Nishani kërkon bashkëpunim ushtarak në Ballkan

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani foli në Konferencën e 7-të të Nismës së Shefave të Shtabeve të Përgjithshëm të ushtrive të vendeve të Ballkanit

 

Denion Ndrenika

Presidenti Bujar Nishani deklaroi se rreziku për konflikte ushtarake në Ballkan është ulur ndjeshëm, por sfidë mbeten lufta kundër terrorizmit, trafiqeve dhe krimi ndërkombëtar. Zoti Nishani foli në Tiranë në Konferencën e 7-të të Nismës së Shefave të Shtabeve të Përgjithshëm të ushtrive të Rumanisë, Greqisë, shtetit maqedonas, Shqipërisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë. Konferenca vjetore synonte shkëmbimin e ideve midis zyrtarëve të lartë të ushtrive dhe rritjen e vëmendjes për zgjerimin e bashkëpunimit. “Po t’i hedhim një vështrim më të hollësishëm mjedisit të sigurisë ndërkombëtare, do të vërejmë se fokusi dhe shtrirja e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, rajonale apo ndërkombëtare, kanë marrë një dimension tjetër. Siguria dhe mirëqenia e vendeve tona paqësore mbetet ende e kërcënuar dhe si rrjedhojë rritet nevoja për një bashkëpunim e koordinim të vazhdueshëm dhe efektiv midis institucioneve të shteteve tona, sidomos midis organizmave të mbrojtjes e sigurisë kombëtare”-tha presidenti. Për zotin Nishani ushtritë e vendeve të Ballkanit duhet të gjejnë zgjidhjet e përbashkëta për të ruajtur sigurinë dhe paqen rajonale. Presidenti theksoi se siguria e vendeve paqësore në rajon mbetet ende e kërcënuar: “Rritet nevoja e bashkëpunimit midis institucioneve të shteteve tona, organizmave mbrojtës të sigurisë kombëtare. Gjasat për konflikte të mirëfillta ushtarake në rajonin tonë janë reduktuar ndjeshëm, por të ashtuquajturat “rreziqe asimetrike”, përhapja e Armëve të Dëmtimit në Masë, terrorizmi ideologjik dhe sulmet kibernetike, mbeten ende sfida për rajonin tonë dhe për mbarë botën”.
Zoti Nishani shtoi se integrimi euroatlantik, bashkëpunimi, integrimi rajonal, janë instrumentet më të çmuara për arritjen e objektivave të të gjitha vendeve: “Duke u nisur nga fakti që rreziqet ndaj sigurisë nuk janë thjesht lokale, aq më pak të mbyllura brenda kufijve kombëtarë, asnjë vend nuk është në gjendje t’i menaxhojë i vetëm këto rreziqe. Do të dëshiroja ta nxisja këtë forum që të konsideronte mënyrat për të zgjeruar kapacitetet për bashkëpunim jo vetëm duke u përqendruar ndaj rreziqeve asimetrike që përmenda më lart, por edhe në sigurimin e mbështetjes ushtarake për popullatën civile”.
Të ftuar në konferencë ishin përfaqësues të Kroacisë, Sllovenisë dhe zyrtarë të lartë të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Andaj, zoti Nishani shtoi se NATO si organizëm i suksesshëm ndërkombëtar për mbrojtjen e përbashkët, ka adoptuar kohët e fundit sistemin e “Mbrojtjes së Mençur” që afron aftësitë e vendeve anëtare për të përforcuar mbrojtjen kolektive për të gjithë. “Duke mbajtur në konsideratë rreziqet gjithnjë e më komplekse ndaj sigurisë dhe mbrojtjes kundrejt vendeve të rajonit tonë, edhe ne duhet të marrim një qasje të “Mbrojtjes së Mençur” dhe të gjejmë mënyrat për të sjellë së bashku disa nga kapacitetet individuale për një përfitim reciprok, për të bërë të mundur një rezultat më të kënaqshëm për shpenzimet e bëra”-tha presidenti.