Dëshmi besimi (2)
Thanas L. Gjika
Sipas besimit të Krishter Ortodoks sot është e Premtja e Zezë. Krishti rri i mbërthyer në kryq që të enjte mbasdite, tërë të premten dhe të shtunën deri në mesnatë, kur ka për t’u ngjallur dhe do të festojmë Pashkët.
Mbrëmë unë dhe Julia shkuam te kisha shqiptare Fjetja e Shën Mërisë / The Albanian Orthodox Church St. Mary ‘s Assumption të qytetit Worcester MA. Father/At Marku këndoi disa psalme dhe pjesë nga të katër ungjijtë, i shoqëruar prej korit me dialogje e himne. U dha shkurt jeta e Jezusit dhe në fund kryqëzimi i Tij.
Në krye të sallës u vendos në mes të pjesës së ngritur para hyrjes së dhomës së shenjtë një portret i Jezusit të kryqëzuar i mbërthyer me gozhdët te dy pëllëmbët dhe këmbët. Te shënjat e gozhdëve dalloheshin rrjedha gjaku. Piktura ishte mbi karton të fortë në dimensione reale të një njeriu mbimesatar e vendosur mbi një kryq që qëndronte mbi një mbajtëse të fortë.
Kjo tablo ngjallte emocione, ndjenim sikur Jezusi i gozhduar thoshte: Unë dhashë jetën për ju, po ju ç’ jepni për mua!
Father Marku u gjunjëzua, puthi dy këmbët e Jezusit te shënjat e plagëve, bëri kryqin dhe një lutje. Pas tij të gjithë pjesëmarrësit e ceremonisë shkuam një nga një te portrteti i Jezusit dhe bëmë të njëjtin rit. Secili duke u gjunjëzuar kërkoi pa zë faljen e gabimeve dhe të fajeve që kishte bërë dhe kërkoi ndihmën e Jezusit për të qëndruar sa më larg tundimeve të djallit. Pas kësaj shkuam nëpër shtëpitë tona të lehtësuar…
Këtë rit e zhvillojnë besimtarët e krishterë prej gati dymijë vjetësh. Kjo përulje para Jezusit të kryeqëzuar bashkë me shërbesat e meshës dhe lutjet gjatë të djelave e shoqëruar dhe me leximin e Biblës ka ndikuar mjaft në ndërgjegjësimin e besimtarëve. Një besimtar i ndërgjeshëm, pavarësisht nga niveli i shkollimit dhe i kulturës është më i ndjeshëm ndaj gabimeve dhe fajeve dhe është i gatshëm të kërkojë falje kur gabon.
Ndryshe mendon dhe sillet një ateist. Ky edhe kur ka nivel shkollimi e kulture më të lartë se besimtari, është më pak i ndjeshëm ndaj gabimeve dhe fajeve që bën në jetë. Në mendësinë e tij sundon ideja se ai është i zgjuar dhe i drejtë dhe nuk ka pse të përulet e të kërkojë të falur. Kokëfortësia mbisundon në mendësinë e tij .
Mentalitetin me kokëfortësi dhe mospërulje mbolli dhe kultivoi në mendjet tona propaganda e diktatures komuniste. Njeriu me te tilla bindje sillet sikur i di të gjitha, sikur nuk gabon kurrë dhe nuk ndjen nevojën për të kërkuar të falur për gabimet që ka bërë e bën në jetë. Ky mentalitet është si ajo gunga e gungaçit, e cila nuk mund të korrigjohet me asnjë operacion. Atë vetëm varri e ndreq, kur i shkërmoqen eshtrat.
Duke meduar për të ardhmen e kombit, sugjeroj që t’i ndihmojmë fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre, që të brumosen me një mentalitet besimtari dhe jo si ateistë e kokëfortë, me një fjalë t’i nxisim që të lexojnë Biblën dhe t’i shpiem në kishë të djelave dhe sidomos gjatë javës së Madhe të Pashkës. Kështu ata do të përjetojnë emocione nga jeta e mësimet e Jezusit dhe do të krijojnë një mendësi të krishtere larg kokëfortësisë, mendësi që i ndihmon të jenë të përulur dhe të ndjeshëm ndaj gabimeve dhe fajeve. Kjo mendësi do t’ i bëjë ata më të qytetëruar, më europianë, luftëtarë të një Shqipërie moderne si e kërkon koha.