Del për herë të parë në veprimtari politike që kur humbi garën presidenciale vitin e kaluar: Votë për socialistët e vërtetë, jo njerëzve të Edi Ramës
Edi Rama falenderoi bashkëpunëtorët, ndërsa ish-kryeministri i vitit 1997 Bashkim Fino tha se largimi i Malajt do t’i kushtojë PS-së
Denion Ndrenika
Largimi i Arben Malajt nga PS, kandidimi i tij i mbështetur nga Fatos Nano dhe reagimet për këtë zhvillim jo të papritur, mbajnë ndezur debatet parazgjedhore në Shqipëri.
Nano
Fillimisht, ish-kryeministri Fatos Nano shpalli daljen në fushatën zgjedhore për 23 qershorin, krah kandidatit të pavarur Arben Malaj, i cili nuk është në listën për deputetë të Partisë Socialiste. Zoti Nano u shfaq për herë të parë në një veprimtari politike që kur vetëkandoi për president thuajse saktësisht një vit më parë. Disa herë ministër në 1997-2005 Arben Malaj do të garojë në Qarkun Vlorë, ku për Partinë Socialiste u caktua Koço Kokëdhima, botues i gazetës “Shekulli”, biznesmeni i njohur si mbështetës i zotit Rama. Zoti Nano ishte me Malajn në konferencë të përbashkët për gazetarë pas përfundimit të regjistrimit të kandidatëve të listave partiake.
Ish-kryeministri socialist theksoi se duhen votuar socialistët e vërtetë dhe jo njerëzit e kryetarit Edi Rama: “U falenderoj që jeni kaq të vëmendshëm ndaj çudive që po ndodhin. Arben Malaj kandidat i pavarur! Fatos Nano në mbështetje të një kandidati të pavarur! Ky është një mesazh i fuqishëm që të gjithë të bëhen të pavarur nga klanet e errësirës. Nëqoftëse votat e socialistëve të Vlorës do të shkojnë tek Arben Malaj dhe jo te Koço Kokëdhima, kjo është përgjegjësi e Ramës, jo e jona”.
Malaj
Zoti Malaj shpjegoi vendimin që mori për t’u zgjedhur deputet në shërbim të socialistëve. Ai foli ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi të gjithë dokumentacionin dhe e vlerësoi të rregullt, për kandidimin e tij si i pavarur. “Është ndjenjë e përgjegjësisë dhe koha do të jetë gjykatësi më i mirë. Për ta mbrojtur Partinë Socialiste nga tendencat neodiktatoriale në organizimin dhe drejtimin e saj, gjë që i ka kushtuar rëndë gjatë tetë vjetëve në opozitë. Po, vendimi i Ramës nuk është marrë dje. Ka dy vjet që në mënyrë graduale me instiktet e tij, ka kërkuar që gjithnjë e më tepër unë të mos jem kontribues i proceseve demokratizuese që ka Partia Socialiste dhe në mbështetje të sfidave të vendit tim”.
Socialistët u përfshinë nga tensionet pasi veç zotit Malaj, u përjashtuan edhe kundërshtarë të tjerë të kryetarit Rama, ndërsa u kandiduan mbështetës të tij, që nga Peshkopia në verilindje, deri në Gjirokastër në jug të vendit.
Fino
Ndërkohë, Bashkim Fino, ish-kryeministri socialist, por tërheqës që bëri për vete shumëkënd kur drejtoi Qeverinë e Pajtimit Kombëtar në vitin 1997, nuk e fshehu pakënaqësinë për largimin e zotit Malaj. Ndonëse me kujdes për të mos lënë shteg për debate, zoti Fino theksoi se PS-së do t’i kushtojë ky zhvillim.
Duke shprehur keqardhje siç tha “për këdo që nuk është përfshirë në listat e kandidimit”, zoti Fino vërejti se “kur ka një vendim kolegjial, absolutisht ai duhet respektuar. “Personalisht mund të më vijë keq për këdo, jo vetëm për atë, por edhe për kolegë të tjetër që ishin në grupin parlamentar dhe sot nuk janë të përfshirë, dhe sot nuk janë të përfshirë. Por kjo nuk do të thotë se ne po punojmë sot për të dhënë pagën 70 apo 75 deputetët dhe ish-deputetë kolegë të mi janë pjesë e skuadrës dhe do bëjnë pjesë në struktura të tjera të shtetit, qoftë këtu ekzekutivin apo struktura të tjera”-tha zoti Fino.
Megjithëkëtë Fino theksoi se “nuk janë zgjedhje personale, por të studiuara nga zyra e organizimit elektorale sepse të ishte ndryshe të gjithë do të kishim bërë zgjedhje vetëm personale dhe do kishim kandiduar aty ku donim ne”.
Mirëpo, ish-kryeministri Fino theksoi gjithashtu se do të ishte më me vend që zoti Nano të mbështeste PS-në në këto çaste: “Zoti Nano këtë radhë të paktën duhet të rreshtohet në ekipin fitues të PS, sepse ka 8 vjet që Shqipëria po rrënohet nga qeveria aktuale dhe do ishte në nderin e tij nëse ai do të rreshtohet në ekipin fitues të PS”.
Rama
Kryetari socialist Edi Rama reagoi gjithashtu për këtë çështje. Në rrjetin shoqëror “facebook” zoti Rama i shprehu mirënjohje atyre që treguan se përkatësia politike s’lidhet me karrigen. “Kam shumë mirënjohje sot për disa protagonistë të Partisë Socialiste që nuk u përfshinë në skuadrën e re kombëtare të Partisë Socialiste, Et’hem Ruka, Gazmir Bizhga, Arben Isaraj, Eltar Deda, Qemal Minxhozi, Astrit Beci, Skënder Hasa… Individë me personalitet dhe kontribute në PS të cilët publikisht apo privatisht, pavarësisht se as mund të ishin e as mund t’u kërkohet të jenë dakord me mospërfshirjen e tyre në skuadrën e re, një gjë e shprehën pa asnjë ekuivok: Partia Socialiste mbetet familja e tyre politike dhe fitorja e Partisë Socialiste mbetet qëllimi i tyre”-komentoi zoti Rama. Megjithatë, ai veçoi disa emra të lënë jashtë listave, por pa përmendur zotin Malaj: “I falenderoj sepse tregojnë që s’janë të gjithë njësoj dhe që përkatësia politike nuk është e lidhur me karrigen ku ulesh. I falenderoj sepse edhe pse u duhet të durojnë, atë që asnjë lojtar i vlefshëm nuk e duron dot pa trazim të brendshëm kur s’mund të jetë në kuadratin e fushës, prapëseprapë nuk po e humbasin as këtë rast për të treguar vlerën që ka për ta skuadra jonë dhe që anasjelltas, kanë ata për skuadrën tonë. I falenderoj edhe sepse pavarësisht rezervës që padyshim krijohet në një rast të tillë ndaj vendimmarrjes, nuk e kanë cënuar asnjë fije këtë vendimmarrje me qëndrimet e fjalët e tyre të rastit. FALEMINDERIT në emër të të gjithë socialistëve e progresistëve shqiptarë!”- shkruan Rama.