Shqipëria sipas ministrit Niko Peleshi, është e vërtetë që ka porositur këtë sistem si pjesë e gjithë rrugëtimit, forcimit, Forcave të Armatosura, modernizimit, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së vendit
Knid Ndrenika
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se Shqipëria do të pajiset me armatimin raketor kundratank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministri gjatë një vizite në Pogradec pranë Korçës në juglindje të Shqipërisë, theksoi se sistemi “Javelin” është një nga më të mirët në botë.
“Nuk e çmoj me vend që në këto momente të flas për shifra dhe numra, por bëhet fjalë për një sistem që është risi, sistem raketor antitank që është më i miri në botë”-tha ministri i Mbrojtjes.
Pajisja me kundrankun “Javelin “ sipas zotit Peleshi është pjesë e programit të modernizimit të Forcave të Armatosura.
“Unë konfirmoj se është e vërtetë, që në kuadrin e modernizimit të ushtrisë rritjes së kapaciteteve, plotësimit të objektivave do të pajisemi me sistemin raketor antitank që po prodhohet nga kompania amerikane më e madhja në botë e indrustrisë ushtarake”-tha ai.
Shqipëria sipas zotit Peleshi, është e vërtetë që ka porositur këtë sistem si pjesë e gjithë rrugëtimit, forcimit, Forcave të Armatosura, modernizimit, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.
Por, ministri Peleshi u kujdes të theksonte se pajisja me sistemin “Javelin” nuk lidhet me ndonjë kërcënim të mundshëm:
“Nuk ka kërcënim. Mos krijojmë panik. Ne jemi në NATO dhe na mbron neni 5 i Traktatit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Hapësira e NATO-s është e paprekshme, por natyrisht ne do të ndjekim ritmin e Aleancës për t’u forcuar si pjesë e një aleance difensive”.
Ministri theksoi se “NATO sado e fuqishme që është nuk është kërcënim për botën, për Rusinë, për rajonin, sepse është një forcë jo onfensive nuk ka për qëllim të kërcënojë, por ka për qëllim të garantojë mbrojtjen e vet”.
Ai shtoi se rendi botëror i bazuar te rregullat pas agresionit rus në Ukrainë, “është tronditur fort dhe po na fut në një epokë të re”.
“Nuk është një çudi në kuptimin që ne kemi edhe shumë procese të tjera, blerje të tjera apo donacione të tjera si ky nga partneri ynë strategjik apo partnerë të tjerë në NATO. Ne zgjedhim vende të NATO-s për të shkëmbyer, dhënë dhe marrë kapacitete, armatim, modernizim të forcave tona”-tha zoti Peleshi.