Alibeaj: Me Berishën, PD rrezikon të izolohet nga SHBA-të

Tiranë, 16 prill 2022 – Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se disa prej deputetëve të këtij grupi kanë kërkuar që në draftin e plaformës për bashkimin e partisë të përfshihej dhe një dispozitë që do t’ia pamundësonte ish-kryeministrit Sali Berisha të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së.

Ai tha se në mbledhjen e së shtunës këto kërkesa nuk kanë gjetur mbështetjen e të gjithë deputetëve që e kanë firmosur draftin.

“Kishte edhe disa kolegë që kërkonin që të specifikohej që Sali Berisha nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar, apo dy kolegë të tjerë që kërkonin të specifikohej që Sali Berisha duhet të kthehej në Grupin Parlamentar. Por, të gjitha këto çështje, sa kohë nuk kishin dakordësinë e shumicës së deputetëve që propozojnë dhe e mbështesin këtë qëndrim, nuk mund të përfshiheshin në këtë qëndrim të shumicës së Grupit Parlamentar. Megjithatë, këto cështje janë të hapura për t’u diskutuar në një moment tjetër, me frymë mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirje”, tha Alibeaj pas mbledhjes së grupit parlamentar.

Ndërkaq, në një intervistë për News 24, ai tha se vendimi që Berisha të jetë apo të mos jetë pjesë e grupit, nëse s’do të merret nga ai vetë, duhet të merret nga demokratët.

“Unë kam menduar që Berisha, edhe për shkak të pozicioneve, në një moment, mes interesit personal dhe interesit të demokratëve do të zgjidhte këtëtë të dytin… Por, sipas meje, nuk ka zgjidhje më të mirë sesa vlerësimin të ta japin demokratët, pavarësisht se çfarë ka ndodhur me SHBA”, tha ai.

Por, Alibeaj tha se qëndrimi i Berishës në grupin parlamentar të PD-së do të dëmtonte marrëdhëniet e partisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak  se ai është shpallur person “non grata”.

“Di të them se ka një dizenjim të dhënë nga SHBA, nga Departamenti i Shtetit, dhe kjo mjafton për të kuptuar se çfarë dëmi i shkakton marrëdhënies së PD-së dhe demokratëve me SHBA-të. Pra, nëse vijon kjo situatë në këtë pikë, PD-ja rrezikon të izolohet nga SHBA-të, të kthehet në bunker. Kjo është arsyeja përse kërkohej një hap pas nga Berisha”, tha ai.

“Nuk është aspak mëkat për një politikan apo për një lider historik që të ndërmarrë apo të bëjë hapa pas”, theksoi Alibeaj.

(r.m.)