Nevojë urgjente për të vizituar Shtetet e Bashkuara. Ç’mund të bëj?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both (email: [email protected])

Avokati Kieran Both

Jam nënshtetas shqiptar. Gjyshërit e mi jetojnë në SHBA dhe kanë green card. Gjyshi është i sëmurë rëndë dhe kam frikë se nëse nuk shkoj menjëherë në SHBA, nuk do ta shoh më. E kam të qartë se është e vështirë për një të ri të pamartuar të marrë vizë vizitori, por nuk e di se çfarë të bëj. A ka ndonjë mënyrë që të mund ta bind qeverinë e SHBA-së të më lejojë të shkoj në SHBA? Premtoj se do të kthehem në Shqipëri, pasi po ndjek studimet në Universitet.

DL, Tiranë

Po, është e mundur të merrni “Humanitarian Parole”, por do t’ju duhet të përgatisni me kujdes kërkesën e plotë. Në situata urgjente, anëtarët e familjes mund të kenë nevojë të menjëhershme për të udhëtuar  në SHBA dhe nuk kanë kohë të mjaftueshme për të aplikuar për vizë vizitori. Kërkesat e paraqitura në raste të tilla quhen “Humanitarian Parole” dhe vendimi për to merret pas një shqyrtimi të secilës kërkesë si rast më vete dhe në varësi të situatës urgjente që paraqet secila. Personat që janë jashtë Shteteve të Bashkuara kanë mundësi të bëjnë kërkesë për të hyrë në  Shtetet e Bashkuara përmes kësaj leje të veçantë, që ka për bazë arsyet humanitare (si nevoja urgjente familjare) ose përfitimet e rëndësishme për publikun në tërësi. Nëse kërkesa aprovohet, Shërbimi i Emigracionit (USCIS) përcakton kohën që nevojitet për të përmbushur qëllimin e vizitës urgjente. Për shembull, nëse leja në fjalë kërkohet për të marrë pjesë në një proces gjyqësor civil midis palëve private, USCIS mund ta japë lejen për aq kohë sa personit i duhet të ndjekë procesin gjyqësor. Statusi mbaron në datën e skadimit të vizës ose kur përfituesi i saj largohet nga Shtetet e  Bashkuara. Në disa raste, USCIS-i mund t’i vërë kushte personit që ka marrë lejen në fjalë (parole) siç është p.sh. kërkesa për t’u paraqitur për raportim. USCIS-i mund të revokojë statusin në çdo kohë dhe pa paralajmërim, nëse aplikuesi nuk i përmbush kushtet e vëna nga emigracioni. 

Kushdo mund të kërkojë statusin e mësipërm për vete ose në emër të një personi tjetër, duke paraqitur Formularin I-131, Aplikim për Dokumentin e Udhëtimit. Peticioneri është një individ ose subjekt që paraqet Formularin I-131, në emër të një individi që gjendet jashtë Shteteve të Bashkuara. Peticioneri mund të paraqesë peticion për vete për të marrë parole. Nuk është e thënë që peticioneri të banojë në Shtetet e Bashkuara apo të ketë lidhje me përfituesin.

Një faktor i rëndësishëm që merret në konsideratë kur vendoset nëse duhet aprovuar ose jo kërkesa për parole, është mundësia e përfituesit për të mbajtur ekonomikisht veten në Shtetet e Bashkuara. USCIS-i kërkon prova që dëshmojnë që sponsor-i pra personi që ka rënë dakort të bëhet garant për t’i siguruar përfituesit mbështetje financiare për udhëtimin dhe qëndrimin në SHBA gjatë gjithë kohëzgjatjes së autorizuar është në gjendje ta bëjë diçka të tillë. Mungesa e këtyre provave përbën një faktor të fortë negativ që mund të çojë në hedhjen poshtë të kërkesës për parole. Sponsor-i mund të jetë dhe vetë peticioneri, qoftë ky peticioner një person apo subjekt i caktuar. Sponsor-i duhet të dorëzojë Formularin I-134, (Affidavit of Support) për secilën nga kërkesat për parole në mënyrë që të vendoset nëse ka ose jo burime të mjaftueshme financiare  për të mbështetur përfituesin ekonomikisht, nëse fondet janë jashtë shtetit dhe nëse është e mundur të përdoren këto fonde gjatë kohës së qëndrimit të përfituesit në Shtetet e Bashkuara. 

Megjithëse nuk ka kërkesa lidhur me statusin e emigracionit të sponsor-it në SHBA, një sponsor që është banor i përhershëm në Shtetet e Bashkuara ose është nënshtetas amerikan, mund të shihet në mënyrë më të favorshme si dikush që është në gjendje t’i ofrojë përfituesit mbështetje ekonomike gjatë kohës së qëndrimit në SHBA. Dëshmia e statusit të sponsor-it mund të jetë faktor i rënëdësishëm për të vendosur nëse sponsor-i është i aftë t’i sigurojë mbështetje ekonomike vizitorit. Prandaj, është mirë që peticioneri së bashku me kërkesën për parole të paraqesë dhe dëshmi të statusit ose të nënshtetësisë amerikane të sponsor-it, si p.sh. green card-ën ose certifikatën e natyralizimit, çertifikatën e lindjes ose pasaportën. 

Disa shembuj provash që dëshmojnë se ka burime financiare janë fletëpagesat nga puna, dokumentat e taksave që i janë paraqitur shtetit ose një letër nga punëdhënësi i sponsorit. USCIS-i shqyrton me radhë çdo kërkesë të  paraqitur dhe dokumentat që e shoqërojnë, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat. Kërkesa për parole aprovohet vetëm nëse aplikanti ka arsye urgjente humanitare ose të një rëndësie të madhe publike për t’u ndodhur në Shtetet e Bashkuara dhe nëse e meriton vërtet një ushtrim të diskrecionit në favor të tijin.

Arsyet urgjente humanitare

Nuk ka asnjë përkufizim të veçantë për “shkaqe urgjente humanitare”. Zyrtarët e USCIS-it shqyrtojnë të gjitha rrethanat, duke marrë parasysh, por pa u kufizuar në, faktorë të tillë si:

• Nëse rrethanat janë ose jo të ngutshme;

• Efekti i rrethanave në mirëqenien e individit; dhe

• Shkalla e vuajtjes që mund t’i shkaktohet si pasojë personit në rast se nuk i

aprovohet kërkesa.

Një aplikant mund të dëshmojë që rasti i tij është urgjent duke paraqitur bindshëm arsyen pse nuk pret koha dhe pse është urgjente që të jetë në Shtetet e Bashkuara dhe mes arsyeve përfshihen rastet e trajtimit mjekësor urgjent, ose të nevojës për të parë dhe ndihmuar një anëtar të familjes që është në fund të jetës për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Faktorët që merren parasysh në përcaktimin e arsyeve urgjente humanitare varen nga lloji i kërkesës për parole

Më pas kërkesa për parole dërgohet në Seksionin e Operacioneve Ndërkombëtare të USCIS-it (USCIS-IO) në Uashington, DC. USCIS-i shqyrton kërkesën për urgjencë (Triage) brenda 2 ditëve pas marrjes së kërkesës (zakonisht dy javë pas paraqitjes pranë Lockbox-it) për të  vendosur nëse kërkesa meriton ose jo të futet në proçedurë të përshpejtuar për shkak të një arsyeje urgjente ose për shkak se koha nuk pret.

Të gjitha kërkesat shqyrtohen paraprakisht për të përcaktuar nëse janë vërtet urgjente, pavarësisht se personi që ka bërë kërkesën ka kërkuar në mënyrë specifike proçedurë të përshpejtuar. Më pas një zyrtar i USCIS-it do të shqyrtojë dhe përgatisë vendimin. 

Nëse autorizohet, USCIS i dërgon peticionerit, përfituesit apo kujdo që ka bërë kërkesën, një letër miratimi. Letra përmban vendimin si dhe hapat që duhen ndjekur për të marrë dokumentin e udhëtimit. USCIS-i gjithashtu do të njoftojë ambasadën ose konsullatën amerikane më të afërt me vendbanimin e përfituesit. Nëse aprovohet kërkesa, njoftimi i bën të ditur përfituesit që ai ose ajo duhet të plotësojë një formular DS-160, Application for a Nonimmigrant Visa si dhe të paraqitet për një takim në seksionin konsullor të Departamentit të Shtetit. Nëse nuk ka dalin probleme të tjera, Konsullata e SHBA-së do të lëshojë një dokument që njihet si “boarding foil” (fleta e imbarkimit) e cila i lejon përfituesit të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara brenda 30 ditëve nga dita e lëshimit.

Shpresojmë që kërkesa juaj të aprovohet dhe ta takoni sa më shpejt gjyshin.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]