Nga Qerim Vrioni
Në librin “Photos that changed the world, Prestel, 2016” (“Foto që ndryshuan botën, Prestel, 2016”, f.136), gjendet edhe fotoja që paraqet Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Willy Brandt (1913-1992), ulur në gjunjë para një monumenti e një kurore. Kjo foto është e fotografit Sven Simon dhe është realizuar më 12 dhjetor 1970 në Varshavë. Monumenti në fjalë u kushtohet kryengritësve polakë me origjinë ebreje të vrarë mizorisht nga nazistët gjermanë në revoltën e Getos së Varshavës, në periudhën prill-maj 1943. Siç dallohet edhe në foto, nga të dy anët e Kancelarit gjerman kishte shumë fotografë, gazetarë dhe kameramanë, për të pasqyruar në mjetet e tyre ngjarjen. Sigurisht ata kanë lënë me qindra foto, shumë video dhe mjaft faqe të shkruara mbi ngjarjen. Për albumin e tyre me shkrepjet nga të gjitha kohët, prej mesit të shekullit XIX e deri në ditët tona, por me ndikim të madh në histori, redaktorët e “Prestel” zgjodhen këtë foto ku ajo rri fortë mirë.
Në kurorën para Monumentit shkruhej se ajo vendosej në emër shtetit dhe të popullit gjerman si ndjesë dhe nderim për polakët e vrarë nga nazistët gjermanë gjatë ngjarjeve në Geton e Varshavës. Pra kurora e Kancelarit Brandt nderonte kësisoj veprën heroike të kryengritësve, rreth 27 vite pasi kishte ndodhur ploja. Gjatë këtyre viteve, në Gjermani ishte zhvilluar Gjyqi i njohur Ndërkombëtar i Nurenbergut (1945-46), që dënoi shumë udhëheqësa ushtarakë të Vermahtit me dënime kapitale, ishin miratuar disa ligje për denazistikimin e vendit, shfaqja e portretit dhe mbajtja e veprës “Mein Kampf” të Hitlerit ishin rreptësisht të ndaluara dhe të dënueshme. Qysh pas mbarimit të L2B, kryengritja e Varshavës e pranverës 1943, është përmendur mjaft në shtyp, janë shkruar libra artistikë e historikë si dhe xhiruar filma, por ndjesë publike nga pasardhës (si kombësi) të nazistëve gjermanë, nuk kish kërkuar kush. Kërkimi i faljes nga ana e fajtorëve drejtuar viktimave (gjallë ose të vdekur), kurdoherë përbënë një hap shumë njerëzor, i cili parashihet edhe nga të gjitha besimet fetare qysh në kohët më të lashta.
Natyrshëm lind pyetja: i ra shorti apo zgjodhi rastin kancelari Willy Brandt për këtë ? Para se t’i jepet përgjigje pyetjes, i hedhim fare shkurt një sy të shkuarës së tij. Në vitin 1933, kur Hitleri mori me dhunë pushtetin, Brandt (atë kohë 20 vjeçar) si kundërshtim i masave shtypëse të nazistëve dhe terrorit që po fillonte atëherë në Gjermani, u arratis në Norvegji pasi kishte lënë edhe nështetësinë gjermane. Pas përfundimit të L2B, ai u kthye në atdheun e tij dhe filloi të merrej me politikë si njeri me parime të forta politike, po sidomos morale. Kështu, rreth vitit 1960 ai u zgjodh kryetar i Bashkisë së Berlinit Perëndimor dhe emri i tij kujtohet, ndër të tjera, edhe për refuzimin publik të kërkesës së Hrushovit për takim, si reagim për ngritjen e Murit të Berlinit.
Më vonë, politika e Willy Brandt-it ndaj Lindjes (Ostpolitik) u moderua dhe kur u zgjodh Kancelar i RFGJ, ai filloi të mendonte dhe vepronte për zbutjen e tensioneve midis dy blloqeve, duke krijuar raporte të reja me Bashkimin Sovjetik, Çekosllovakinë, Poloninë, me këtë të fundit duke rregulluar edhe disa probleme të pazgjidhura kufitare ndërmjet tyre. Gjithashtu, nisi afrimin me Republikën Demokratike Gjermane, kur në vitin 1970 Brandt, takoi kryeministrin e saj, Willy Shtof. Po ashtu, duhet përmendur se në tetor 1970, Willy Brandt ishte nderuar me Çmimin “Nobel” për Paqe kryesisht për “Ostpolitik”. Kështu, nuk mund të thuhet as se i ra shorti apo se ishte rastësi gjesti i tij atë ditë në Varshavë.
Vendosja e kurorës në emër të shtetit gjerman (perëndimor) në Monumentin e dëshmorëve të revoltës së Varshavës, ishte e planifikuar, pra zyrtare e ceremoniale dhe kishte ngjallur pritëshmëri të jashtëzakonshme në mediat gjermane, polake dhe të huaja. Natyrisht, mendohet se vendimi nuk ka kaluar fare lehtësisht nga administrata gjermano-perëndimore. Ndoshta një nga arsyet ishte se këtë duhet ta kishte bërë më herët Qeveria e Republikës Demokratike Gjermane edhe për hir të miqësisë me Poloninë, si dy shtete socialiste që ishin. Sidoqoftë, gjunëzimi i historik i Willy Brandt u shoqërua edhe me shpërfaqjen e disa kritikave në shtypin gjermanoperëndimor të kohës. Veçse, pjesa tjetër e shtypit botëror, që ishte shumë më e madhe, por edhe burra shtetit e duartrokitën nxehtësisht veprimin e Kancelarit nobelist. S’kish si ndodhte ndryshe, gjesti i tij përcillte kumte të pastra humanizmi, që i duheshin shumë të gjithë botës ato kohë.
Protokolli i përbashkët zyrtar gjermano-polak, sigurisht e kishte parashikuar qartë, vendosje kurore dhe nderim para monumentit me një ulje të lehtë të kokës, por ndodhi shumë ndryshe. Kancelari Willy Brandt pas vendosjes së kurorës, edhe u gjunjëzua, që përbën një shkallë të lartë të pranimit të fajit dhe të kërkimit të faljes. Siç u shkrua më vonë në shtyp, Brandt ka thënë me një farë sinqeriteti, se në ato çaste “nuk më mbajtën gjunjët”. Si duket, dobësinë e tyre, e shkaktonte gjithë historia e fillimit dhe shtypjes së revoltës së Getos së Varshavës, që me shumë gjasa i ka kaluar para syve Kancelarit të fortë dhe vizionar gjerman, si një film me xhirim të shpejt.
Fotoja, nga ana tjetër, ngërthen kapjen e një çasti kalimtar, duke e kthyer në një ikonë të madhe të fotogazetarisë, me intensitet shumë të madh ndjesor, por edhe me cilësi poetike të një vepre arti.
Ndoshta niveli i lartë ekonomik sot i Gjermanisë pas shkatërimit të plotë gjatë L2B, ka ardhur edhe si pasojë e nivelit të lartë moral të udhëheqësve të saj, si psh. Willy Brandt, i cili gjunjëzohet e kërkon falje për krime për të cilat nuk ka qënë pjesëmarrës (me armë ose shkrim) dhe s’i takonte asnjë përgjegjësi. Ndjesën publike ai e bëri në emër të të ardhmes, madje jo vetëm të dy popujve. E këtë mësim të madh edukativ e njerëzor nga historia e shekullit të kaluar, e pasqyron mirë e bukur edhe kjo foto shtypi e realizuar në Varshavë, më 12 dhjetor 1970.