Tiranë, 20 maj 2022 – Në Shqipëri dështoi edhe një përpjekje për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Negociatat midis pushtetit dhe opozitës për gjetjen e një formule të pranueshme për të dy palët dështuan të premten.
Në tryezë, përveç përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së, morën pjesë edhe përfaqësuesit e partive të vogla në opozitë. Grupi i deputetëve të PD-së që e mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, nuk pati përfaqësues në tryezë.
Kryetari i grupi parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, tha se Partia Socialiste e shpërfilli vullnetinne opozitës për të zgjedhur një konsensual, prandaj e bëri të padobishëm vazhdimin e tryezës.
“Ne u nisëm për të krijuar një proces që të ishte jo proces kulisash, por në sytë e publikut. Duke qenë në mënyrë transparente, është e qartë që ne kemi qëndruar parimorë për të dhënë një president konsensual. Keqardhja ime është se në atë mbledhje në kryesi ne ramë dakord, Balla tha se biem dakord me dokumentin, por ky dokument u shkel nga ana e PS-së”, u shpreh ai.
Alibeaj tha se emrat e kandidatëve të opozitës e sfiduan mazhorancën, sepse ata janë njerëz të profilit të lartë.
“Emrat që dolën dje, profile të larta të pa korruptuara. Garancitë që ata kanë sfiduan për së largu Ramën dhe mazhorancën. Panë emrat, panë që askënd nga ata nuk mund ta peshkonin. Për këtë arsye, u tërhoqën me bishtin ndër shalë”, tha ai.
Alibeaj tha se opozita nuk do të bëjë propozime të kandidatëve për president në raundin e radhës të zgjedhjeve.
“Që të kishte një emër do të duhej që ky emër të propozohej nga ne. Nga katër kandidatura do të përzgjidheshin dy sic donin ata dhe nga ata dy të zgjidhnin një dhe ai një të kishte nënshkrimet e përbashkëta ne do të kishim presidentin e republikës të të gjithë shqiptarëve”, tha ai.
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, për një postimi në Facebook, e akuzoi Partinë Socialiste se e shfrytëzoi procesin për zgjedhjen e presidentit për protagonizëm dhe për ta përçarë opozitën.
“Siç dukej dhe dihej! Partia Socialiste shfrytëzoi nevojën për protagonizëm personal dhe “naivitetin” dhe siç e kishim paralajmëruar kjo farsë vetëm frangmentarizoi më shumë opozitën dhe i dha autokratit alibi sikur kishte proces dhe se opozita nuk merret vesh mes vetes për një kandidat të përbashkët! Ishte teatër me fund të ditur! Fatkeqësisht opozita mori kosto të panevojshme!”, shkruan Salianji.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, konfirmoi se pozita nuk kanë rënë dakord që t’i japë firmat për kandidatët e opozitës. Sipas tij, e vetmja dakordësi ishte që në dy raundet e mbetura, mazhoranca të mos e propozonte asnjë kandidat për President.
“Përpjekja për të gjetur një kandidat që vjen nga opozita, zyrtarisht, jo kështu, që nuk di sa kanë dalë deri tani. Duhet një gjë zyrtare. Nuk kemi pasur asnjë komunikim zyrtar me grupet parlamentare të opozitës, me emra konkretë”, tha ai.
“Ka pasur dakordësi që në dy raundet e mbetura të mos ketë propozim nga mazhoranca. Ka pasur një insistim të qartë nga ana jonë që nuk mund të mbështesim me firma një kandidat. Çfarë kuptimi ka që kandidatin e opozitës ta mbështesë shumica me vota”, shtoi Balla.
Sidoqoftë, ai theksoi se pas raundit të tretë, nëse opozita s’ka një kandidat, PS do të bëjë propozimet e saj dhe presidenti do tëzgjidhet në raundin e katërt.
“Do kemi një president në raundin e katërt. Jo se do respektojmë marrëveshjen. S’do të ketë asnjë emër deri në raundin e tretë. S’ka asnjë dyshim”, tha Balla.
Në tri raundet e para të votimit në Kuvend, presidenti zgjidhet me së paku 84 vota. Ndërkaq, në dy raundet në vijim presidentimund të zgjidhet edhe me 71 vota.
Partia Socialiste i ka 74 deputetë. Kështu, në dy raundet e fundit, ajo mund ta zgjedhë presidentin e ardhshëm të vendit edhe pa votat e opozitës.
Në këtë situatë, opozita është e pafuqishme të ketë ndikim në procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, përveç në rast se mazhoranca shpreh vullnet t’i bëjë nder asaj duke ia ia lejuar të propozojë një kandidat që do të jetë konsensual.
Kështu siç po rrjedh procesi, zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Shqipërisë do të jetë vetëm në dorën e Partisë Socialiste, më saktë të kryetarit të saj, Edi Ramës.
(r.m.)