Presidenti Meta takohet me kryetarin e Vatrës, Elmi Berisha, dhe miq të tjerë nga SHBA

Në delegacion merrte pjesë edhe miku i vjetër i shqiptarëve, Christopher Hyland, që bashkë me bashkatdhetarin tonë Jim Xhema u nderuan pak ditë më parë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

 

Nga Ruben Avxhiu

TIRANË

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është takuar sot me një delegacion nga Shtetet e Bashkuara, të udhëhequr nga kryetari i Federatës PanShqiptare “Vatra”, Elmi Berisha.
Bashkë me miqtë shqiptaro-amerikanë ka udhëtuar për në Tiranë, pas një ndalese në Prishtinë, Christopher Hyland, njeriu që në vitin 1992 drejtoi fushatën për president të Guvernatorit Bill Clinton, për komunitetet etnike.
Roli i tij ka qenë kyç në prezantimin e presidentit të ardhshëm Clinton me komunitetin tonë dhe sidomos me çështjen e Kosovës dhe të demokracisë në Shqipëri.
“Kënaqësi të takoja sot Kryetarin e Federatës Panshqiptare Vatra, z.Elmi Berisha dhe mikun e madh të kombit shqiptar, z.Christopher Hyland, një nga bashkëpunëtorët e afërt të Presidentit Clinton”, shkroi me këtë rast Presidenti Meta, në faqen e tij në Facebook. “Mirënjohjen më të thellë vatranëve, diasporës dhe miqve të sinqertë të shqiptarëve në SHBA për mbështetjen e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare, zhvillimin e demokracisë në vendin tonë, për kontributin shumë të vyer të dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për angazhimin e palodhur në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”.
Vatra është jo vetëm organizata më e vjetër shqiptaro-amerikane, por edhe organizata më e vjetër shqiptare në botë që është ende në funksionim. Në qershor, Federata e themeluar e drejtuar dikur nga figura madhore kombëtare si Fan Noli, Faik Konica e të tjerë do të festojë 110-vjetorin e themelimit të saj.
Kryetari Elmi Berisha, i cili është zgjedhur për herë të dytë, ka një histori të gjatë lobimi për Kosovën, si i dërguari special i Presidentit Ibrahim Rugova pranë Senatorit Bob Dole. Ai është autor librash dhe studimesh për temën e lidershipit.
Përpara mbërritjes në Tiranë, ky delegacion udhëtoi në Kosovë, ku mes takimesh dhe veprimtarish të ndryshme, pranuan edhe Urdhërin e Lirisë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për veprimtarin e shquar të komunitetit shqiptar, Jim Xhema.
Po në këtë ceremonia, Presidentja Osmani nderoi me Urdhërin Dr. Ibrahim Rugova biznesmenin njujorkez Christopher Hyland.
Vitin e kaluar, Presidenti Ilir Meta e dekoroi zotin Hyland me Urdhërin e Skënderbeut. Shkrimin për atë ceremoni mund të ndiqni këtu: https://www.illyria.com/presidenti-meta-vlereson-veprimtare-te-shquar-shqiptaro-amerikane/
Biznesmeni njujorkez nuk mundi të udhëtonte në atë kohë dhe e mori dekoratën më vonë nga Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.
Ky takim me Presidentin Ilir Meta vjen pra gati një vit pas dhënies së çmimit, për të cilin gazeta “Illyria” dhe Vehbi Bajrami luajti një rol të rëndësishëm duke prezantuar punën e bërë nga Hyland, gati 30 vjet më parë. Për shumë arsye, ky personazh me rëndësi në historinë e lobimit tonë në SHBA ishte lënë në harresë.

Mes miqve të shumtë nga SHBA udhëtojnë edhe Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, Presidenti i Rrijetit të Bizneseve në Diasporë Nazar Mehmeti dhe drejtori i këtij rrjeti Naim Dedushaj. Anëtari i kryesisë së Vatrës dhe veprimtari i njohur i komunitetit Musa Daka etj.

Gjatë qendrimit në Kosovë, delegacioni zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë dhe figura të njohura të jetës në Kosovë.

Në një ceremoni të bukur, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren ndau titullin Doktor Nderi “Dr. Honoris Causa”, për z. Christopher S. Hyland.

Rrugës për në Tiranë, delegacioni ndaloi në Kukës, në vendin që strehoi qindra mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës më shumë se 20 vjet më parë.

Veç takimeve të shumta në atdhe, Dr. Pashko Camaj mbajti një leksion të hapur mbi shëndetin publik në Universitetin Bujqësor të Tiranës.