Besa e Shaban Balisë të Nokshiqit, në derën e Mulla Sheqerit të Kolashinit

Ramiz Lushaj

Ramiz Lushaj

1.
Kolashini, trevë etnike arbnore heroike e tragjike, në kryevend të lumit Moraça, njifet në histori për luftën 7-vjeçare (1852-1858) kundër Principatës të Malit të Zi me hypjen në fron[1] të princit Danilo I, kulmon me dy prej tyne: Betejën e Ostrogut (1853) dhe Betejën e Grahovës (1858), që patën jehonë të madhe ndërkombëtare. Pas tyre qëndronte Rusia dhe Franca, të cilat prej një shekulli i jepnin bekim e mbështetje të gjithanshme për fuqizim e rritje territoriale të kësaj principate të vogël prej 3 mijë km2, që e kishte dyfishue sipërfaqen e saj politiko-administrative me pushtime e aneksime të tokave etnike shqiptare, me asimilim të dhunshëm të shqiptarëve.
Në këto luftëra kanë marrë pjesë aktive edhe shqiptarët e Plavë-Gucisë, të Malësisë së Gjakovës, të malësive të Veriut, që ndonjana prej tyne njifet ndryshe në traditën popullore si “Lufta e Moraçës”, që ishin përballje të përgjakshme aq të forta saqë luftëtarët e brezat pasardhës e “matnin” trimërinë në oda e kuvende malësore me vdekjet heroike, me plagët e marra në trup apo krenat e preme në betejë. Kjo ishte si një lloj “biografie” e kohës, sadoqë tevona e eklipsoi edhe “Beteja e Nokshiqit” (1879-1880).
Në këtë luftë kanë marrë pjesë edhe Mekulët e Nokshiqit (Nokshajve), burrat e dy kullave të tyne: e Ibër Metës – djali i tij Smajli me dy-tre nipat e tij dhe e Ramë Sukos – Rama me djalin e tij të madh, me Hysenin (Hysi), të cilët shkonin e luftonin bashkarisht, të tufalakuem në beteja, duke ia mbrojt krahët njani-tjetrit nga sulmet e malazezëve të Çetinës.
Pas katër ditëve luftë të rreptë (28 prill – 1 maj 1858) Princi Danilo I me prijës ushtarak të vllain, Mirkon, me mbi 7 mijë forca ushtarake, e ngritën flamurin e fitores kundër Portës së Lartë me 7-13 mijë forca ushtarake, shumica e tyre shqiptarë të fiseve Kelmend, Gash, Krasniqe, Hot, etj. nga brigjet e liqenit të Shkodrës e deri në minierat e Mitrovicës, nga tre bajrakët e Plavë-Gucisë dhe vise të Mirditës, etj. Dy perandoritë e mëdha të kohës pro-sllave, Rusia e Franca, e kushtëzuan Perandorinë Otomane që të formatonin një komision për caktimin e kufinjëve të Malit të Zi me Portën e Lartë, i cili ia nisi aktivitetit të tij në nëntor 1858, duke e aneksuar edhe trevën e Kolashinit në principatën malezeze. Mali i Zi, pas luftërave pushtuese, e çoi sipërfaqen e saj territoriale në 4.700 km2 duke iu marrë padrejtësisht tokat etnike shqiptarëve të Kuçit, Piperit, Vasojeviçit, Palabardhit, Shipshanikut, etj.
Në këtë trevë historike shqiptare, që sot mban administravisht emnin komuna e Koshalinit e cilësohet si qënder jo-zyrtare e rajonit të Moraçës, ka pasë jetue një familje e shquar e gishtit dhe e dijes shqiptare: ajo e Mulla Shiqerit, që ia kishte mbrri prej kohësh me e fitue shpirtërisht titullin “Hoxha i Kolashinit”. Ishin aq punë përkryer saqë edhe vendlindja e tyne – Kolashini ua dha emnin e vet për fisnikëri, ashtu sikurse edhe Mulla Smajl Adem Mekulit i kanë pasë thirrë “Hoxha i Nokshiqit”.
Këto dy familje kombëtare shqiptare: Nokshiqët e Kolashinët, i nyjelidhën ndërveti në shekuj luftrat për liri e pavarësi dhe fisnikëria e tyne në sofra e beteja. Ato ndanin një copë buke bujare bashkë dhe e merrnin rrezikun e luftës në sy bashkarisht, siç banin Hysen Halili i Kolashinit dhe Brahim Bajram Hysi i Nokshiqëve, dy kaçakët e prushtë të lirisë shqiptare kundër sllavëve shoven gjakatarë.

2.
Një nga shpjegimet etimologjike të emnit Kolashin thelluton se kjo trevë ishtë “kala” në luftërat qëndrestare në krye të Moraçës gjeo-strategjike, kah rrugëtoi edhe fisi i lashtë e i ri i Kelmendit, siç saktëson Pjetër Bogdani më 1865, ku merr udhë Cemi i Bashkuar i Vuklit dhe i Nikçit të Kelmendit të Alpeve, ku rrenjëzon me gene e prag jete edhe Nokshiqi i historisë.
Një kala shqiptare e pathyeshme ishte edhe kulla epike e Mulla Sheqeri i Kolashinit (jo vetëm hoxhë, por edhe mësues fetar), i ati i të cilit, Hoxhë Halili, kishte fitue edhe titullin “Haxhi”: përndryshe” thirrej “Haxhi Halili i Kolashinit”, biles thuhet sikur e kishin vlerësue edhe titullin fetar “Myderriz”, që ka domethanie si “profesor i dijenive”.
Kjo kullë e dijes genetike e shkollore ishte edhe pushkës së nderit, që në këto dy hulli të breznive të veta ia lanë emnin e vet kohës, i dhanë 41 mashkuj të fortë[3] për lirinë e pavarësinë e kombit, për mos me iu nënshtrue vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit -1878 e të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës -1913, për mos me ua lëshue trollin e jetës e të gjakut të vet malazezëve shoven. Kjo kullë mban në legjendarizimin e saj edhe një rekord gjakderdhjeje me sllavët: në tre vjet iu vranë 21 mashkuj qëndresarë të kulmeve të saj.
Vllaznit e Mulla Sheqeri i Kolashinit, veçmas flakadonte Hyseni, po edhe Zeqiri e Qazimi flakronin, se që të katër unitarisht luftonin me fjalë e plumba në lugina e malë të Kolashinit e rrethinave deri në Plavë-Guci, e kur iu rrezikohej jeta e kaçakut atyne anëve kapërcenin në bjeshkë e fise të Malësisë së Gjakovës e të Kosovës dardane. Hysen Halil Kolashini e Brahim Bajram Nokshiqit shpeshherë ranë në prita, u shqiponjën nëpër plumba, vranë trminisht shkije malazeze e serbe. Këta dy kreshnikë shqiptarë kelmendas e vasojeviç u banë të rrezikshëm për principatat apo mbretnitë e Malit të Zi e të Serbisë.
Dy krajlitë ballkanase, malazezë e serbë, banin luftë shovene të pandalshme e të përgjakshme politike, raciste, fetare, etj. ndaj kullës së kolashinëve që nuk përthyheshin, nuk shmangeshin dhe nuk tërhiqeshin në të drejtën e tyne të mbrojtjes kombëtare, fetare, fisnore, qytetare. Sikur të mos mjaftonin politikanët e sigurimsat sllavë me plumba në gjokset e tyre e gurët e kullës, nuk iu ndahej as kisha ortodokse sllave si ajo e Manastirit të Moraçës , etj. për faktin e prejkohshëm se ishin “derë hoxhe” me tituj fetar të lartë.
Një ditë fundvere të vitit 1920, hala pa u djergë bjeshktarët, Mulla Sheqeri i Kolashinit, bashkë me vllazën e me çka mujtën me marrë me veti, u nistuen për në Shkodër, tue e lanë xhaminë të mbyllun prej asaj dite e sot, tue u kthye në gurnajë të groptë, dhe gurët e kullës po thermoheshin nga dhimbja e ikjes e malli i pritjes për shqiptarët e saj dijetarë e luftëtarë. Shkijeve shovene gjakatare kriminale iu ikën nga sytë, po shenjestra e hija e tyne i ndiqte nga pas, sepse shkuarja e kolashinëve në Shkodër u pritë nga shqiptarët muslimanë e katolikë si një ngjarje e veçantë, si një festë me ngjyra lokale kombëtare.
Mulla Sheqeri i Kolashinit, përndryshe me i hup sadopak gjurmët e përndjekjeve sllave e përdorte në Shkodër edhe një emën të dytë “Shyqyri”, po vendasit mikpritës nuk ua hoqën mbiemnin krahinor, po ua vnuen edhe si emën: “Kolashinët”. I veçantë ishte takimi i tij me “Homerin Shqiptar” Gjergj Fishta, ku diskutuan edhe për Ernesto Cozzi-n, Delegat Apostolik për Shqipërinë i emnuem nga Papa Benedikti XV, më 12 dhjetor 1920, mbi një muaj para se Shqipëria të njihej nga Lidhja e Kombeve në Gjenevë si shtet i pavarur e sovran.
Kolashinëve iu vjen fjala në vesh se sllavët po përgaditnin një atentat vrastar ndaj tyne, prandaj kah vjeshta e vitit 1921 e morën rrezikun në sy e rrugën në kambë drejt Shoshanit të Malësisë së Gjakovës, vendlindjes së Haxhi Zekë Byberit. Në verën e vitit 1922 largohen përkohësisht për disa muaj në Morinë të Gjakovës. Po rikthehen në vigjilje të vitit 1923 në Shoshan e pa vonue në kohë shkojnë në Dragobi si Imam i xhamisë së këtij fshati historik, turistik e kulturor, ku “bajraktari i Shtatë Grykave”, Kadri Zmajli – probatimi i albanologut të shquar, Baron Nopça – merret për krijimin e kushteve të tyre të jetesës, të ushtrimit të detyrës, etj. Kolashinët qëndruan në Dragobi në rreth dy dekada edhe si familje çipçi (punim i tokës e ndamja e fitesës përgjysmë) në kullën mikpritëse të atdhetarit Rexhë Syla. Ky fshat me lidhje krushqie të forta e të shumta me Plavë-Gucinë iu mundësonte kolashinëve atdhetarë të mësonin sa ma shumë për vendlindjen e tyne me rrethina, të shkëmbenin ndërveti dituni e pasuni, etj.
Tashti, për me i fshi sadopak gjurmët dhe me iu ruejt çdo informate nga sllavët, e kthejnë mbiemnin e vet në “Prela”, përndryshe: Imam Shyqyri Prela, të cilët largohen në vitin 1941 nga Dragobia breg lumit të Valbonës e bien në Kolgecaj, me ndeje tek shtëpia e Ramë Arifit të Kolgecajt, i vllaznisë Gjyriqi i Plavës. Në vitin 1949 një pjesë e kësaj familjeje kolashinase u venduen në Muzhnicë – Katund i Paqes në breg të Valbonës e karshi Cerrnicës; një pjesë qëndroi në qytetin alpin të Tropojës, si Bajram Hoxha (Prela); një pjesë udhanisi në Tiranë, etj. si Ragip Hoxha me fëmijët e tij.
Këta kolashinët e Moraçës antike e ndritën veten edhe në Shqipërinë Londineze në kohërat moderne: Një prej tyre, Ragip Hoxha ka qënë komisar batalioni në Brig. XXV-S, me detyra nivelore në Tropojë e në Korçë, amabasador i Shqipërisë në Vjenë dhe konsull i saj në Stamboll, ndërsa djali i tij, Vladimir Prela, dhandrri i shkenctarit elbasanas Dhimitër Shuteriqi, ishte ambasador i Shqipërisë në Shkup, një nga këshilltarët e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë (1999), publicist, etj. Nga fëmijët e Bajram Hoxhës veçojmë dy prej tyne: Vjollcën, këngtare edhe në veprimtari ndërkombëtare, bashkëshorte e kompozitorit epik e lirik Kolë Susaj, si dhe Petrit Hoxhën, këngtarin e Alpeve e të Atlantikut, basketbollistin e ekipit kampion kombëtar “Valbona”, etj.

3.
Hysen Halil Hoxha i Kolashinit po i priste ditët e fundit të jetës së vet në “Katundin e Paqes”, në këtë vendbanim me tokë e mal, ujë e bukë, me lumë e prroje. Aty banonin edhe familje nga Shoshani, si Markolajt (Byberaj) dhe Çelkolajt (Dega), Elezajt e Margegajve.
Ia dinte vetes se ditët i kishte të pakta, prandaj deshti me e pa me sy e me folë në gjallje të vet me Brahim Bajram Hysin e Nokshajve (Nokshiq), bestarin e vet edhe përtej vdekjes. I ndali hapat e (ç)malljes tek vorri i tij tek Ura e Llugajve. Ata folën bashkë me zemër e me lotë, me shpirt e me dritë. Gjithçka thanë e askush nuk i dëgjoi. As lumi nuk ia mori lotët dhe as vorri i bestarit të vet nuk ia lodhi frymën e shpirtit. Asnjani nuk iu tremb vdekjes, po diçka ma e randë i kishte kaplue, e kjo ishte ma e madhe se rrasa e vorrit, se Kolshinin e Plavë-Gucinë ua kishte pushtue e aneksue shteti vrastar e grabitqar i Malit të Zi. Prej kësaj dite kanë thanë se nuk e morën kambët e veta me të mirë rrugavije ndër të afërm e miqtë shumtë në Malësi të Gjakovës, e cila iu ba kolashinëve dijes, pushkës e këngës si të ishte vendlindja e vet.
Shpirti i Hysen Halil Hoxhës (Prela) i fjalaçon ftesë mirëseardhjeje djalit të Bali Bajram Hysit të Nokshiqëve të Malësisë së Gjakovës, atij ma të riut, Shabanit, për me e takue në shtëpinë e tij. Shaban Nokshiqit iu duk tepër e shkurtë rruga për me shkue tek kumbara i mirë e miku i madh i derës së tyne fisnike të Bali Bajram Nokshiqit, tek miku i besës së Brahim Bajram Nokshiqit.
– Djalë i mirë i derës së mirë: sot në shtëpinë time, në breg të Valbonës, në tokën e
Malësisë së Gjakovës, jam ka ta la një amanet të vetëm e të fundit. Kur të vdes më varrosni përkrah vorrit të mixhës tand, Brahim Bajram Hysit. Ju, të Bali Bajram Hysit, e dini fort mirë se unë dhe Brahimi ia kena kalue mirë bashkë, si dy vllazën. Kena ruejt një fytyrë, kena ba për këtë kombë, kena pasë një besë te sytë e shpirtit e flaka e pushkës, kena marrë hak kundër malazezëve e serbëve që na vranë e na prenë si kriminelë gjakatarë…
Teksa fliste ky burrë bestar u prek së tepërmi Shaban Balia i Nokshiqëve, pasi e dinte se sa shumë e kishin dashtë për së gjalli njani-tjetrin këta dy burra: Hysen Halil Hoxha i Kolashinit dhe Brahim Bajram Hysi i Nokshiqit të Plavë-Gucisë.
– Baca Hysen, due me të thanë se nuk muj’ me ta krye këtë amanet. Nuk e di sa jam
ka e mati fjalën teme po më duhet me ta thanë prej vetes teme: Bash në këtë vend, në Katund të Paqes, i kie vorret e vllaznëve tu, të Mulla Sheqerit të Kolashinit e të Qazim Halil Hoxhës. Aty duhet me të pushue trupi edhe ty – i tha djali nokshiqas.
Gjithçka ra në heshtje. As oshtima e Valbonës nuk ndihej. As një zog nuk po këndonte. Dukej sikur as ne, nën kulme të shtëpisë, në atë dhomë të burrave, nuk po merrnim frymë.
– Në koftë se e kie nda mendjen përfundimisht për çka je ka ma thue mue, – ndërhyn
prapë me urti djali i ri nokshiqas – atëherë ja ku i kie gruan e djalin që janë ka e ndiejnë amanetin tand. Të shkojnë e t’iu tregojnë djemëve të Ragip Hoxhës, Bajram Hoxhës në Kolgecaj, djemvë të Mulla Shiqerit në Rrogam. Unë i hjek lekët e rrugës. Po na ranë ata tetanë dakord, atëherë e kryejmë amanetin tand.
Pas një jave Hysen Hoxha i Kolashinit ndrroi jetë në votrën e vet, në qytezën punëtore të Rrogamit. Fjala e mortit i erdhi teksa po rrinte në kafe në Tropojë (Astë), diku aty kah mesdita, rreth orës 12.00 dhe në orën 16.00 ishte lanë varrimi.
Koha ishte e paktë. Amaneti i madh.
Fill e për pe ia kallxova amanetin Shaban Sadikit të Mejdanit.. Ai e ndjeu peshën e atij amaneti. Nuk i zgati fjalnimet veç ta thirri djalin e vet, që punonte shofer, Brahim Shabanin e ta porositi sojnisht: “Je në dispozicion të Shaban Nokshiqit derisa të kryhen të gjitha ceremonitë e varrimit”. I kryem me të afërm, miqasi e shoqëni disa punë të mira si leje për marrjen e makinës në dispozicion, etj.
Me makinë shkuan drejt e në Rrogam, në këtë qytezë të vogël të minatorëve, të fermerëve, etj. Aty ishin bashkë të gjithë djemtë e Mulla Sheqerit të Kolashinit dhe ata të Hysenit. Ua shëndoshi kryet e mbasandejna i dveti për amanetin e mixhës së tyre, Hysenit, po ata nuk kishin ndonjë dijeni prej askujt. Atëherë Shabani si misionar i amanetit e ftilloi edhe një herë tjetër rrjedhën e bisedës. Dihej se koha ishte e pamjaftë për me e plotënue familjarët e Hysenit dakordësimin me të afërmit e vet, po askush nuk ia mendon e don njeriut të vet ditëvdekjen.
Fjalët u peshuan në kuvendim farefisnor e shoqëror, Amaneti zuni vend e mori krahë.
Ajo çka i deshti shpirti në fund të jetës po i plotënohej pas vdekjes: pranë vorrit të mixhës tonë, Brahim Bajram Hysenit tek Ura e Llugajt do të ishte edhe vorri i Hysen Halil Hoxhës. Besa e tyne edhe përtej vdekjes. Përjetësisht bashkë.
Djemtë e nipa të Bali Bajram Hysenit të Nokshiqit iu nisi përgjegjësia e madhe e amanetit në pak orë kryerje të tij. As katër orë tamam. Shaban Balia i doli ballas këtij misioni hyjnor, si krye heret, si në këtë ditë varrimi ceremonial. E nisi Adem bajramin me karroceri me marrë pllakat dhe dërrasat për arkivolin e me i çue në Llugaj. Me Bajram Shabanin ra në Llugaj tek Bajram Gjyriqi me ia lanë porosinë symësy për me shkue me djemtë e tij për me i marrë masat e vorrit, me e përgaditë vorrin ma së mirit e fortshpejtë, brenda orës 16.00 të mbasdites. Ky Bajrami tregoi gadishmëri burrnore. Prapë Shaban Balia rikthehet në Rrogam (Rrëzëmal) për me u pikapjek dorëmëdorë me Hysen Shabanin, guzhinierin e qytezës, për me e përgadit “qilimen” për Hysen Hoxhën. Gatishmëria e tij ishte për me u faleminderue dhe na i kreu të gjitha çka duhet e si duhet në një kohë të shkurtër, me cilësi të mirë, me bollek, me korrektesë, kundrejt shpërblimit. Pjesmarrja e tij misionare në këtë amanet ka pas mirënjohje nga Nokshiqët e Llugajve. Punëtorët e minerës e kushdo tjetër i lanë vend e kohë “qilimes” për Hysen Halil Hoxhën e Kolashinit. Asaj nate Shaban Balia ndejti në Rrogam dhe të nesërmen vet i gjashti shkoi bashkë me shoferin Brahim Shabani në malin e Dobrejt, e mbushin makinën me dru zjarri dhe i çojnë tek shtëpia e të ndjerit për me i pasë për të pamen e atyne ditëve, për sherbesat e pritje-përcjelljeve të pas-mortit të dhimshëm të një burri kaq të mirë.
Amaneti u krye mrekullisht, fisnikërisht, sojnisht. Dy vorre pranë njani-tjetrit: Hysen Halil Hoxha i Kolashinit i shkoi pranë Brahim Bajram Hysit të Nokshiqit. Si dikur kur ishin kaçak në Kolashin e në Plavë-Guci, si tevona në Malësi të Gjakovës. Ata ishin bestarë në gjallje të vet edhe pasvdekjes. Si në legjendat e moçme, si në përjetësi reale të brezave.
(Plavë-Guci, maj 2013)

REFERENCA
1 Kur erdhi në krye të ”Principatës” mixha i Krajl Nikollës, Princi-peshkop Danilo II (1851-1852) apo i thirruni ma pas zyrtarisht princi Danilo I (1852-1860), mixha i Krajl Nikolla I, vllai i Vojvodës Mirko.
2 A. Theiner, Vetera Monumente Slavorum, Meridionalium, II. Zagarbriae, 1875, fq.217-221, në: Marko Jaèov, Spisi Tajnog Vatikanskog Arhiva, XVI-XVIII-veka, Beograd,1983, fq.136.
3 Shaban Bali Nokshiqi. Kujtime dorëshkrimore – kreu: “Shtëpia e Mulla Sheqerit për besë e kumbari”. Tiranë, 2010.