Për herë të parë që nga 2013, Sali Berisha u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike

Më 22 maj, anëtarësia dha deputetit Sali Berisha 93,45 për qind të votave kundrejt kandidatit Ibsen Elezi me 5,8 për qind

 

Knid Ndrenika

Sali Berisha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike së rithemeluar.

Votimi i së dielës së 22 majit përcaktoi zotin Berisha fitues me 93,45 për qind të votave, ose 40 mijë e 840 vota të anëtarëve.

Kandidati kundërshtar Ibsen Elezi fitoi 2532 vota ose 5,8 për qind.

Numri i përgjithshëm i votuesve ishte 43 mijë e 680.

Zoti Berisha rikthehet kryetar nga viti 2013 kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Deputet i Partisë Demokratike i përjashtuar nga grupi parlament, Berisha foli në seli pas përfundimit të numërimit të votave.

Zoti Berisha është angazhuar për të bashkuar Partinë Demokratike si dhe për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit socialist Edi Rama:

“Ne di t’ia dalim! Kemi për mision që proceset që njohu Partia Demokratike, t’i njohë mbarë shoqëria shqiptare dhe të shpëtojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton”!

Komisioni i Rithemelimit që udhëhiqet nga zoti Berisha do të duhet të marrë një vendim të Gjykatës së Apelit për të njehsuar ose jo vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që njohu si të ligjshëm Kuvendin e 11 dhjetorit 2021.

Mes moskuptimesh ligjore anëtarësia e Partisë Demokratike opozitare votoi për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Votimi për kandidatët Sali Berisha dhe Ibsen Elezi filloi në orën 8 të mëngjesit dhe shty deri kah 20:00 pasi duhej mbyllur në orën 18.

Procesi zgjedhor organizohet nga Komisioni i Rithemelimit që është njohur me vendim të gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit 2021.

Ndërkohë që Partia Demokratike e njohur ende në regjistrat gjyqësorë e ka dërguar këtë vendim në gjykatën e Apelit dhe ende nuk ka përgjigje.

Komisioni i Rithemelimit që u njoh për Kuvendin e 11 dhjetorit zhvilloi një tjetër Kuvend në prill 2022 dhe shtyu zgjedhjen e kryetarit për këtë 22 maj.

Kandidati Ibsen Elezi tha se “dita e së ardhmes nuk është as doktori (Berisha), as unë, por demokracia, ndëshkimi i çdo kujt, thyerja e kodit të pandëshkueshmërisë për këdo që ka prek votën, që ka zhytur rrugët në korrupsion gjatë gjithë këtyre viteve”.

Kurse deputeti Berisha tha që “të marrin pjesë të gjithë në këtë proces historik jo vetëm për PD por dhe Shqipërinë, të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë, të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për kandidatin që duan” dhe se “është një proces që finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre”.

Zoti Berisha u rikthye në veprimtarinë politike aktive me takimet e të njohurës “Foltore” pasi nuk u pajtua me përjashtimin nga grupi i deputetëve në 9 shtator 2021 nga kryetari i dorëhequr Lulzim Basha për shkak të shpalljes “I Padëshiruar ” (“Non Grata”) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen e tij.

Deputeti Berisha mori pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 me koalicionin e njohur si “Shtëpia e Lirisë” që kaloi nëpërmjet hapësirave ligjore për t’u regjistruar me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokristiane.

Në zgjedhjet për 6 kandidatë për kyetarë të bashkive, “Shtëpia e Lirisë” fitoi më të rëndësishmen, atë të Shkodrës dhe doli e dyta në katër bashki, përkundër Partisë Demokratike të zotit Basha që nuk fitoi asnjë dhe doli vetëm 1 herë e dyta.