Mori pjesë edhe regjisori i njohur, Pirro Milkani – premtoi se do të sjellë për ta shfaqur në Boston, filmin e tij” Trishtimi i zonjës Shnajder”
Pas shfaqjeve të bëra në Tiranë e Nev York të filmit artistik “Nëntori i dytë”, dixhitalizuar e titruar në anglisht nga arkivi i filmit në San Françisko, ishte qyteti i Bostonit ku u shfaq filmi në fjalë. Për këtë veprimtari, ishte zgjedhur salla e bibliotekës qëndrore të Bostonit. Mbi 100 shqiptarë ndoqën veprimtarinë në fjalë, organizuar nga shoqata “Mass.Besa”.Megjithëse e kishin parë disa herë, pjesëmarrësit ndoqën me interes këtë film, një nga më të bukurit e kinematografisë shqiptare. “Magneti” tërheqës ishte jo vetëm tema madhore që trajton filmi, atë të shpalljës së Pavarësisë, me skenar të Kiço Blushit, por edhe regjia profesionale e Viktor Gjikës ( Artist i Popullit) si dhe loja e bukur e aktorëve, me në krye Sandër Prosin, në rolin e Ismail Qemalit. Një duartrokitje e zgjatur në fund të shfaqjes, ishte “shpërblimi” më i mirë për realizuesit e tij.
Pas shfaqjes, vazhdoi një panel diskutimesh, drejtuar nga moderatorja amerikane, Andrea Carty , punonjëse arkivi filmi. Me interes të veçantë ndoqën pjesëmarrësit fjalën e regjisorit të njohur , Pirro Milkani, i cili i ndodhur në qytetin e Usterit te njerzit e tij, kishte ardhur posaçërisht për këtë veprimtari. Ai bëri një paralele midis regjisorit amerikan i cili ka realizuar filmin kushtuar ish presidentit amerikan , Abraham Linkoln dhe Viktor Gjikës, që realizoi filmin kushtuar shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe figurës së Ismail Qemalit, duke e quajur këtë figurë “Linkolni i Shqipërisë”.Duke diskutuar një herë me regjisorin Dhimitër Anagnosti për Viktor Gjikën, jemi shprehuar:”Sikur vetëm këtë film të kishte realizuar ai, kjo do të ishte mjaft. Me këtë film dhe dhe aktorin e madh , Sandër Prosi, do të identifikohet ndër breza figura e Ismail Qemalit. Kinematografia jonë është një pasuri kombëtare prandaj duhet ta ruajmë atë, theksoi Milkani. Janë 250 filma artistikë të realizuar nga ish Kinostudjoja nga viti 1952 deri në fillim të viteve ’90. Filmat tanë mund të krahasohen me ata të vendeve të Ballkanit. Kjo i dedikohet punës profesionale që kanë bërë regjisorët dhe aktorët tanë. Pjesa më ë madhe e regjisorëve tanë të filmave artistikë , kishin studiuar në shkollat më të mira të kohës. Kështu për shëmbull në Moskë ishin shkolluar Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, Piro Milkani e Hysen Hakani në Pragë, Kristaq Dhamo në Budapest, Kujtim Çashku në Bukuresht, etj. Kjo bërthamë, shpërndau përvojën e vet te kinestët e tjerë. Duke folur për skematizmin e disa filmave tanë, ai theksoi se atë e diktonte regjimi i kohës. Për këtë shesh ne jemi detyruar të flasim me gjuhën e Ezopit. Megjithatë, filmat tanë vazhdojnë të pëlqehen. Kjo tregon se ata mbartin vlera.
Duke folur për filmat e realizuar pas viteve ’90, ai theksoi se janë realizuar 30-40 filma artistikë, disa në bashkëpunim me kompani të huaja. Pakësimi i filmave , ka ardhur nga reduktimi i buxhetit për këtë sektor. Regjisorët dhe producentët e sotëm, kërkojnë lek gjithandej për të realizuar një film. Për arsye të fondeve, realizohen filma me pak personazhe ndërsa si tema dominojnë ato sociale, të emigracionit e familjeve të tyre, etj. Lidhur me filmat e tij të realizuar vitet e fundit, ai përmëndi filmin artistik “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i cili është një vështrim artistik i jetës dhe fatit të studentëve shqiptarë që u shkolluan në vëndet e Lindjes , midis tyre e dhe vetë regjisori. Siç u shpreh ai , filmi ka edhe elementë autobiografikë. Këtë film kam dëshirë ta sjell këtu, për t’u parë nga shqiptarët e Bostonit. Ndër filmat e tij më të mirë të realizuar vitin e fundit, përmëndi dokumentarin kushtuar poetit tonë të shquar, Dritëro Agolli. Ai ju përgjigj pyetjeve të shumta që ju bënë bga pjesëmarësit.
Në takim foli edhe ish kryeinxhinieri i Kinostudios, Ilir Gjata. Ai u ndal në vështirësitë teknike që kishte për kohën dhe si kapërxeheshin ato, falë pasionit dhe këmbënguljes së punonjësve të saj.
Ja, kështu kaluan rreth tre orë me filmin “Nëntori i dytë” dhe diskutimeve rreth tij e kinematografisë shqiptare. Filmat tanë, “ngjitin” te emigrantët , pasi sjellin nga larg zërin e atdheut, i cili i mungon aq shumë.