Presidenti Ilir Meta në një konferencë për gazetarë këtë të shtunë tha se ideja “anëtar i asociuar” për Shqipërinë për në BE, është interesante
Knid Ndrenika
Presidenti Ilir Meta tha në Tiranë se pavarësisht ideve nga zyrtarë europianë për emërtesa të tjera për anëtarësimin në Bashkimin Europian, kryerja e detyrave është e pashmangshme.
Zoti Meta në një konferencë për gazetarë këtë të shtunë tha se ideja “anëtar i asociuar” për Shqipërinë për në BE, është interesante.
Mirëpo, sipas presidentit Meta, detyrimet e shkruara janë të domosdoshme për rrugën e eurointegrimit, ndërsa Shqipëria pret hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Komentet presidenti i bëri pasi Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel gjatë vizitës në Tiranë dje, përmendi emërtesën për Shqipërinë si “shtet i asociuar i Bashkimit Europian”.
“Idetë që hidhen nga individë të caktuar, pavarësisht nga funksionet që mbajnë, janë interesante. Mirëpo më të rëndësishme janë detyrimet e shkruara, të votuara nga institucionet më të larta të Bashkimit Europian”-tha presidenti.
Zoti Meta shtoi se këto institucione “i zgjedhin zyrtarë të tillë dhe u kërkojnë atyre llogari”, andaj theksoi se “këto janë të pashmangshme, të paevitueshme për një vend që kërkon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian”.