Uashington, 9 qershor 2022 – FBI-ja arrestoi të enjten republikanin Ryan Kelley, kandidat për postin e guvernatorit të Miçiganit, nën akuza për veprimet e tij gjatë trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitol, të shkaktuara nga mbështetësit e Presidentit të atëhershëm Donald Trump.
Në një deklaratë të një agjenti të FBI-së thuhet se 40 vjeçari Kelley, ishte kapur në video duke qëndruar mes një turme njerëzish që “sulmonin dhe shtynin forcat e zbatimit të ligjit” në Kapitol.
Zoti Kelley është një nga pesë kandidatët republikanë që janë në garë për të zëvendësuar guvernatoren demokrate Gretchen Whitmer në zgjedhjet e nëntorit.
Në një sondazh të fundit, të cituar nga media lokale në Michigan, ai u shfaq si kandidati kryesor republikan, megjithëse gara mbetet e papërcaktuar me 49 për qind të votuesve republikanë ende të pavendosur.
Zyrtarët e fushatës së tij nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment. Votimi brenda partisë për të zgjedhur një kandidat republikan është planifikuar për më 2 gusht.
Sipas një kallëzimi penal, zoti Kelley kishte hyrë me vetëdije në mjedise ku ndalohet hyrja pa leje, sjellje të çrregullt, përfshirje me vetëdije në akte dhune fizike kundër pronës dhe dëmtim të qëllimshëm të pronës së qeverisë amerikane.
Arrestimi i tij bëhet ditën kur do të fillojnë seancat publike të Komisionit të Posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve që heton sulmin në Kapitol.
Imazhe të tjera tregojnë zotin Kelley duke u ngjitur tek një mur pranë shkallëve veriperëndimore të ndërtesës, thuhet në deklaratën e FBI-së. Më pas ai mund të shihet në video duke tundur dorën për të inkurajuar turmën të ecë drejt shkallëve.
Në nëntor 2020, ai kishte folur në një tubim të lëvizjes “Stop the Steal” që pretendonte se zgjedhjet ishin vjedhur, duke i thënë turmës: “Ne do të qëndrojmë dhe do të luftojmë për Amerikën, për Donald Trumpin. Nuk do të lejojmë demokratët t’i vjedhin këto zgjedhje”, thuhet në deklaratën e FBI-së.
(Zëri i Amerikës)