Sipas një historie të familjes, im atë po kthehej një ditë nga puna dhe duke ecur në rrugicën ku banonte dëgjon me habi që buçiste “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe. Kjo iu duke e çuditshme se në Shqipërinë komuniste, ky ishte një nga programet më të urryera.
Të dëgjoje apo të komentoje në publik “Zërin e Amerikës” ishte një krim i pafalshëm që sillte shkatërrimin e jetës së “kriminelit” dhe familjes së tij. Ata që mund të ishin të pranishëm në momentin e komentimit apo citimit të këtij burimi, gjithashtu ishin në rrezik. Që të kumbonte në rrugë ishte me të vërtetë e habitshme.
Sa më shumë afrohej te dera e shtëpisë, aq më qartë dëgjohej emisioni, derisa im atë e kuptoi me tmerr se vinte pikërisht nga shtëpia e tij. Nxitoi këmbët dhe kur hyri brenda pa babain e tij (gjyshin tim) me kokën pranë radios që dëgjonte i qetë zërin e spikerit që kumbonte. Im atë nxitoi dhe uli zërin e radios e pastaj i tha: “Ti e dëgjon për vete apo ia transmeton lagjes?”
“Ç’thua”, iu përgjigj gjyshi, “kjo dreqkë nuk ka zë hiç. E ngrita zërin deri në fund e prapë asgjë nuk dëgjoj”. Gjyshi tashmë në të 70-at e kishte humbur pothuajse fare dëgjimin, por jo zakonin për të ndjekur emisionin e preferuar.
Ikur emigrant në SHBA, në fillim të shekullit, i mbetur në Shqipërinë gjatë një vizite se e zuri Lufta e Dytë Botërore e pastaj regjimi izolues komuniste, gjyshi kishte mbetur një filoamerikan i përmalluar. Do të ishte ndoshta gabim të thuhej se e dëgjonte radion nga që urrente komunizmin. Familja e babait tim ishte e persekutuar në shumë drejtime, por mania e gjyshit pas “Zërit të Amerikës” ishte më shumë nga malli për gati tri dekadat e kaluara në këtë anë të Oqeanit.
Nuk mund të thuhej e njëjta gjë për mua, nipin e tij, që vite më vonë, se bashku me shokët e gjimnazit përgjonim emisionet e “Zërit të Amerikës”, për arsye tejekëput politike, duke pritur shenjat për ndryshimet e mëdha. Në bindjen tonë, “ata andej” i mësonin gjërat shumë më parë se ne që jetonin në një vend pa media të lirë, me njerëz të frikësuar dhe spiunë e denoncues vullnetarë.
Kur gjyshi vdiq në 1979, unë isha tepër i vogël për të ditur se çfarë ishte “Zëri i Amerikës” apo për historinë e tij në SHBA. Duhej të kalonte gati një dekadë që nipi i tij të rifillonte traditën e dëgjimit besnik të ekos të Botës së Lirë, në brigjet e bunkerizuara të Shqipërisë komuniste.
Shqipëria ishte deri në fund një vend pa disidentë. Një lloj Koreje e Veriut në Europë, me një regjim të pasionuar stalinist, me njerëz sadistë dhe pa karakter në aparatet e diktaturës.
Ishte një vend në të cilin ishte gati e pamundur të hyje dhe shumë më e vështirë që të dilje. “I gjithë populli ushtar” thoshte një parrullë e dikurshme në kohën e komunizmit, që supozonte se nëse do të vinte dita që do të sulmohej atdheu, i gjithë populli, jo vetëm ushtria e vendit do të ngrihej për të luftuar.
Ky besim i regjimit nuk u provua ndonjëherë se askush nuk u lodh të sulmonte Shqipërinë, por një gjë ishte e sigurtë: që të gjithë ruanin njëri-tjetrin, në një atmosferë frike e dyshimi. Sigurisht që shumëkush mbyllte një sy e një vesh, por në tërësi, diktatura kishte arritur me dhunën e saj çnjerëzore të ishte e panishme edhe aty ku nuk kishte asnjë spiun e ushtar. Frika e auto-censurës, që i bën njerëzit të druhen edhe kur janë me veten e tyre është stadi më i lartë i çfarëdo diktature.
E megjithatë, kjo diktaturë që dukej se nuk mund ta rrezikonte asgjë, ishte qartazi e tmerruar nga ringjallja e viktimës së saj të parë: fjalës së lirë. Megjithë, bunkeret e telat me gjemba, fshatarët kufitarë të inkuadruar në një sistem të pakapërcyeshëm mbrojtjeje, zhurmuesit mediatikë dhe fqinjtë me vësh të stërvitur, duket se asgjë nuk arrinte ta ndalonte dot, depërtimin e asaj që as nuk duhej përshpëritur: Mendimi Ndryshe.
Vetëm ata që kanë jetuar në diktatura të tilla, që kanë njohur vetminë e tmerrshme të të qenit normal e njerëzor, e dinë vlerën e një zëri të tillë depërtues, siç ishte në atë kohë për shumë shqiptarë “Zëri i Amerikës”. Komunistët tmerroheshin mbase nga ideja se lajmet e “Zërit të Amerikës” ishin sinjale të koduara për sulme diversantësh, thirrje për rebelim masiv e përgatitje për sulm nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO.
Po për shumë dëgjues besnikë, aspekti politik ishte vetëm një përmasë e kësaj pranie të largët e të afërt. Në thelb ishte jo thjesht anti-komunizmi, apo anti-enverizmi, por shëndeti moral e mendor, ai human dhe shpirtëror. Besimi te vlera që shkojnë përtej kallëpeve ideologjikë e etikë që impononte regjimi.
Të mbijetoje mendërisht, shpirtërisht e moralisht në kushtet e një regjimi si Shqipëria enveriste nuk ishte e lehtë. Të shumtë janë ata që e humbën atë luftë, ndonëse në fund u bënë anti-komunistë e flasin sot nga mëngjezi në darkë kundër komunizmit. Ishte një sistem indoktrinues e formues i jashtëzakonshëm, sa që ndonëse ka skaduar me kohë, ka lënë pas karaktere e mentalitete, retorika e mënyra sjelljeje që vështirë se do të ndryshohen kollaj, që transformohen e trashëgohen në mënyra të jashtëzakonshme e që do të jenë me ne edhe shumë kohë më vonë.
Sot, kur shqiptarët festojnë e nderojnë 70-vjetorin e “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, është e natyrshme që fitorja kundër komunizmit të zërë vendin kryesor të vëmendjes duke harruar apo duke mos vënë re diçka shumë më të madhe se kjo arritje politike e historike, mbijetesën e moralit dhe shpresës në një vend ku antimorali të induktohej bashkë me mësimin e alfabetit. Është e natyrshme dhe e falshme që harrrohet mbase prania si një shok i fshehtë e mirëkuptues në formën e një zëri të largët, atëhere kur askush nuk mendonte se do të kishte një të nesërme ndryshe.
Ajo që mbahet mend e nderohet është zakonisht periudha e fundit të viteve 80, atëhere kur edhe unë fillova të dëgjoj “radion e gjyshit”. Ishte koha që kur tregoje të nesërmen në shkollë se çfarë kishe dëgjuar te “Zëri i Amerikës” nuk i bëje më të tjerët që të iknin si të terrorizuar por që të mblidheshin rreth teje me admirim. Kur guximi filloi përsëri të dukej si virtyt e jo si çmenduri apo perversitet.
Kjo është edhe periudha kur zëri i Elez Biberajt dhe personazheve të tjera të VOA-s u bënë masivisht familjarë për shqiptarët e të gjitha moshave. Periudha kur Ismail Kadare e figura të tjera të shoqërisë shqiptare thonin nga “Zëri i Amerikës”ato që nuk mund të thuheshin në forumet publike shqiptare.
Kemi shkruar kaq shumë herë për këtë periudhë e për këtë rol. Në erën e ndryshimeve që fryu në Europën Lindore, një rol të jashtëzakonshëm luajti “Zëri i Amerikës” dhe emisioni në gjuhën shqipe ndikoi në Shqipëri si mbase në asnjë vend tjetër komunist. Aty ku fjala e lirë ishte më shumë tabu, aty ajo edhe kumboi në mënyrën më të jashtëzakonshme.
Por, sot në 70-vjetorin e Programit të Gjuhës Shqipe të Zërit të Amerikës, ia vlen të ndalemi edhe në ato dekada të humbura kur nuk kishte asnjë dritë në fund të tunelit. Në kohën kur dikush mund të mendonte se fryma që shpenzohej nga mikrofonët e largët ishte më shumë për të shfryrë dufin e inatin sesa që do të kishte ndonjë ndikim real. Në kohën kur ishte mbase normale që njerëzit të mendonin se nuk do të kishte regjim tjetër në Shqipëri. Breza të tërë të lindur në komunizëm, pa përvojën e një bote tjetër, pa dyshimin se kishte diçka tjetër përtej mureve të propagandës zyrtare.
Si në ato filma me anije që mbeten në ishuj të pabanuar, në mes të oqeanit, apo të kozmosit. Në pritje të një sinjali çfarëdo në radiomarrëse jo vetëm me shpresën për të shpëtuar, por edhe thjesht për të besuar se kishte ende jetë diku tjetër.
Asnjëherë ndoshta, as në fund të viteve 80 dhe sigurisht as në kohën e sotme, emisionet e “Zërit të Amerikës” në shqip nuk do të kenë të njëjtën vlerë. E as që duam që të kenë më të njëjtën vlerë. Ishte një epokë të cila shpresojmë se nuk do të rikthehet më kurrë, ndonëse aftësia e njeriut për të shpikur regjime të tmerrshme mbetet e jashtëzakonshme.
Në vitin 1991, ndonëse vetëm 20 vjeç, pata fatin të isha pjesë e një prej grupeve të para të shqiptarëve që u ftuan në SHBA. Një nga vizitat e para, po me aq interes sa Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi Amerikan ishte në zyrat e “Zëri të Amerikës” ku punonte ekipi shqiptar. Kujtimi është i paharrueshëm. Vetëm pak kohë më parë mund të na kishin dënuar me burg, vetëm se i dëgjonim në radio këta njerëz. Tani ishim të lirë t’i njohnim personalisht, të bisedonim me ta e të shkëmbimin mendime.
Njeri prej gazetarëve më të njohur të “Zërit të Amerikës” në atë kohë, Idriz Lamaj na shoqëroi gjatë gjithë vizitës njëmujore në SHBA. Gjithësekush, në grupin tonë, që përfshinte edhe figura të tilla si Azem Hajdari dhe Eduard Selami, u intervistua një ose dy herë, gjatë kësaj vizite. Kështu përfundova, që të flisja edhe vetë i intervistuar në radion që dikur im gjysh dëgjonte me mundim por me pasion edhe në ditët e fundit të jetës.
Kush mund ta kishte imagjinuar në kohën e tij? Sikur të kishte qenë ende gjallë e të më kishte dëgjuar. Nuk mundem as që ta marr dot me mend se çfarë efekti emocional do të kishte pasur një gjë e tillë tek ai. Sa të pabesueshme kthesat kapriçioze të fatit të njerëzve dhe kombeve.
Sot, kur komunizmi ka gati çerekshekulli që është rrëzuar në Shqipëri, ajo që është vështirë për t’u besuar është që ka qenë ndonjëherë ndryshe. Sot, nuk janë më kërcënimet e shtetit që rrezikojnë dëgjueshmërinë e emisioneve si VOA në shqip, po larmia e burimeve, mbingopja nga informacioni, shndërrimi i pandalshëm i teknollogjisë dhe formave të medias, rënia e edukimit dhe interesit, plogështia qytetare e banalizimi i vlerave.
Shqipëria dhe shqiptarët janë edhe në skaj të një bote që ndryshon. Përvoja e “Zërit të Amerikës” mund të tregohet ndryshe nga shqiptarët që kanë jetuar në ish-Jugosllavi. Prania e shqiptarëve në pesë shtete ballkanike është vetëm një nga treguesit e rëndësisë që kanë ata për stabilitetin dhe paqen në këtë rajon që nuk ngropet së prodhuari histori. Që shqiptarët janë pro-amerikanët më të thekur të botës nuk mjafton për të thënë se tani “Zëri i Amerikës” e ka realizuar misionin e tij dhe nuk është më i nevojshëm. Çdo brez e nis edukimin e tij nga fillimi dhe forma të reja esktremizmi, sidomos ato të natyrës fetare e nacionaliste, janë të pranishme edhe në botën ballkanike dhe çfarëdo injorimi do të rrezikonte pasoja të pafalshme. Ajo që karakterizon më shumë se çdo gjë luftën për lirinë, është se ajo nuk mbaron kurrë.