Nga Ilir Seci
Në Muzeun Britanik në Londër, i mirënjohur si British Museum, mes shumë e shumë objekteve të ekspozuara gjendet edhe një varëse që brenda saj ka një portret prej guri të gdhendur, varëse e shekullit të 15 për të cilën në shënimin e bashkëngjitur thuhet se është e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Varësja me portretin prej guri të gdhendur, ka këtë numër serie të shënuar kapakun mbrojtës:”SLB Cameos. 176”.
Kur e sheh nga sipër xhamit mbrojtës në ekspozitë ngjan sikur është prej kuarci, e gjatë 1.62 inç sipas sistemit anglez ose 4.1 centimetra me sistemin e Evropes kontinentale! Shënimi poshtë thotë se është nga një lloj guri gjysëm i çmuar! Është një punim i realizuar me shumë finesë duke pasur parasysh madhësinë e objektit…
Portreti i Skënderbeut aty është mjaft me interes sepse përbën një objekt që daton nga shekulli i 15; pra shekulli kur ka jetuar e vepruar Heroi ynë kombëtar! A ka mundësi pra që ky portret i gdhendur në gur të jetë realizuar në gjallje të Heroit tonë Kombëtar?!
Gdhendja është realizuar me teknikën italiane të shekullit të 15, kohë kur ky lloj arti lulëzonte në Itali! Le ta shohim më hollësisht çfarë paraqitet në këtë portret! Sipër jelekut Skënderbeu shihet që ka veshur një mantel aristokratik me jakë të lartë, mbi krye ka dy kurora dhe në qendër të kurorës është simboli i zambakut, “Fleur-de-lis”, simboli mbretëror i Evropës së asaj kohe, një simbol shumë i njohur që gjendej dhe ende gjendet në kurorat dhe stemat mbretërore të të gjithë familjeve mbretërore të Evropës! … Gjeografia e përdorimit të këtij simboli është shumë e gjerë në gjithë kontinentin evropian. Simbolika e kësaj luleje në kurora mbretërore kishte këtë domethënie; me tre petalet e veta përfaqësonte tri shtresat e shoqërisë së kohës kur nisi të përdorej, pra përfaqësonte ata që punojnë, ata që luftojnë dhe ata që luten, falen! Faktikisht kjo lule është simbol i lashtë që paraqitet në heraldiken evropiane që nga koha e Shën Zenobisë, shenjtor italian nga Firence, (italisht San Zanobi, Zenobio) (337–417)…”Fleur-de-lis” është bërë e famshme sidomos në France sepse ka qenë simboli që ka mbajtur Karli i Madh “Charlemagne”! Simboli në fjalë është shumë i përhapur, simbol që gjendet që nga kangjellat e Buckingham Palace (Pallatit Mbretëror të Londrës) e deri te flamuri i Saint Louis, në Missouri SHBA! Në mjaft interpretime e paraqesin edhe si simbol të Trinisë së shenjtë! Ky symbol gjendet në gjithë kurorat mbretërore të dinastive të Evropes dhe prania e këtij simboli në kurorën e Gjergj Kastriotit –Skënderbeut deshmon paraqitjen e tij si mbret dhe njëherit edhe njohjen e Skënderbeut si të tillë nëpër oborret mbretërore të Evropës pasi një simbol i tillë nuk i pranohej gjithkujt. Një konfirmim të këtij simboli në kurorën mbretërore të Skënderbeut e ka bërë edhe Marin Barleti në vepren e tij, (Cf. Marius Barletius, Historia de vita et Gestis Scanderbegi Epirotarum Principis, Rome, 1501 or 1510, Frontispiece, opp. p.1.)… dhe po ashtu edhe katalogu i Muzeut britanik ku gjendet kjo varëse, ( British Museum, Catalogue of Early Italian Engravings, by A. M. Hind, Section A.1; and Stowe MS. 697. fol. 180. )…
“Nga vjen kjo varëse dhe si ka përfunduar aty?! ”-shtrohet me të drejtë pyetja… Muzeut Britanik kjo varëse me portretin e gdhendur të Skënderbeut i është dhuruar në vitin 1753 nga Sir Hans Sloane, mjek, akademik, intelektual dhe koleksionist i famshëm britanik, (1660 – 1753), i cili në prag të vdekjes i dhuroi Muzeut Britanik gjithë koleksionin e vet familjar qe vlerësohet nga më të pasurit në botë! Këtu ky hulumtues i madh meriton të evidentohet se kush ka qenë! … Sir Hans Sloane është në kuptimin e plotë të fjalës babai i Muzeut Britanik sepse koleksioni i tij ishte embrioni nga nisi plotësimin e vet Muzeu ndoshta më i pasur i botës sa i takon arkeologjisë dhe historisë! Një shesh qendror në Londër mban emrin “Sloane Square” në nderim të tij! Në kohën e vet ky mjek e studiues ka marrë titullin “Sir” është nderuar me gjithë titujt dhe dekoratat e kohës për kontributin e madh që ka dhënë në kërkime në fushën e arkeologjisë dhe histories. Mbas Sir Isak Njutonit bëhet kryetar i Akademisë Britanike të Shkencave! Pra një autoritet i padiskutueshëm shkencor… Shënimin e parë lidhur me këtë varëse me portretin e Skënderbeut e gjejmë në një publikim të hershëm të vitit 1913 në “Revistën Burlington viti 1913, faqja 31”, (”Burlington Magazine, xxiv, 1913, p. 31”) si dhe në një tjetër botim edhe më të plotë të vitit 1915 nga Ormonde Maddock Dalton titulluar “Katalog i gurëve të gdhendur të periudhës post-klasike në departamentin britanik të mesjetës, antikitetit dhe etnografisë në Muzeun Britanik. BMP, 1915”…, (Catalogue of the Engraved Gems of the Post-Classical Periods in the Department of British and Mediaeval Antiquities and Ethnography in the British Museum. London, BMP, 1915), botim ku flitet me hollësi për secilin objekt muzeal prej gurësh të gdhendur…Varësja me portretin e Skënderbeut është e gdhendur në Itali thuhet në këto dy publikime sepse ka teknikën dhe stilin italian të shekullit XV. Kush e ka pas mbajtur këtë varëse? E kujt ka qenë, kush e kishte të vetën?! Në Muze shënohet se varësja është e shekullit të 15 pra e kohës së Skënderbeut dhe është mbajtur që në kohë të tij sepse e përmend edhe Marin Barleti! Shënohet se Sir Hans Sloane e ka blerë diku në Itali por nuk sqarohet më shumë! A ka mundesi të ketë qenë e Donika Kastriotit!? Pra e familjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut?!
Ishte befasi për mua kur e pashë në atë Muzeun Britanik në Londër sepse ishte hera e parë që mësoja rreth saj! Asnjëherë nuk na është përmendur ky objekt që në fakt është me mjaft vlerë sepse ka të gdhendur profilin e Heroit tonë Kombëtar në një gur të gdhendur që daton nga koha e tij! Autenticiteti i kësaj varëseje po ashtu ka rëndësi shumë sepse nuk mund të diskutohet ngaqë është sjellë aty nga një prej personaliteteve më të rëndësishme të krejt historisë botërore sic ishte Sir Hans Sloane një ekspert që nuk mund të mashtrohej lehtë! … Habia tjetër imja është se ku kanë qenë historianët tanë që jo rrallë kanë vizituar Londrën, kanë qenë në këtë Muze?! Si ka mundësi që nuk e kanë pikasur?! Athua nuk përbën kurrëfarë rëndësi studimore, nuk ngjall kurrfarë kërshërie kjo varëse me portretin e Heroit tonë Kombëtar që ekspozohet në Muzeun Britanik të Londrës që nga vitit 1753?!