Të mësosh një gjuhë të huaj me mësues privatë kushton shtrenjtë, por edhe të ndjekësh kurse është e vështirë për shkak të orareve. Glovico ofron mësim përmes Skype-it.
Në Mynih është ora 5 mbasdite. Ulrike Trüstedt është ulur para kompjuterit të saj në kuzhinë dhe po shikon ekranin. Atje shfaqet Julio Gomez nga Karakasi ku është ora 10 e paradites. Ai është ulur në një tavolinë para kompjuterit dhe është duke punuar. Gomez i jep mësime spanjishteje Ulrikes dhe tema e sotme është “Festat e Majit‘. I riu përpiqet të kuptojë Ulriken, kur ajo i shpjegon traditat bavareze në spanjisht. Ai më pas e pyet dhe e korrigjon.
Julio Gomez punon për Glovico, një kompani e cila mundëson mësimin e gjuhëve të huaja përmes Skype-it. Klientët e kësaj kompanie kanë avantazhe sepse mësuesit janë nga vendet ku flitet gjuha që ata duan të mësojnë. Kjo ide i lindi hamburgasit Tobias Lorenz.
“Rreth tre vjet më parë isha në Eritre për të punuar për temën e doktoraturës, ku kam studiuar sipërmarrjet sociale. Atje kam parë se si krijoheshin sipërmarrje të vogla në sektorin e ujit dhe arsimit. Kjo ishte një gjë që më bëri përshtypje duke parë situatën politike të Eritreas“, thotë ai.
Themelimi i kompanisë
Për shkak se Tobias Lorenz fliste shumë në Skype me miqtë dhe familjarët e tij në Gjermani, i lindi ideja të krijonte një sipërmarrje sociale që të krijonte lidhje përmes Skype me personat që nuk kishin kushte të mira ekonomike. Në një konferencë me temë „Financimi i sipërmarrjeve sociale“ në Shkollën e Lartë të Biznesit, Instituto de Estudios Superiores de la Empresa, në Spanjë ai u shpjegoi idenë e tij studentëve të interesuar, të cilët e ndihmuan më pas të krijonte një plan biznesi.
Kërkesat më të mëdha tek kompania vijnë nga studentët dhe profesionistët e rinj, por nuk është i vogël edhe interesimi i të moshurave. Ulrike Trüstedt merr tre orë mësime dhe është e kënaqur. Vajza e saj ka të dashur një spanjoll, prandaj ajo kërkon të përmirësojë spanjishten. Për të Glovico është zgjidhja ideale sepse nëse do të kishte një mësues provat gjuhe në Mynih do të paguante nga 30 deri në 50 Euro në orë.
“Modeli ynë i biznesit është shumë i thjeshtë. Për çdo orë në mbajmë një komision prej tre eurosh. Nga gjashtë deri në 700 orë bisedimi në muaj, mund të fitojmë rreth 2000 Euro, çka mjafton për mbajtur funksionale kompaninë.” – tregon Tobias Lorenz.
Për Julio Gomez pesë Euro nuk është një shumë e madhe. “Për mua është e qartë se nuk është një shumë e konsiderueshme parash. Por mendoj se është më mirë të kesh pak të ardhura se asgjë. Kam kohë mjaftueshëm për të bërë diçka të tillë.”
Zgjerimi i kompanisë
Julio, i cili është mësues anglishteje dhe spanjishteje me studime univeristare, i lejon vetes të rrisi çmimin në 12 deri 15 euro për orë. Kjo mund të funksionojë thotë ai, por Glovico duhe të forcojë akoma më shumë pozitat në treg. Deri në fund të vitit orët e komunikimit do të rriten deri në 3 mijë.
Gjithashtu Glovico ka si qëllim të rrisë bashkëpunimin me kompanitë të cilat duhet të dërgojnë punonjësit e tyre në vende të ndryshme. Me anë të Glovico-s këta punonjës do të kenë mundësi të dëgjojnë theksin e gjuhës së vendit ku do të shkojnë, por edhe do të krijojnë një kontakt, që mund t’i ndihmojë më pas në takimin e drejtpërdrejtë. Julio Gomez thotë se është bërë mik me disa nxënës të tij. Një çift nxënësish shkojnë rregullisht në Venezuelë dhe Gomez kujdeset për udhëtimin e tyre, në cilin hotel duhet të shkojnë, cilat vende do të vizitojnë dhe ku është me rrezik. Disa informacione janë mjaft të rëndësishme, veçanërisht në zona ku banorët nuk flasin gjuhë të huaja. Tobias Lorenz shikon një vend të veçantë për shkollën e tij.
“Ne ofrojmë më shumë se 35 gjuhë, duke nisur që nga më të mëdhatë si frëngjisht, spanjisht, anglisht, arabisht, kinezçe e deri tek ato më të voglat si tagalog e filipinçe, uolou e senegçe apo suaheli. Zemra jonë rreh më shumë për gjuhët e vogla, sepse ne ofrojmë një mundësi unike për t’i mësuar”, përfundon ai.