Nga Ruben Avxhiu
Ikja e Ilir Metës nga posti i presidentit është një moment shqetësues por edhe shpresëdhënës për demokracinë shqiptare. Shqetësues se për arsye parimore apo për inate personale e partiake, për të mirë apo për të keq, presidenti Meta shërbeu për gjysëm dekade si kundërpeshë e kryeministrit të vendit, ashtu si e kërkon një demokraci funksionale.
Mbase nuk jam dakord se cilat nisma, propozime, dhe ligje duhej të bllokonte dhe cilat jo, mirëpo gjatë një periudhe që pa një grumbullim të pashoq pushteti politik në duart e një njeriu, presidenti Meta ishte një nga përplasjet e rralla të Kryeministrit Edi Rama me realitetin.
Duke qenë se parimi im në politikë është se kundërshtarët të ndihmojnë e miqtë të marrin në qafë, mund të them se kryeministri Rama gabon nëse e pret me gëzimin largimin e tij. “Zot më mbaj duart kur nuk ka kush m’i mban”, duhet të jetë lutja e çdo politikani të plotfuqishëm.
Nga ana tjetër është shpresëdhënës, se demokracia shqiptare ka nevojë të dëshpëruar për hapur kapitull të ri. Unë besoj se presidenti ideal duhet të jetë etapa e fundit në jetën e tij politike. Një kryetar i ardhshëm partie, apo kandidat për president do të joshet që t’i shërbejë të ardhmes së tij politike, dhe jo vendit të tij në histori.
Demokracia nuk funksionon si duhet nëse pushtetet nuk drejtpeshojnë njëri-tjetin. Jo për inat, por duke ofruar peshim të vendimeve nga një këndvështrim tjetër. Jo për ta mundur kundërshtarin në beteja të përditshme politike, por për të mbrojtur Shqipërinë dhe demokracinë dhe për të investuar në admirimin e një brezi të ardhshëm. Nëse vjen një president që e kundërpeshon kryeministrin vetëm në parime konsitucionale pa synime politike, ky do të ishte një hap i madh i kthimit në normalitet. Nëse vjen një president kukull, të paktën bie maska e autoritarizmit të ri dhe nxit lëvizjen për një reset serioz në tranzicionin shqiptar.
Kryeministri Rama ka lëshuar ftesa majta dhe djathtas për ta bërë procesin e zgjedhjes së presidentit sa më të hapur dhe të gjerë. Mirëpo, demokracia ka dështuar nëse cilësia e procesit varet nga dashamirësia e një politikani të plotëfuqishëm. Kryeministri ka në duar një shumicë vota në Kuvend, që është tërësisht e nënshtruar ndaj tij.
Ai mund të zgjedhë këdo president. Fakti që po ofron që opozita të ketë fjalën e vet nuk mjafton. Përpara se të ketë një president që mbron kushtetutën, demokracinë, dhe Shqipërinë, vendi ka nevojë për një Kuvend të fuqishëm. Derisa deputetët e zgjedhur të jenë fitues mbi merita personale, mbase nëpërmjet një sistemi mazhoritar dhe jo në sajë të futjes arbitrare në lista nga kryetari i partisë, kjo nuk do të ndodhë.
Në rastin e zgjedhjes së presidentit, fakti që kryeministri mund “t’ia falë” presidentin opozitës nuk më ngushëllon. As që mendoj se është e garantuar që të ndodhë. Asnjë politikan, i mirë apo i keq, nuk dorëzon pushtet, nëse nuk shtrëngohet. Kryeministri nuk është i pari e as i fundit, që beson te pagabueshmëria e zgjedhjeve të tij. Pse do të zgjidhte ai dikë që do t’ia pengonte rregulisht këto zgjedhje. Në imaginatën time, është mesiguri presioni ndërkombëtar nga Bashkimi European si dhe nga SHBA, kjo e fundi është sidomos e interesuar në konceptin e një presidenti të pavarur nga kryeministri që mund ta detyrojnë të bëhet “bujar” e të mos rrëmbejë një qendër politike që është ende jashtë duarve të tij.
Në fund, në një demokraci ku mekanizmat institucionalë nuk funksionojnë shumëshka mbetet në ndërgjegjen dhe sidomos natyrën e udhëheqësve. Fatos Nano mendoi se zgjodhi një aleat kur ngriti Rexhep Meidanin në postin e presidencës. Po ashtu edhe Sali Berisha me Alfred Moisiun dhe Bamir Topin. Edi Rama mbase nuk kishte shumë alternativë, por sigurisht nuk i kishte kuptuar përmasat e mërisë së fuqishme të Ilir Metës ndaj tij. Historia e shkurtër e pluralizmit shqiptar na mëson pra që të mos e gjykojmë presidentin e ardhshëm nga procesi që do ta prodhojë, por të presim se si do të sillet në zyrë. Për mirë apo për keq, posti përndez disa instikte dhe vret disa të tjerë në natyrën e politikanëve.
Kjo nuk është aspak ideale por është një lloj ngushëllimi e burim shprese në një situatë, ku vëmendja dhe energjitë më të mëdha duhet të shpenzohen në transformimin e sistemit zgjedhor për të kthyer mazhoritarin e për të luftuar për demokracinë brenda partive. Shqipëria mund të ketë nevojë për një reset por do të jetë thjesht një përsëritje e historisë nëse vjen përsëri me kultin e individit, me kryetarë që nuk largohen dot, me politikanë që nuk kanë jetë, profesion, e dinjitet jashtë politikës.