Si do të procedohen kërkesat për strehim politik në kufirin me SHBA-në

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesit:

A mund të na i shpjegoni rregullat e reja që kanë të bëjnë me procedurat për strehim politik në kufi?

Anonim

Rregullorja e re i lejon Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-it) të shqyrtojë aplikimet e personave të caktuar të cilët janë në proces të përshpejtuar dëbimi dhe që gjatë intervistës në kufi kanë dëshmuar se kanë frikë nga persekutimi apo vënia nën torturë. Në të kaluarën vendimin për këta persona e merrnin gjykatësit e emigracionit, pra zyra ekzekutive që merret me çështjet e emigracionit (EOIR) pranë Departamentit të Drejtësisë (DOJ). Aktualisht, procesi gjatë të cilit dëgjohen dhe merret vendim për këto çështje, vazhdon me vite. Gjithsesi, kur rregullorja në fjalë të hyjë plotësisht në fuqi, shpresojmë që procesi administrativ në fjalë të zgjasë jo më me vite, por të marrë vetëm disa muaj. Personat që kualifikohen për strehim politik do të arrijnë të marrin më shpejt mbrojtjen e kërkuar, kurse ata që nuk kualifikohen, në vend që të rrinë me vite në SHBA në pritje të një vendimi, do të dëbohen menjëherë.

Këtij procesi të ri do t’i nënshtrohen vetëm ata persona që janë futur në proces deportimi pas datës 31 maj, 2022. Rregullorja vlen për ata persona të rritur dhe familjet, që janë në procedura të përshpejtuara dëbimi nga vendi dhe kanë arritur të tregojnë që kanë ndërmend të kërkojnë strehim politik, që kanë frikë se do të persekutohen dhe torturohen ose frikë të kthehen në vendin e tyre. Rregullorja nuk vlen për fëmijët e pashoqëruar.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) do të synojë që çdo muaj t’i kalojë USCIS-it afërsisht disa qindra jo-nënshtetas për t’u marrë në intervistë për strehim politik (Asylum Merits Interview (AMI)), kjo pasi të jetë vendosur paraprakisht që frika e tyre ka bazë reale. Vendet e para për kryerjen e këtij procesi do të jenë dy qendrat e paraburgimit në Texas. Zyrtarët që merren me çështjet e strehimit politik do të kryejnë intervistat nëpërmjet telefonit për të vendosur nëse frika e këtyre personave ka bazë reale. Si fillim, do të kalohen për intervista AMI vetëm ata persona që do t’i tregojnë USCIS-it dhe agjencisë federale të mbrojtjes së kufijve nga emigracioni i paligjshëm (ICE-it) se kanë si qëllim të vendosen në një nga këto gjashtë qytete: Boston, Los Angeles, Miami, New York, Newark ose San Francisco.  

Më poshtë do të përshkruajmë hap pas hapi si do të funsionojë ky proces:

Futja në proces të përshpejtuar dëbimi: Personat e kapur në kufi nga agjentët e organizatës federale kryesore të SHBA-së për mbrojtjen e kufijve Customs and Border Protection (CBP), që janë në proces të përshpejtuar dëbimi dhe kanë deklaruar se kanë frikë për jetën do të transferohen në qendrat e paraburgimit të ICE-it.

Intervista që vendos paraprakisht nëse frika ka bazë: Këta persona do ta japin këtë intervistë gjatë kohës që janë në paraburgim. Nëse nuk e kalojnë intervistën, ata mund të kërkojnë që çështja e tyre të shqyrtohet nga një gjykatës emigracioni. Varet nga USCIS-i nëse do të rimarrë në konsideratë një vendim që e ka cilësuar të pabazë frikën e dikujt dhe për të cilën një gjykatës emigracioni ka rënë dakort, sa kohë që kërkesa paraqitet brenda shtatë ditëve nga rënia dakort apo dëbimi nga vendi, në varësi se cila nga të dyja këto ndodh më parë.  

Referimi për intervistë AMI: Personat që janë në proces të përshpejtuar dëbimi dhe që kanë kaluar intervistën paraprake që bëhet për të gjykuar nëse frika e tyre ka bazë reale dhe për të cilët ICE-i vendos nëse është ose jo e përshtatshme të lirohen mund t’i kalojnë USCIS-it për AMI. Individi duhet të tregojë se ka si synim të vendoset në një nga gjashtë qytetet ku do të kryhet AMI-ja (Boston, Los Angeles, Miami, New York, Newark ose San Francisco). Personat do të njoftohen që do të kalojnë për AMI kur të kalojnë me sukses intervistën e parë pra atë që vendos nëse frika ka qenë ose jo me bazë. Përmbajtja e vendimit do të përbëjë aplikimin për azil, kurse data kur është lëshuar vendimi do të konsiderohet si data e paraqitjes së aplikimit për azil. AMI-ja do të bëhet jo më herët se 21 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e vendimit në fjalë. Personat që lirohen nga paraburgimi do të vendosen në vende që shërbejnë si alternativa të pikave të paraburgimit (ATD). Kjo është e nevojshme për të garantuar përmbushjen e detyrimeve për raportim, intervistë dhe seancë dëgjimore nga ana e këtyre personave. Nëse dikush nuk paraqitet për AMI, do të merren masa. Nëse USCIS-i mendon që një person kualifikohet për të marrë strehim politik, ai ose ajo do të marrin një letër aprovimi e cila do t’i informojë lidhur me përfitimet që rrjedhin nga kjo gjë si dhe me procedurat përkatëse.

Procedurat efikase të dëbimit: Nëse USCIS-i nuk e aprovon kërkesën për strehim politik, agjencija ia kalon çështjen gjykatësit të emigracionit për procedura të përshpejtuara efikase. Zyrtari i emigracionit bazuar në dëshminë që i është paraqitur USCIS-it, do të japë një vlerësim nëse aplikanti ka treguar ose jo që kualifikohet për ndalim të procesit të deportimit. Do të ketë data të lira për kryerjen e këtyre procedurave në gjashtë qytetet e lartpërmendura. Gjatë këtyre procedurave gjykatësi do të shqyrtojë aplikimin për strehim politik të personit të huaj si dhe dokumentat në mbështetje të aplikimit në fjalë dhe do të vendosë nëse do t’ia aprovojë ose jo kërkesën për strehim politik.

Në ato raste kur USCIS-i nuk e aprovon kërkesën për strehim politik, zyrtari që merret me çështjet e strehimit politik bashkë me vendimin do të fusë dhe një vlerësim nëse aplikanti kryesor tregoi ose jo se kualifikohet për ndalim të deportimit bazuar kjo vetëm në dëshmitë që iu paraqitën USCIS-it. Gjatë kohës që personi është në procedura deportimi, nëse edhe gjykatësi i emigracionit nuk e aprovon dhënien e strehimit politik dhe lëshon një vendim deportimi të formës së prerë, gjykatësi i emigracionit mund të konfirmojë vendimin e zyrtarit të USCIS-it që individi në fjalë kualifikohet për ndalim të deportimit. Në rastin kur zyrtari për çështjet e strehimit politik nuk e ka parë personin në fjalë si dikë që kualifikohet për ndalim të deportimit, gjykatësi i emigracionit do ta rishqyrtojë më tej kërkesën dhe do të marrë një vendim të pavarur lidhur me faktin nëse aplikanti kualifikohet ose jo. Nëse gjykatësi i emigracionit arrin në përfundimin që personi nuk kualifikohet për të përfituar mbrojtje, gjykatësi do të lëshojë një urdhër deportimi dhe personi në fjalë do të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]