Tiranë, 9 maj 2022 – Fermerët në Shqipëri kanë nisur të përdorin mbetjet e kafesë si plehra kimikë. Çmimet e larta të plehrave që përdoren në buqësi, i kanë detyruar fermerët të gjejnë burime alternative.
Alban Cakalli ka një tokë në veriperëndim të Shqipërisë ku kultivon perime. Ai po eksperimenton edhe me bimë ekzotike si frutat e pasionit, ndërsa tregon se shkon në lokalet e zonës për të mbledhur mbetjet e kafesë.
“Ideja erdhi për shkak të rritjes së çmimit të plehrave dhe pesticideve të tjera të përdorura në bujqësi”, thotë ai.
Albani tregon se çmimet e plehrave që bërdoren në bujqësi janë rritur me 50 përqind kohët e fundit. Pasi lexoi disa studime se mund të përdorte edhe mbetjet e kafesë si alternativë, ai vendosi ta provojë. Tani Albani është i lumtur që po përdor një nënprodukt që do të hidhej.
“Është mirë të riciklosh gjithçka në bujqësi. Toka dëshiron të ushqehet herë pas here dhe mënyra më e mirë është që të gjitha frutat, të gjitha mbeturinat në bujqësi, të kthehen në tokë sepse kohët e fundit kemi vuajtur nga erozioni”, thotë zoti Cakalli.
Çdo ditë ai shkon në kafenetë e zonës ku banon për të marrë mbetjet e kafesë.
I përzien mbetjet e kafesë me barin e korrur dhe pret tre muaj përpra se ta përdorë tek frutat e pasionit. Por kjo zgjidhje që ai ka gjetur ka shkaktuar një konkurrencë të fortë, pasi edhe banorë të tjerë kanë filluar të mbledhin mbetjet e kafesë.
Fermerë si Albani gjithashtu i bëjnë thirrje qeverisë për mbështetje, pasi sipas tyre ata kontribuojnë 20 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë.
(Zëri i Amerikës)