Mbresa
Nga Fuat Memeli
BOSTON – Prej kohësh kam patur dëshirë të takohem me poetin e shquar, prof. Vangjush Zikon. Desha të pinja një kafe më ‘të, të dëgjoja fjalën e tij të mënçur e të bënja një foto për kujtim. Shumë vite më parë, qysh kur isha i ri, e kisha ndeshur në shtyp emrin e tij , kisha lexuar poezitë e bukura por nuk më ishte dhënë rasti të njihem nga afër. Kjo dëshirë m’u realizua para disa ditësh , kur isha në Kanada te djali im që jeton aty. Ndër telefonatat e para që bëra për të afërmit dhe miqtë e mij, ishte edhe ajo për prof. Vangjushin. Ai nuk u ndodh në shtëpi por me të dëgjuar mesazhin , më telefonoi. Biseduam për shëndetin e njëri-tjetrit, për kohën e qëndrimit tim në Kanada si dhe për mundësinë e takimit tonë. Por, ndodhi një koincidencë e bukur. Atë ditë erdhi në Toronto nipi im, Eduarti, për të më çuar te shtëpia e tij në Misisaga, që ndodhet rreth një orë larg Torontos. Gjatë rrugës, i tregova për bisedën që kisha bërë më prof. Vangjushin dhe mundësinë e takimit me ‘të.-Këtë punë e zgjidh unë, tha Eduarti. Menjëherë mori në telefon Vangjushin dhe e ftoi për drekë.(Theksoj se ai e njihte atë dhe djalin e tij. E cili shqiptar në Kanada , nuk e njeh dhe nuk ka dëgjuar për Vangjushin!) –Do vij me kënaqësi, tha ai, por nuk ka kush të më sjellë.- Vij të mar unë, i tha Eduarti. Pasi na çoi në shtëpinë e tij , nipi u nis për ta marrë. Brenda një ore, Vangjushi ishte te shtëpia e nipit ku isha edhe unë.
Po bëj një parantes këtu, duke thënë pak fjalë (për ata që nuk e njohin) për jetën dhe krijimtarinë e Vangjush Zikos. Ka lindur në Korçë në vitin 1931. Babai i tij është nga Bezhani i Kolonjës, ndërsa nëna nga Dardha e Korçës. Shkollën e mesme e ka ktyer në Korçë ndërsa studimet e larta në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë. Ka punuar mësues në Gjimnazin “Raqi Qirinxhi” dhe Universitetin”Fan Noli” në Korçë. Për disa vjet me rradhë ka drejtuar degën e Lidhjes së Shkrimtarëve në këtë qytet. Qysh nga viti 1959 e deri sot, ka botuar 25 libra, kryesisht me poezi por edhe romane e drama. Nga rusishtja ka përkëthyer poezi nga Pushkini, Esenini dhe Evtushenko. Gjithashtu ka përkëthyer një antologji prej katër vëllimesh me lirika ruse , ku përfshihen 500 poezi, nga 300 poetë, që nga fillimi i shekullit të 18-të, deri në fund të shekullit të 20-të. Ka botuar edhe studime siç është ai për Bezhanin e Kolonjës, për Korçën, shkrime kritike, ese, skica, etj. Është edhe autor i dy skenarëve artistikë. I është dhënë Urdhëri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë si dhe çmimi ” Kurora e krijimtarisë” nga Klubi i Shkrimtarëve “Bota e re”.
U takuam përzemërsisht me profesor Vangjushin, si të njiheshim prej kohësh. Faqja e krijuesve të “Botës së re” ka bërë punën e vet, duke na njohur e miqësuar me shumë krijues që nuk njiheshim më parë. Kjo ka ndodhur jo vetëm me mua por edhe me mjaft krijues të tjerë, si për shëmbull me Fiqri Shahinllarin , Murat Gecajn etj, të cilët kanë shprehur të njëjtin mendim. Pasi biseduam pak , profesori më tha: -Të kam sjellë një dhuratë të vogël. Hoqi letrën që e kish mbështiell e më dhuroi librin e tij me poezi ”Monologu i ajsbergut”.-Ky libër m’u ndodh , më tha, pasi të tjerët i kam shpërndarë. E falenderova për dhuratën dhe i thashë se do të jetë një kujtim i veçantë. Gruaja ime, Mukadesi, e fiksoi në fotografi këtë moment. –Edhe unë të kam sjellë diçka, i thashë profesorit dhe nxora nga çanta dy libra të mi: një monografi kushtuar mësuesit të shquar të qarkut të Korçës e më gjerë, të ndjerit Dhimitër Farmaqi si dhe librin me poezi ”Në vjeshtën e jetës”. Më falenderoi e më tha se do t’i lezojë me kënaqësi. Pastaj e ngacmova për poezinë, që është pjesë e shpirtit të tij.-Poezinë e kam dashur qysh në rininë time dhe ajo m’u bë bashkëudhëtare për gjithë jetën. Jam munduar të ve një gur në ngrehinën e poezisë shqiptare. Poezia ka evoluar ndër vite, vazhdoi ai. Unë mundohem të ri në kontakt me poezinë e sotme bashkëkohore si atë amerikane, kanadeze, etj. Krahas gdhendjes së bukur të vargut e figuracionit, për mua rëndësi të dorës së parë ka mesazhi filozofik që përcjell poezia.( Mendimet e tij për poezinë, ai i ka shprehur shumë herë në faqet e” Botës së re“ dhe nuk po zgjatem.)Biseda jonë vazhdoi për emigracionin , për atë që humbëm e fituam si dhe për gjendjen në Shqipëri. Një merak të veçantë kishte ai për brezin e ri që po rritet në emigracion , për mundësinë e humbjes së gjuhës shqipe tek ata si dhe për punën e veçantë që duhet të bëjnë familjet si dhe komuniteti shqiptar ku ata jetojnë. Më pas më foli për bukuritë e Kanadasë e parqeve të saj si dhe për mundësitë e bërjes së bashku të një filmi dokumentar , i cili të shfaqet te televizioni i shqiptarëve në Kanada. Pasi e përgëzova për librin e tij të fundit”Korça-qyteti dhe kujtime” botuar vitin e kaluar, e pyeta për planet e tij krijuese.-Kam në dorë një libër për serenatat korçare si dhe një album fotografik me këtë temë, më tha ai. Kam ende punë për të bërë për këto dy botime. Këto dit do shkoj në Korçë , do t’i jap dorën e fundit e do t’i botoj.
Ndërkohë që ne bisedonim, nusja e nipit tim , Mira, kish shtruar drekën. Të ftur ishin edhe bashkëshortët Fatos e Shpresa Hajro, banues në këtë qytet. Dreka vazhdoi 3-4 orë , deri afër mbrëmjes. Më mbetën në mëndje dy momente të bisedës gjatë drekës. Momenti i parë ishte kur një nga pjesëtarët e tavolinës, duke folur për ndryshimet midis qytetarëve dhe fshatarëve shqiptarë, u shpreh me një lloj nënvleftësimi për fshatarët. Prof. Vangjushi ju përgjigj aty për aty:-Mos harro se burimet rjedhin nga malet! Ishte një frazë e shkurtër por mjaft kuptimplote. Momenti i dytë që më la mbresë, ishte ai i kolonjarit, Fatos Hajro, ekonomist me emër në Shqipëri. –Muajt e parë kur erdha në Kanada, m’u mbaruan lekët që kisha me vete, por familja duhej mbajtur. Bëheshim katër vetë: unë, gruaja dhe dy vajzat, por asnjë nuk ishte në punë. Shkova në zyrat e asistencës dhe kërkova të më jepet ndihmë sociale për pak kohë, sa të gjenim punë. Një punonjëse që merrej me këto problem, nuk ju mbush mëndja dhe s’e pranoi kërkesën time.-Do ta bëj problem në shtyp dhe te eprorët tuaj !- i thashë dhe u largova. Të nesërmen më mbrin në shtëpi një çek nga kjo zyrë me vlerë 1500 dollarë. U çudita se si ndryshoi mëndje punonjësja në fjalë. Një ditë pas mbritjes së çekut, më vjen njoftimi për të filluar punë. Shkova menjëherë te zyrat e asistencës dhe i dorëzova çekun punonjëses në fjalë. Ajo u çudit me veprimin tim.—Këta janë shqiptarët! Ki besim tek ata!- i thashë dhe u largova.
Me një fotografi të përbashkët, u mbyll kjo drekë me prof. Vangjushin. Së bashku me nipin , e çuam përsëri te shtëpia e tij. U ndamë me dëshirën për t’u takuar përsëri. Makina jonë mori rrugën e kthimit por ai nuk po largohej. Na përshëndeste me dorë, deri sa nuk dukeshim më. (Tek qëndronte ashtu me vështrimin nga ne, më kujtoi nënat e baballarët tanë kur na përcillnin sa herë shkonim me pushime e nuk largoheshin , deri sa i humbisnim nga sytë.)
Me t’u kthyer në Toronto, fillova të lexoj librin me poezi që më dhuroi , të cilin e mbarova po atë natë. Nënvizova shumë vargje të bukur. Te poezia “Kalldrëmet”, kushtuar kalldrëmeve të Korçës, ai shkruan: Rrugë e shtruar me kalldrëm/ rrugë me gurë që mbajnë mend/ mbi këto gurë i shtruar mbeti/ libri i gurtë i një qyteti…Te poezia “Sirenat”: Kur lexoj shpesh tjetër poet/ vetes i them më nuk do shkruaj/ letra më bëhet dallgë e det/dhe vargu varkë e copëtuar..Ja edhe pak vargje nga poezia “Për ku nxitoni”: Asnjë s’arrin atje i ngopur/asnjë i lumtur atje s’arrin/ i lum’ ai që n’atë gropë/emri si pish’ e blert’ i mbin….Mund të sillnja edhe plot vargje të tjerë të bukur nga ky vëllim e të flisnja më gjatë për këtë libër, por mendoj se këtë punë duhet ta bëjë një usta shumë më i mirë se mua.
Prej disa ditësh prof. Vangjushi ndodhet në Korçën e tij të dashur, të cilës i ka kënduar e që vazhdon t’i këndojë. Do të rrijë aty deri nga vjeshta , jo vetëm për t’u shmallur por edhe për të mbaruar punët krijuese që ka në dorë. Dua t’i mbyll këto rradhë duke rikujtuar propozimin e bërë nga krijuesit e “Botës së re” drejtuar bashkisë së Korçës, për ta shpallur poetin dhe intelektualin e shquar, Vangjush Ziko, qytetar nderi të saj. Kush e di, sivjet me gjithë valën e nxehtë të votimeve që zjen në Shqipëri, ndoshta dëgjohet zëri ynë nga këshilli bashkiak i Korçës…..