MIA – Made in Albania

Fotoja tregon një Mercedes të përshtatur në trap a raft për shëtitje turistike në një liqen të vogël, sot një karkasë. Mediat shqiptare në kohën e “inovacionit” shkruan sikur rafti kishte kaluar Atlantikun. Në liqen duhen vela, surfboard me një lopatë, kajakë, ose thjesht krahët për not. Por, mbi të gjitha ujë i pastër ku njerëzit e familjet të gëzojnë natyrën e mbrojtur, e jo makinat

Fatos Fico, ing.i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural, Londër

Na ishte një herë një uzinë në Durrës e cila prodhonte televizor me ngjyra “Made in Albania” në vitet 80. Askush nuk del sot dhe të thotë pse nuk prodhojmë ende televizorë, radio, telefona smart, kompiuter, e çfarë fatkeqësie kombëtare pse u mbyll fabrika e sot paguajmë 1000 Euro për një celular korean, t’a subvencionojmë e t’a rihapim fabrikën.  Në një mënyrë apo tjetër është e ngulitur në mendjen e njerëzve se Shqipëria nuk mund te prodhojë paisje elektronike edhe pse sot kjo është gjëja më e thjeshtë. E bëri Korea e Jugut nga një vend agrar u kthye në një vend me industri teknologjike nga më të përparuarat. E bëri Kina po një vend agrar dikur. Taivani një ishull në oqean, prodhon vetë e madje dhe pse i panjohur nga Kina si shtet kompanitë tij si Foxconn punësojnë me dhjetëra mijëra kinezë që prodhojnë për Apple, e pothuaj çdo gjë tjeter elektronike, ku ndoshta ju po lexoni tani. Po e bën Vietnami një vend përsëri agrar. India po ashtu. Pse USA të cilës nuk i mungon kapitali dhe është vendi më i përparuar në teknologji nuk i prodhon vetë? Ka disa arsye të cilat rrjeshtohen lehtë dhe madje ju me ato argumenta mund të përballeni dhe me Trump i cili deficitin tregtar të Amerikës me Kinën e bëri argumentin kryesor në politikë. Pa u futur në argumenta si fuqia punëtore, lëndët e para, të drejtat e punës në Kinë e Vietnam kundrejt atyre në Amerikë, ajo çfarë është 100% amerikane dhe është gjithmonë nën kontrollin e tyre jane patentat e software, pronësia e tyre si dhe mënyra se si produkti teknologjik i dalë prej tyre bëhet mënyre jetese, gjen tregje e përdorime të reja. Një model i ri telefoni nuk është vetem një kamera më e mirë, më shumë memorie, por është një shërbim tjetër të cilin nuk e dije që të mungonte dhe që do të paguash para të tjera për t’a patur, e nga ana tjetër duke mos shpenzuar më për shërbime të meparshme, duke krijuar kështu shërbime e një ekonomi të re. Psh. siguria më e madhe tani e telefonave smart ka bërë që ato të jenë baza e shërbimeve bankare online, duke ulur kostot, e si pasojë duke sjellë mbylljen masive të degëve fizike të bankave. Pa folur këtu për pasojat për ata që nuk kane akses në teknologji, punonjësit e bankave që mbeten pa punë, nuk është ky qëllimi ynë. “Software” dhe implikimet e tij ata janë kryesoret në ekonominë e shoqërine e sotme. Software, jo në sensin e sistemit operativ Windows apo MacOS, por të menduarit, të vepruarit, mentaliteti, edukimi, legjislacioni, kultura, shoqëria, faktorët ekonomike, politikat, të cilat inputin në softwarin e kompiuterit, mënyrën e “të menduarit” apo algoritmat e teknologjisë dhe pastaj kthehen mbrapsht tek ne me një ekonomi e shoqëri te ndryshuar tashmë, e cikli përsëri vazhdon. Pothuaj të gjithë në Shqipëri e kuptojnë se nuk mund të prodhojmë paisje elektronike si Tv smart 8K, por as dhe një Nokia nga ato me butona tek ish elektromekanikja e Durrësit. Por pse pothuaj të gjithë mendojnë se mund prodhojmë bukën në vend ose të jemi vend bujqësor dhe po ashtu të sigurojmë naftën në vend.  Mqs nuk bëjmë dot të parën të bëjmë këto të dytat? Por pse nuk e bëjmë dot të parën? Fare thjesht, çmimi. Çdo paisje teknologjike e prodhuar në Shqipëri do të ketë çmim shumë më të lartë dhe mungesë tregu në krahasim me paisjet që prodhohen në Kinë, por edhe në vende të tjera.  Por çmimi mund të subvencionohet e pse mos kemi një telefon MIA në vend të Made in China? Në socializëm, një Tv MIA me ngjyra, kushtonte sa rroga vjetore e një naftëtari, por ky e ëndërronte edhe po ti kursente aq para, sepse i duhej autorizimi i partisë.  Në një ekonomi të subvencionuar e të pabazuar në treg real përveç çmimit duhen dhe mekanizma të tjerë kufizues përtej çmimit sepse kërkesa është më e madhe se oferta.

 

 

 

Një pellg nafte për fanarin ndriçues

 

Nafta ose më mirë dieseli i automobilave është politizuar aq shumë sa shumica e njerëzve edhe në një “ekonomi të lirë” si Shqipëria nuk arrijnë të kuptojnë se ekonomia në thelb është çmim e se politika shërben kur është e mirë që ky çmim të jetë i arsyeshëm. Sa është çmimi i nxjerrjes së naftës shqiptare? Mos harroni në çmim tokat e ndotura, ujërat e ndotur, ajrin e ndotur, tërmetet rajonale, lumenjtë e detin e ndotur, shëndetin e njerëzve lokale, punën e pensionet që duhen paguar siç duhet të naftëtarëve. Në asnjë analizë duke filluar nga ato të shokut Hoxha për naftën tek ato të ditëve të sotme askush nuk tregon një kosto sa nxirret nafta në Shqipëri dhe krahasimin sa nxirret në Arabinë Saudite apo Detin e Veriut. Në Arabinë Saudite kosto është me pak se 10 S për fuci, në UK është rreth 50 Usd për fuçi, në Norvegji 36, USA 36, Rusi 17. Në Shqipëri mendohet se është mbi 50 $ për fuçi, por pa perfshirë kostot mjedisore e shumë kosto të tjera. Duke ditur që nafta shqiptare shitet me një fraksion 60-80% të çmimit të naftës Brent, në terma reale, me të dhënat ekzistuese që disponohen publikisht, çmimi i naftës në tregun botëror që nafta shqiptare të nxirret me fitim duhet të jetë rreth 100 $ për fuçi. Kjo vetëm për t’u nxjerrë. Përpunimi në rafineri si ish rafineria e Ballshit është llogari tjeter.  Pra për sa kohë çmimi i naftes është nën 100 $ për fuçi në gjendjen aktuale Shqipëria do të ketë “fitim” nqs e importon naftën. Fakti që kemi një pellg naftë mbajtës më të madhin në Europën kontinentale përveç një vaniteti a kurioziteti gjeografik nuk na ndihmon aspak për të patur naftë me çmim të lirë. Ne mund te kemi psh më shumë makina Mercedes për frymë se çdo vend në botë, por Maqedonia e Veriut ngjitur me ne ka dy herë më shumë rrugë për makina ku ato mund të lëvizin. E më e rëndësishme, një rafineri e re, por dhe vetë proçesi i nxjerrjes së naftës tashmë nuk kanë përballë vetëm çmimin por dhe pyetjen për sa kohë do të duhen? EU ka vendosur si limit për makinat me karburant vitin 2035, UK vitin 2030. Duhet të prodhojmë e punojmë me energji fosile naftë apo energji të rinovueshme nga dielli, era, e biomasa?  EU e vendet e tjera jo vetëm do të prodhojnë me kosto më të lirë mbasi kanë kryer investimet fillestare, por vështirë se do të lejojnë importe mallrash nga vende të cilat prodhojnë me energji fosile.

 

Pranvera vjen më herët

 

E njëjta logjikë gjeografike, klimaterike, e nxehtë u përdor politikisht për eksportet bujqësore. Për shkak të klimës ne mund të dalim me eksporte bujqësore më herët. Me herët se Maroku? Me herët se Spanja? Me herët se Italia?  Me herët se Greqia? Gjeografikisht dhe klimatikisht ato ngrohen më herët se Shqipëria. Aq më tepër tregu i prodhimeve të hershme është vertet një potencial për një produkt me çmim më të lartë, por në të njëjtën kohë shumë i kufizuar dhe i cili kërkon investime kapitale e njohuri të larta nga prodhuesit. Konsumatorët në vendet veriore Europiane që ngrohen më vonë, nuk do të dalin në rradhë në orën 5 të mëngjesit për të blerë domate të Divjakës. Tani domatet prodhohen gjithë vitin jo vetëm nga serrat e Hollandës e Spanjës, por të UK, të Polonisë, Gjermanisë, etj. Nqs një kokërr domate mund të blihet dhe një euro në një supermarket europian në mes të dimrit, salcë apo konserva domate ekuivalente si produkt alternativ kushton 1 cent. Tregu në sasi për domate kokër të hershme është i kufizuar, e ka shumë produkte alternative me çmime shumë të ulëta.

Shqipëria prodhon grurë, por jo me kostot e Ukrainës, Rusisë, Serbisë, Rumanisë apo dhe Francës. Të mbetemi te kjo e fundit. Franca është vendi që është zemra dhe truri i CAP, ose Politikës së Përbashkët Europiane për Bujqësine të EU. Në Francë nuk mund të jesh fermer nqs nuk ke arsimin për fermer. Pra përpara se të themi nuk bëhet, nuk kemi kushte, a mund t’a fillojmë këtu?  Kush është arsimimi dhe formimi i fermerëve shqiptarë? A ka rëndësi kjo?

Një arsye pse nuk kemi fabrika me teknologji të lartë është sepse nuk kemi punonjës e specialistë për teknologji te tilla. Vërtet mendoni se një fermer shqiptar që ka trashëguar tokën dhe fermën denbabaden e që mendon e di se si kultivohet çdo gjë, vetëm s’ka Lek apo naftë pa akcizë, por sapo t’i ketë këto mund të konkurojë me një fermer francez?

Teknologjia e prodhimit të grurit si komoditet është mjaft e përparuar, kërkon shumë kapital, si tokë, makineri, inpute e pak punë. Nqs Franca tokat i ka, makineritë e inputet i prodhon vetë, ne duhet t’i importojmë të gjitha e tokat i kemi të copëtuara. Po ashtu punë zëvendësues të kapitalit nuk kemi, siç e dini botërisht nga ekselet e pagave të whatsup-it puna nuk paguhet. Nqs nuk keni arritur t’i shikoni këto tabela, shikoni emigrantët shqiptarë bujqësorë në Greqi. Një fermer shqiptar nuk konkuron dot në çmim me grurin e tregut botëror. Ajo që mund të bëjmë ne si shoqëri është të planifikojmë e të dimë kush është çmimi kritik e rrethanat kritike për të prodhuar nqs e nevojshme sa më shumë grurë vetë. Tani shkalla e kompleksitetit rritet, na duhet të dimë sa toka kemi, çfarë lloj tokash kemi me analiza, sa kemi nën ujë, sa plehra kimike sigurojmë, çfarë varietete fare do të mbjellim, sa traktorë e kombajna kemi, sa depo kemi, etj. Duhet të dimë ku do i gjejmë paratë për të gjitha këto dhe kush do t’a blejë grurin e prodhuar, furrat e bukës, fabrikat e miellit, familjet, etj. Në socializëm kështu ishte dhe nuk ja dolëm dot.  Nqs mendoni se këto i zgjidh një pikë grumbullimi, të shikojmë një analogji. Psh. të krijojmë një pikë grumbullimi për kompiuterat që prodhohen në kushte shtëpie. Madje kjo është e lehtë fare, porosisni lirë me çmime online në “Alibaba”, proçesorë, memorie, karta, shasi, ekrane, etj. montojini edhe shitjani të montuar një pike grumbullimi kompjuterash e ajo do t’i rishesë pastaj për ju. Se ata e njohin tregun, ju vetem montoni e prodhoni. Kërkesë ka, sa shkolla e klasa digjitale kërkojnë kompiutera në Shqipëri? Po në rajon? Po në Europe?  Në Shqipëri nuk harxhon as për ngrohje të punishtes, se pranvera vjen me herët. Nqs ju ndihmon dhe me shumë Jobs, Gates nga garazhet e shtëpisë e filluan biznesin. Po ashtu dhe IKEA e mobiljeve.

 

Një ide nga dikur për riciklimin

 

Që një biznes të ketë sukses e nga një garazh shtëpie, grazhd lopësh apo një serrë me 2 dynym të bëhet një kompani e madhe duhet ai softi – mjedisi me ligje, ekonomi të lirë, demokraci reale, njohuri, kushte e mundësi të barabarta për të gjithë. Ne si shoqëri duhet të dallojmë që nuk na vlen të subvencionojmë kastraveca e domate që t’i blejë ato më lirë një konsumator në Europë, sepse as në skemën e madhe të gjërave nuk i shërbejmë me këtë asgjëje. Ne duhet së pari të zgjidhim problemet kryesore të bujqësisë tonë, të krijojmë bazat e saj. Të kemi ujë, të kemi toka pjellore që prodhojnë, të ruajmë pjellorinë tokës e potencialet e saj, të kemi dije te prodhuesit, të mos kemi kriza që na kapin të papërgatitur, si gripi i shpendëve, plasja, përmbytjet, thatësirat, etj.

Të kemi tregje për fermerët. Qyteti nuk është i bukur sepse ka ndërtesa të bukura, qyteti është i bukur kur ka jetë. Cilësia e jetesës në qytet varet nga ushqimi i shëndetshem, ajri i pastër e hapësirat jetike, për fëmijët së pari, e pastaj të gjelbra, sportive e kulturore për të gjithë. Për fatin tonë të mirë dhe me pse me ferma të vogla mund të prodhojmë ende ushqim të shëndetshëm, nqs ai shitet direkt nga prodhuesi tek konsumatori, kjo është madje dhe politika e fundit e EU – direkt nga ferma në tavolinë. Përndryshe, në një qytet steril, pa hapësira, vetëm me kulla e trafik makinash të përdorura, rregjistrohuni sa më parë tek “Alibaba” si blerës, e pastaj bëhuni montues, e kërkoni pastaj një pikë grumbullimi, si ato pikat që blinin shishe e letra të përdorura në socializëm. “S’ka lekë, ishte përgjigja edhe atëhere, kur çoje kavanozat e letrat, – por, po i le për më pak t’i marr”.  Një Alibaba shqiptar gjëndet gjithmonë kur çmimi është i duhuri për ata. Pyetja në fund, të riciklojmë sa më shumë ide të vjetra me naftë vendi e eksport bostani se ashtu jemi mësuar, apo të shikojmë përpara tek prodhimi e energjia të bazuar tek dijet e rinovimi ?