Ruben Avxhiu
Presidenti Trump njoftoi sot krijimin e një bashkëpunimi publik-privat që bashkon investime nga qeveria dhe firmat private për zbulimin sa më të shpejtë të një vaksine kundër virusit korona.
Ai e titulloi projektin “Operacioni përtej shpejtësisë së dritës” dhe tha se synimi mbetej që vaksina të bëhej e mundshme përpara mbarimit të vitit.
Ai e krahasoi atë me suksesin amerikan kur SHBA arriti të bëhej vendi i parë në botë që zotëronte armën bërthamore, në fund të Luftës së Dytë Botërore.
“Kjo përpjekje nuk është parë ndonjëherë në vendin tonë që prej Projektit Manhattan…”, tha Presidenti Trump, duke folur nga Kopshti i Trëndafilave i Shtëpisë së Bardhë, ku jep zakonisht konferenca shtypi. “Askush nuk ka parë ndonjë gjë si kjo që po bëjmë në vendin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore. E pabesueshme”.
Disa nga figurat kryesore të kabinetit qeveritar amerikan ndodheshin gjithashtu të pranishëm. Ndryshe nga këshilltarët e tij të fushës së mjekësisë dhe shëndetit, Presidenti Trump përsëri nuk mbajti maskë, duke shpërfillur këshillat se mund të ndihmonte mbajtjen e maskave në publik, duke dhënë shembullin personal.
Trump premtoi një kthim të sigurtë në “mënyrën amerikane të jetesës” dhe shprehu besimin se megjithë rënien e çerekut të parë, ekonomia amerikane do të shkëlqente në çerekun e katërt, duke e kthyer 2020-n në një vit suksesi.
Për të simbolizuar bashkëpunimin mes qeverisë dhe sektorit privat ai kishte ftuar në konferencë Moncef Slaoui, ish-drejtues i seksionit të vaksinës në “GlaxoSmithKline” dhe gjeneralin Gustave Perna të Ushtrisë Amerikane. Slaoui do të mbikqyrë punën për zhvillimin e vaksinës, kurse Perna logjistikën e operacionit.