Rama takon përfaqësues të LGBT: Jam pro të drejtës së bashkëjetesës

Kryesocialisti thyen tabutë e shoqërisë konservatore shqiptare – Pinderi dhe Karaj: Komuniteti ynë ka pritshmëri të larta nga PS

 

Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti dje në zyrën e tij përfaqësues të lëvizjes LGBT në Shqipëri, Xheni Karajn dhe Kristi Pinderi.
Në këtë takim Rama është shprehur pro të drejtës së bashkëjetësës brenda të njëjtës gjini, ndërsa lidhur me martesat mes tyre, kryesocialisti ka kërkuar më parë emancipimin e shoqërisë.
“Zoti Rama është pro të drejtës së bashkëjetesës, kurse në lidhje me çështjen e martesave mes së njëjtës gjini, pranoi se më parë duhet përgatitur shoqëria dhe duhet përgatitur terreni për të patur debate të frutshme dhe sidomos informim”, thuhet në një njoftim për mediat të shpërndarë nga përfaqësuesit e lëvizjes LGBT pjesëmarrës në këtë takim.
Ky është takimi i parë i kryetarit të partisë socialiste Rama me përfaqësues të komunitetit LGBT në Shqipëri. nga ana e tyre përfaqësues të këtij komuniteti i kanë shprehur zotit Rama pritshmërinë e lartë që ky komunitet ka tek PS në përkrahje të të drejtave të tyre.
“Në grupet tona sociale dhjetëra pjesëtarë të komunitetit LGBT kanë pritshmëri të larta ndaj PS”, i thanë aktivistët zotit Rama. “Ata janë të vëmendshëm për çdo gjë që ju thoni dhe sigurisht do të ishte zhgënjim shumë i madh në rast se ju nuk mbështesni publikisht të drejtat e LGBT si një grupim që jeton ende mes frikës dhe izolimit”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e lëvizjes LGBT. Zoti Rama është shprehur në këtë takim, sipas të njëjtave burime, se ka qenë ndër të parët që ka folur për çështjet e LGBT që në fillim të viteve ’90-të, “atëherë kur këtu të quanin homoseksual nëse flisje për çështje të tilla”.
Kreu i socialistëve u shpjegoi aktivistëve se Shqipëria ka nevojë për një debat emancipues në lidhje me LGBT. përgjigja e zotit Rama duket se nuk u ka pëlqyer përfaqësuesve të komunitetit LGBT, të cilët kanë kërkuar një rol më këmbëngulës dhe vendimtar të liderëve politikë në mbështetje të të drejtave të tyre. “Shoqëria mund të mos jetë asnjëherë gati, por është roli i liderëve që ta ndihmojnë dhe ta përgatisin atë”, mësohet t’i jenë shprehur kryesocialistit dy përfaqësuesit e këtij komuniteti. duke shprehur për rolin aktiv të PS nesër në qeverisje, Edi Rama ka premtuar për një projekt konkret për të mbrojtur të drejtat e tyre. “Edi Rama i siguroi aktivistët se brenda dy viteve të para të qeverisjes socialiste, do të ketë një projekt të planifikuar me kujdes dhe maturi për të integruar komunitetin LGBT, për të eliminuar format e diskriminimit, por sidomos për të informuar dhe kulturuar shoqërinë. Ai shtoi se tashmë është e nevojshme që të organizohen sa më shumë aktivitete publike të komunitetit.
Ju keni avokatë shumë të përkushtuar ndaj kauzës suaj, brenda PS, ku përveç meje janë dhe zonat e nderuara si Eglantina Gjermeni, Vasilika Hysi, Olta Xhacka, etj”, thuhet në njoftimin e lëvizjes LGBT pas takimit me Edi Ramën. për kryesocialistin, programi qeverisës i Partisë Socialiste ka përcaktime konkrete dhe parashikon masa që luftojnë diskriminimin e LGBT. Në kapitullin për Ripërtëritjen e Shoqërisë, thuhet: “Ndaj me një axhendë sociale që na ngarkon të drejta e detyra të gjithëve, së bashku, duam të ndërtojmë shoqërinë ku energjia, kreativiteti e mundi i secilit të gjejnë hapësirë jetësimi, përmes shtetit që ofron shërbime publike sipas nevojës. Eshtë mision i qeverisjes socialiste ti sigurojë çdo qytetari shqiptar pavarësisht të ardhurave, origjinës, moshës, gjinisë, etnisë, edukimit, orientimit seksual, identitetit kulturor, bindjeve politike e fetare, shërbime publike cilësore. Parimet bazë të
shërbimeve publike gjatë qeverisjes socialiste do të jenë: lehtësimi dhe zgjerimi i aksesit, drejtësia sociale, cilësia, standartet profesionale, pavarësi prej financuesit të shërbimeve, harmonizimi i shërbimeve publike dhe private, decentralizimi, pjesëmarrje qytetare, komplementariteti dhe konkurrenca e ndershme”.