Berisha: Deputetët janë të qytetarit, jo të partive
Në tribunën qendore përpara ndërtesës së Universitetit Politeknik, përveç deputetëve të Tiranës, zinin vend dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Asllan Dogjani dhe Kastriot Islami, emrat e të cilëve u shoqëruan me duartrokitje aty-këtu edhe paksa më të shumta se sa të vetë “të zotëve të shtëpisë” kandidatë-deputetë të PD-së
Nga Tirana, Denion Ndrenika
Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha hapi fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 10 ditë përpara afatit ligjor. Me fjalinë “deputetët janë të qytetarit dhe jo të partive” kryeministri dhe kryetari i demokratëve, Berisha, adresoi një zotim që do t;i duhet ta formësojë në çdo rast, e fiton ose jo “betejën” e 23 qershorit.
Mijëra mbështetës të PD-së rikthyen në kujtesën e Tiranës fushatën e vendoreve të 8 majit 2011 për Bashkinë e Tiranës, që ndonëse në një 5-mujor të tensionuar dhe të shoqëruar që në janar të atij viti vdekjen e katër protestuesve të opozitës, u zhvillua përgjithësisht e qetë nga kandidati fitues Lulzim Basha. Ishte zoti Basha që e hapi edhe fushatën zyrtare mbrëmë në sheshin “Nënë Tereza”.
“Deri dje kishim një politikan që nuk plotësonte detyrën dhe kishte braktisur detyrën dhe ndiqte politikë konfliktuale. Ish-kryetari i Bashkisë donte sërish të ruante pushtetin personal dhe interesat e veta në bashki, sot edhe ata më skeptikët e para 2 viteve e kujtojnë shumë mirë se Rama donte ta mbante bashkinë dhe për interes të kujt donte ta mbante. Por Tirana zgjodhi dhe një erë e re nisi për qytetin tonë. Jam i vetëdijshëm se për 2 vite nuk kemi zgjidhur gjithçka, por kemi vënë Bashkinë cdo orë në minurë në shërbim të qytetarit. Sot kemi më shumë të punësuar, më shumë infrastrukturë, ajër më të pastër. Kemi plan urbanistik që garanton pronën”-tha zoti Basha duke iu referuar kundërshtarit të tij për Bashkinë, kryetarit socialist Edi Rama. Zoti Basha theksoi megjithatë fuqimisht se “ne nuk e kemi armik kundërshtarin tonë”. Mirëpo, vazhdë e këtij përkufizimi Basha nuk la pas akuzat për zotn Rama, për të cilin tha se “duke bllokuar statusin “kandidat” për në BE, veproi kundër qytetarit”: “U thashë në fillim se Edi Rama nuk është armik, se në binndjen time nuk duhet të kemi armiq. Por, çfarë mund të them sot për Edi Ramën. Ai bllokoi integrimin, do ishim vend kandidat për BE dhe qytetarët do përfitonin nga kjo mundësi se qindra euro grante dhe qindra investitorë do afroheshin se kjo për shkak të potencialeve që ka Shqipëria dhe garancive që gëzon. Rama tha jo. Por çfarë është dikush që i mohon vendit të tij integrimin, të ardhmen, mundësitë e arta. Ky njeri nuk është dhe nuk mund të jetë miku i shqiptarëve, nuk është miku i Shqipërisë. Duket se misioni dhe pasioni i tij është bllokimi. Ju do zgjidhni më të mirën, Berishën, PD. Fitore, përpara, përpara”!
Në tribunën qendore përpara ndërtesës së Universitetit Politeknik, përveç deputetëve të Tiranës, zinin vend dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Asllan Dogjani dhe Kastriot Islami, emrat e të cilëve u shoqëruan me duartrokitje aty-këtu edhe paksa më të shumta se sa të vetë “të zotëve të shtëpisë” kandidatë-deputetë të PD-së. Megjithatë, ra në sy mungesa e Ilir Rusmalit, njeri prej bashkëpunëtorët më të ngushtë e të vjetër të Berishës qëkurse ishte president e tash sëfundi kryetar i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit. Zoti Rusmali është në n jë vend të rrezikshëm të listës për deputetë në 32-en e vendeve që nxjerr Qarku i Tiranës (i 17-i) nëse mendohet që të paktën PD e PS me aleatët fitojnë nga 16 deputetë secila.
Por, pa asnjë koment nëse përfshirja e Islamit dhe Dogjanit si dhe e Gjovalin Kadelit (ish-deputet i PS-së në Lezhë), është dëshmi e ndonjë hapjeje të PD-së dhe mbylljeje të PS-së apo ndihme të qeverisë së zotit Berisha përkundër “tradhëtisë” të socialistëve të Edi Ramës, prania e Dogjanit dhe Islamit përbënte një dekor të pamenduar, por të studiuar që u përfol si “mirëpritje” në një mori zgjedhësish tërësisht të kundërt me ta. Ndoshta ishte kjo një ndër shtysat që e bëri kryeministrin t’i quajë deputetët “qytetarit” dhe jo “të partive”.
“Zgjedhjet e 23 Qershorit janë për cdo qytetar shqiptar, zgjedhja e madhe. Më 23 Qershor, qytetarët e Tiranës janë të ftuar të vendosin alternativën për modelin e vokacionit të tyre perëndimor. Kam nder të madh sot të paraqes para jush, ekipin e parlamentarëve të ardhshëm, të koalicionit të qendrës, qendrës së djathtë dhe së djathtës, koalicionit më të gjerë, në historinë politike të pluralizmit shqiptar. Jam sot këtu për t’u zotuar para jush se asnjëri nga këta gra e burra që qëndrojnë para jush nuk janë deputetë të partisë, por secili prej tyre janë deputetë të qytetarit, të qytetarëve të tiranës, shqipqërisë, për ne. Në çdo kohë, në çdo stinë, në çdo ditë është dhe do të jetë qytetari, interesat, aspiratat, idealet, problemet e tij. Këta burra dhe gra që kemi sot para, janë forcat politike të koalicionit të punësimit, mirëqënies e integrimit, në asnjë ditë. Në asnjë orë në asnjë vit nuk i lejuan kurrë vetes të ngrihen, të shkelmojnë këtë vokacion. Në të gjithë morinë e kundërshtive, debateve, ato kanë qenë dhe mbeten avokatët të pamposhtur, të këtij vokacioni. Shqiptarë dhe shqiptare, qytetarë të mbarë Shqipërisë, 23 qershori është zgjedhja e madhe”-tha kryeministri Berisha.
Më pas, në një fjalë të mbushur me entuziazëm dhe të shoqëruar parreshtur me duartrokitje, si dhe me efekte televizive të teknikave të ndryshme (“tv”-të pranë opozitës e vendosin kameran sa më lart për të kapur zona të zbrazëta si efekt pamor, ndërsa “tv”-të pranë qeverisë sa më shtrirë për efektin e kundërt), Berisha u zotua që të bëjë një pjesë të madhe të punës që siç theksoi ka nisur në dy mandate radhazi e që nuk mundet ta ketë aftësi që ta bëjë opozita.
“Alternativa tjetër ka faktuar se nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj që bëri gjithçka për ta vendosur Shqipërinë në këndin jashtë hapësirës perëndimore. 23 Qershori është dita e gjykimit, përballen dy filozofi, dy qëndrime. I yni që ka në zemër, synon lirinë tuaj, besim të pakufijshëm tek iniciativa juaj e lirë, pasuria e saj. Qeveritarë, deputetë, zyrtarë nuk keni marrë gjë tjetër, keni vendosur sesi ti zgjedhojmë ato. Është kjo iniciativa, është liria e juaj që ka gjithë këtë vend që i ka dhënë këtij vendi një rritje, 11 herë që nuk krahasohet më asnjë vend tjetër. Alternativa tjetër është alternativa që kërkon të bëjë Shqipërinë që të punojë për qeverinë. Alternativa e besimit tek diktati shtetëror, qeveritar, e taksave të larta, e ngushtimit të hapësirave të iniciativës së lirë. Cila është alternativa tjetër. Në 20 vite, ne kemi mbrojtur parimet që besojmë. Çfarë bën tjetri? Sa qeverisi Tiranën 2 dhe 3-fishoi taksat. Tani kalon nga një qytet në një tjetër si hije Nastradini dhe u thotë se do heqim taksat. Alternativa e taksave të larta, alternativa e shkatërrimeve të vendeve të punës, e largimit të investitorëve të huaj, alternativa e bllokimit të zhvillimit të ekonomisë. Herën e dytë, miqtë e mi, rrotacionin e dytë ia bëri Koço Kokëdhima, të tretin do ja bëjë Tirana, do t’ia bëjë Shqipëria”-tha zoti Berisha.
Fundi i tubimit dhe koncertit festiv erdhi me garancitë që përsëri dha Berisha, që për qytetarët e Tiranës e Shqipërisë, në axhendë dhe përpjekje do të jetë punësimi i tyre, krijimi i vendeve të punës dhe rritja e rrogave tuaja. “Ne kemi plan të shkëlqyer punësimi që përsëri ju ka në epiqendër ju, forcat dhe energjitë tuaja. 4 vitet që vijnë janë vite të projekteve gjigande për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne garantojmë statusin (“kandidat”), hapjen e negociatave dhe do të bëjmë gjithçka për një jetë më të mirë për çdo shqiptar. Qytetarë shqiptarë dhe ju të Tiranës, le të vendosim ne të zhvillojmë kësaj radhe fushatën më të civilizuar, fushatën e vlerave që ne u besojmë, fushatën e cila do të bindë cdo qytetar shqiptar pavarësisht përkatësive partiake se ne jemi ndryshimi. Përpara, përpara!”-përfundoi Berisha, ndërsa qielli u mbush me fishekzjarre.