicën brenda BE-së, që synon masa më të forta kundër evazionit fiskal.
Më parë kishte lëshuar pe edhe Luksemburgu, i cili gjithashtu fillimisht refuzonte përcjelljen e të dhënave bankare. Mandati i negociimit që mori tani Komisioni i BE-së nga ministrat e financave, nuk është formuluar plotësisht. Duket se negociatat nuk duhet të rëndohen me kërkesa konkrete.
Maria Fekter, në takimin e ministrave të Financave në Bruksel
Objektivi është që Zvicra të pranojë të marrë pjesë në një këmbim automatik të të dhënave bankare. Atëherë të ardhurat nga kapitali e para së gjithash nga interesat, që merren nga një llogari në Zvicër apo një tjetër parajsë fiskale në Evropë, do t’i njoftoheshin autoriteteve fiskale në vendin e origjinës të titullarit të llogarisë, ku dhe do t’i nënshtrohen tatimit.
Brenda BE-së ekziston që prej vitit 2005 një këmbim automatik i të dhënave në 25 nga 27 vendet anëtare. Deri tani atë e kundërshtonin vetëm Luksemburgu dhe Austria. Objektivi i qartë i ministrave të financave të BE-së është ta ngrenë këtë lloj krahasimi të dhënash në nivelin e një standardi global.
Në këtë përpjekje ata morën së fundi mbështetje edhe nga Azia: Singapori njoftoi të martën (14.5.) në mënyrë të papritur se dëshiron të marrë pjesë në këmbimin e të dhënave fiskale. Me vendimet e Brukselit dhe Singaporit, shtohet trysnia ndaj Zvicrës për të zbutur sekretin e saj bankar.