Humbje

Astrit Lulushi

Astrit Lulushi

Hamartia do të thotë humbje; fillimisht përdorej për shigjetarët kur nuk godisnin në shenjë – Ata që kryenin hamartia shkaktonin rënien e tyre.
Edipus Rex, njohur gjithashtu me titullin Oedipus Tyrannus, Opedipus the King, ose Edipus Mbreti, është një tragjedi athinase nga Sofokliu që u interpretua për herë të parë rreth vitit 429 para Krishtit. Fillimisht titulli ishte thjesht Edipus, siç përmendet nga Aristoteli në Poetikë. Aristoteli e prezantoi termin për të përshkruar humbjen e gjykimit që në fund sjell rënien.
Edipi u rrit në pallatin e Korintit, si i birësuar i mbretit Polybus dhe mbretëreshës Merope. Megjithatë, në fakt, prindërit e tij biologjikë, mbreti Laius dhe mbretëresha Jokasta e Tebës, e kishin urdhëruar vdekjen e tij si foshnjë për shkak të profecisë, dhe ai kishte mbijetuar falë dashamirësisë së disa barinjve.
Një ditë, Edipi i ri dëgjoi thashethemet se Polibus dhe Merope nuk ishin prindërit e tij të vërtetë. I shqetësuar, ai vendosi të vizitonte orakullin e Delfit dhe të zbulonte të vërtetën. Sipas traditës, orakulli nuk i dha një përgjigje të qartë, por përkundrazi i tha atij për profecinë e vjetër, se ai do të vriste babanë dhe do të martohej me nënën.
Dhe këtu vjen gabimi fatal i Edipit. Edhe pse shkoi në Delphi i pasigurt për prejardhjen e tij, papritmas ai pushoi së menduari për këtë çështje dhe filloi të besonte se ishte i destinuar të vriste Polybusin dhe të martohej me Meropen. Prandaj, e vetmja gjë që vendos të bënte ishte të mos kthehej më në Korint.
Edipi mund t’i ishte shmangur profecisë, nëse do të vendoste të mos martohej kurrë me një të ve ose, akoma më mirë, me ndonjë grua më të vjetër se ai. Përkundrazi, kur zgjidhi gjëegjëzën e Sfinksit dhe hyri në Tebë si çlirimtar, ai pranoi dorën e Jokastës, që e dinte se ishte e veja e mbretit të mëparshëm.
Tragjedia bëhet më e dukshme, nëse merret parasysh se Edipi i shihte gjëra që të tjerët nuk mundeshin dhe ishte në gjendje t’i zgjidhte gjëegjëzat (si ajo e Sfinksit). E megjithatë ky njeri nuk arrin të zgjidhë vrasjen e Laius dhe të tjera anormale që i kishin ndodhur që nga vizita e tij në Delphi. Thuajse dy mijë vjet më pas, Shekspiri iu kthye hamartias me:
Makbeth – ambicie e dhunshme. Mbreti Lir – zemërimi. Romeo dhe Zhuljeta – padurimi.. Otello – xhelozi e skajshme.
Hamlet – hakmarrje. Çfarë solli humbjen tragjike të Edipit? – mendjemadhësia. Ai u përpoq t’i largohej fatit. Të gjitha këto sjellin humbje.