Ministrja Ogerta Manastirliu tha u hartua për herë të parë Programi Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët
Knid Ndrenika
Këshilli i Ministrave miratoi këtë paradreke Paketën e Programit Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët.
Nga ky program përfitojnë 270 mijë fëmijë deri në moshën 14-vjeçare, që nga të sapolindurit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se ky program i ri kombëtar për kujdesin e shikimit për fëmijët, përfshin pa dallim të gjithë fëmijët për kryerjen e depistimit apo kontrollit periodik të syve.
Sipas ministres, programi i kujdesit për shikimin, ristrukturon depistimin e kontrollit të syve te fëmijët.
“Ky vjen si program universal për të siguruar mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijëve dhe prek më shumë se 270 mijë fëmijë. Ky program do fillojë aplikimin pas trainimit të mjekëve në shkolla, mjekëve të familjes dhe gjithashtu forcimit të kapaciteteve dhe infrastrukturës”-tha ministrja Manastirliu.
Program përfshin tre etapat, me zbatim të menjëhershëm për vlerësimin e të gjithë fëmijëve të sapolindur; më pas në vitin e parë të jetës, përkatësisht në 6 mujorin e dytë dhe mandej do të shtrihet në shkolla.
Ministrja theksoi se do të ketë mjekë në shkollave dhe në Qendra Shëndetësore me detyrë kujdesjen sipas protokolleve dhe vlerësimin e shikimit te fëmijët.
Programi kombëtar i depistimit të shikimit për fëmijët parashikon që vizitat do te jenë falas për të gjithë fëmijët dhe do të ndiqet më pas një plan individual në të gjithë sistemin tonë shëndetësor, për të gjitha ata fëmijë që do të identifikohen me probleme të shikimit.
Ky program parashikon vlerësimin okulistik/optometrik bazuar në protokollet e miratuara nga MShMS dhe përgatitjen e një regjistri kombëtar për problemet e shikimit të fëmijëve.
Nëpërmjet këtij program synohet që të kapen në kohë të gjithë problematikat e shikimit të fëmijëve, duke mundësuar në kohë të hershme elementët e tjerë që kanë të bëjnë me korrektimin e shpejtë të syve dhe problematikave të thella të shikimit, që çojnë deri në verbëri.
Ky program synon të ketë fokusin tek parandalimi, edukimi duke ofruar shërbime të reja socio -shëndetësore në strukturat e arsimit, pra do të jetë një program i integruar në shkollë.