Nga Keze Kozeta Zylo
Në selinë e Federatës Pan Shqiptare Vatra u organizua një takim mbresëlënës midis komunitetit shqiptar dhe Prof.Gëzim Alpion.
Prof. Gezim Alpion mbajti leksionin “Mother Teresa and the Illyrian Foundations of Western Civilization”.
Tubimin e hapi z.E lmi Berisha kryetar i Vatrës i cili i përshëndeti plot përzemërsi pjesëmarrësit dhe iu uroi mirëseardhjen Prof.Gëzim Alpion. Editori i Diellit z.Sokol Paja moderoi këtë aktivitet të rëndësishëm.
Prof. Alpion gjatë studimit të tij shpjegon me fakte historike se Iliria i hapi dhe ndriti rrugën qytetërimeve greke dhe romake, ashtu si vitet e formimit të Nënë Terezës qe janë jetike për të kuptuar figurën e jashtëzakonshme fetare.
Në leksionin e tij ai pohoi se figura e madhe e planetit Shën Tereza kërkon midis studiuesve shqiptarë dhe te huaj një bashkëpunim për të arritur në përfundime të sakta shkencore.
Me një elekuencë në të folur dhe tejet bindëse ai foli për rrugëtimin dhe punën e tij studimore për 20 vjet rreth Nënë Terezës. E dhimbshme ishte kur solli tragjedinë që kishte pësuar Nënë Tereza kur ishte fëmijë e cila ngeli që në moshën nëntë vjece pa baba. Babai i saj Kolë Bojaxhiu ishte nje figurë e njohur dhe me emër në Shkup, ai e donte arsimimin shqip të fëmijëve, ishte një burrë i ditur, dhe pikërisht atdhetarizmi i tij ishte vënë në shënjestër të sllavëve ndaj dhe ata e helmuan derisa sa vdiq. Aq shumë helm i kishin hedhur në trup saqë kur e varrosën, arkivolin ia ndërtuan me alumin me qëllim që të mos infektonte të tjerë përreth. Duke e spjeguar në anën psikologjike, sociologjike ai tha se babai i saj pati një ndikim të fuqishëm ne jetën dhe në formimin e saj.
Ai solli portretin shpirtëror të Nënë Terezës në Shkup ku jetoi fëmijërinë, plus vdekjes së babait ajo ndjeu dhimbjen nga afër të gjashtë personave të familjes. Ai argumentoi se dhimbja që ndjeu bëri të dëgjojë thirrjen e Zotit si babai hyjnor i saj. Me krenari tha se Shën Tereza ka frymëzuar njerëzimin se cfarë është mirësia, shpirtgjerësia, shërbimi dhe dashuria për njeri tjetrin.
Prof.Albion ishte i ftuar nga Universiteti “Georgetown” dhe Universiteti i Harvardit universitete shumë të mirënjohura në botë.
Prof.Alpion është një nga autorët më autoritare në botë dhe të besueshëm të studimit rreth veprës së Nënë Terezës. Ai me fakte shkencore, historike, ka ditur ta sjellë shenjtoren shqiptare dhe të gjithë botës si një nga humanistet më të mëdha dhe më të përkushtuara në botë.
Profesor Gëzim Alpion punon në Universitetin “Birmingham” të Anglisë, si dhe që nga viti 2002 është anëtar i Departamentit të Sociologjisë.
Nënë Tereza është perëndeshë e frymëzimit, bamiresise, ndihmës së tejskajshme të të braktisurve, të sëmurëve, është sinteza e një popullit të lashtë sa vetë njerëzimi.
E shtuna e fundit e prillit në New York u bë dhe më pranverore ngase midis nesh ishte Shën Tereza, prof. Alpion dhe Vatra e Nolit dhe e Konicës.
30 Prill, 2022
Bronx, New York