Mbresa e kujtime nga takimet dhe bashkëpunimi me Dalip Grecën
Më 16 maj u nda papritmas e parakohshëm Dalip Greca, gazetar e publicist që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë shqiptare, sidomos atë të diasporës shqiptaro – amerikane, si redaktor i gazetës “Illyria” dhe më vonë kryeredaktor i gazetës “Dielli”, organ i “Vatrës”. Wshtë kjo një humbje e madhe për familjen, gazetarinë dhe komunitetin tonë shqiptaro – amerikan. Kam patur fatin e mirë që e kam njohur personalisht, kemi komunikuar herë pas here permes telefonit e postës elektronike. Emrin ia kam dëgjuar për herë të parë kur në vitin 1999 ai e mori detyrën e redaktorit të faqeve shqipe në gazetën “Illyria”. Që nga viti 1997 jam parapagues, pajtimtar (abonent) i kësaj gazete. Më 13 maj të vitit 2006 u bë përurimi i godinës së shoqatës “Bijtë e shqipes” në Philadelphia, dhe me këtë rast kishin ardhur edhe mjaft bashkatdhetarë nga Nju Jorku e Nju Xhersi, përfshirë edhe një delegacion të “Vatrës”, të kryesuar nga kryetari atëhershëm, z. Agim Karagjozi. Ishte i pranishëm edhe Dalipi, atëherë gazetar i “Illyrias”, i cili e bëri edhe një reportazh të zgjeruar për këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin tonë. Ky ishte takimi ynë i parë, ku patëm mundësi të njiheshim me njëri – tjetrin, të bisedonim për tema të ndryshme të ditës, shkrimet dhe angazhimet e gazetës për çështjet kombëtare, problemet me të cilat po ballafaqohej shoqëria shqiptare dhe komuniteti ynë shqiptaro – amerikan. Që në fillim më bëri përshtypje natyra e tij e qetë, mirësjellja, komunikimi i afërt, i drejtpërdrejtë dhe shumë i njerëzishëm. Një vit më vonë, me rastin e festimit të pesë vjetorit të themelimit të shoqatës sonë, Dalipi erdhi përsëri në mesin tonë, i shoqëruar nga poeti,Faslli Haliti, piktori, Zoi Shyti dhe gazetari, Beqir Sina. Edhe këtë radhë patëm mundësi të bisedonim gjërë e gjatë për shoqatën tone, komunitetin, cilësinë e shkrimeve të “Illyrias” dhe çështjet tjera kombëtare. Pastaj herë pas here jemi takuar nëpër veprimtari të ndryshme në Nju Jork e Vashington. Shoqata “Bijtë e shqipes” dhe udhëheqësit e saj gjithmonë kanë patur marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi me Dalip Grecën dhe gazetat “Illyria” e “Dielli”, të cilat vazhdimisht i kanë pasqyruar veprimtaritë tona në faqet e tyre përkatëse.
Në qershor të vitit 2014 shkolla jonë shqipe në Philadelphia festoi 10 vjetorin e themelimit dhe punës së saj të suksesshme. Me këtë rast u organizua edhe një simpozium ku u diskutua për shumë çështje e probleme të shkollave shqipe në diasporë. Edhe unë e mbajta një paraqitje të shkurtër për rolin e shkollave shqipe në ruajtjen e gjuhës, kulturës e identitetit kombëtar, që duhet të jetë detyrë parësore e diasporës shqiptare.. Disa ditë më vonë në Nju Jork u mbajt Festivali i Shkollave Shqipe, ku merrte pjesë edhe shkolla jonë. Aty e takova Dalipin dhe i tregova për festimin e përvjetorit të dhjetë të shkollës sonë dhe paraqitjen time të shkurtër. Ma dërgo këtë punim, më tha se, do ta botojë në “Dielli”. Ia dërgova dhe ai e botoi menjëherë. Më erdhi mirë që shkrimi ishte pritur mirë nga lexuesit. Po në qershor të vitit 2014 në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, por edhe pas 4-5 muajve pas zgjedhjeve ende partitë fituese nuk kishin arritur që ta formonin qeverinë. Thënë të drejtën kjo më shqetësonte, sepse nuk i jepte një pamje të bukur Kosovës. Me shekuj ishim përpjekur për liri e pavarësi, për t’i marrë në duart tona fatet e vendit e të popullit tonë dhe ja, tani në liri nuk jemi në gjendje të formojmnë një qeveri, të qeverisim vendin tonë të lirë. Një ditë i telefonava Dalipit, sepse kontaktet me “Vatrën” i kam mbajtur përmes Dalipit, dhe i kërkova që “Vatra” ta përdorë autoritetin e vetë e të delë me një qëndrim publik dhe t’u kërkojë partive politike që ta formojnë qeverinë, sepse me këtë zvarritje ishim duke i zhgënjyer edhe aleatët tanë më të ngushtë, ata që kishin investuar shumë për pavarësinë tonë. Prita edhe ca ditë, por nuk po shoh të botuar asgjë nga “Vatra”. Atëherë e mora përsëri Dalipin në telefon për të parë se si qëndronte puna për atë që kishim biseduar ditë më parë dhe ai më këshilloi që ta bëja letrën, thirrjen vetë dhe t’ia dërgoja se ai do ta botonte në “Dielli”. Meqenëse isha pak i mllefosur me politikanët tanë për papërgjegjësinë e tyre e thura një letër pak tepër kritike e me tone të ashpra, sepse ata, politikanët, po luanin poker me fatet e popullit, vendit tonë. Dalipi e botoi letrën menjëherë në “Dielli”. Të njejtën letër ia dërgova për botim edhe “Illyrias”. Po ashtu, kjo letër i ka rënë në dorë edhe presidentes së atëhershme të Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, përmes shokut tim të studimeve në Zagreb, Ramush Tahirit (tani i ndjerë), i cili ishte këshilltar politik i Presidentes. Pas pak ditësh qeveria u formua.
Me shkrime jam marrë si nxënës i shkollës së mesmë e më vonë edhe si student, por për një kohë të gjatë kam qenë i zënë më punë të tjera profesionale. Kam përgatitur shumë materiale për veprimtaritë që organizonim dhe ende organizojmë te “Bijtë e shqipes”, por atëherë nuk i kam dërguar për botim si shkrime të veçanta. Këto shkrime të nxitura e të botuara nga Dalipi më dhanë një shtysë që të merrem me shkrime publicistike, për të dhënë ndihmesën time të vogël për të ngre ndonjë cështje të rëndësishme kombëtare, për të bërë ndonjë ndryshim pozitiv.
Dalipi e mori drejtimin e “Diellit” në kohën kur “Dielli” herë botohej e herë nuk botohej, madje pati edhe një ndërprerje dyvjeçare. “Dielli” që nga viti i themelimit,1909, e gjer më sot ka patur mbi 20 editorë (redaktorë përgjegjës, kryeredaktorë), secili e ka marrë drejtimin e gazetës në çaste kritike, secili është shquar për diçka: Noli e Konica si themelues e drejtues të parë, Kostë Çekrezi për shndërrimin e “Diellit” në gazetë të përditshme, etj. Dalipi shquhet si njëri nga editorët më jetëgjatë të “Diellit” (afro 12 vite), si editor që e stabilizoi botimin, krijoi një qëndrushmëri dhe e bëri gazetë të përditshme Online, në përputhje me kërkesat bashkëkohore gazetareske. Thënë shkurt, e ringjalli “Diellin”. Dalipi u bë edhe një kujdestar e historian i “Diellit” dhe “Vatrës”, tërë kohën i pranishëm në selinë e “Vatrës”, duke pritur vazhdimisht vizitorë e duke organizuar veprimtari e tubime të ndryshme.
Ikja e parakohshme dhe e papritur e Dalipit do të lënë një zbrazëti në shtypin e diasporës shqiptaro – amerikane dhe në komunitetin tonë në përgjithësi. Por, ai si një mjeshtër i mirë e i përkushtuar e ka lënë “Diellin” në duar të sigurta të editorit të tanishëm, Sokol Paja. Ne gjithmonë do të kemi nevojë për një “Vatër” të ngrohtë atdhedashurie dhe për një “Diell” ku trajtohen çështjet madhore të kombit tonë – janë ura e vetme që ende na lidhë me periudhën e ndritur të Rilindjes sonë Kombëtare.
Dalipi u prehtë në paqe e “Dielli” ndriqoftë përherë!
Philadelphia, më 29 maj, 2022
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.